5 Dhjetor, 2017

Gazetarja piktore, Jerida Sakaj: Vizatimet e veshjeve që nuk dalin kurrë nga moda


Jerida Sakaj është një nga ato vajzat me të cilat nuk turpërohesh asnjëherë, nëse shkëmbehesh në rrugë dhe nuk i ke folur. Është e sigurt që nuk do ta njohësh, sepse modeli i flokëve mund t’i ndryshojë edhe natën ose në orët e para të mëngjesit, ende pa zbardhur dita.

Gazetarja e mëngjesit në “Club FM” ka një stil të sajin që e identifikon fare lehtë, qoftë edhe sikur në një fotografi t’i ketë dalë vetëm bërryli i njërës mëngë të xhaketës. Sot, prej kohësh tashmë, ndryshe nga më parë kur përpiqej të gjente veshjet më të veçanta në kryeqytet, i krijon vetë.

22894273_10156070075733836_1731467060496560841_n

Jo vetëm të sajat, edhe të të tjerëve! Nga gardëroba e saj nuk hidhet asgjë. As bluzat me njolla, as palltot që e ëma nuk i vesh prej vitesh, as xhinset e modës së shkuar… Jeri di si t’i sjellë sërish në jetë, por sipas mënyrës së saj…Të pikturuara me shpërthim ngjyrash e formash. Tashmë ka vite që merret me këtë pasion, rrëfen se nuk ka ditë që nuk e gjen duke pikturuar mbi cohëra të ndryshme, qofshin pambuk, xhins, të leshta, mëndafsh, etj., “Tani kam mësuar të njoh edhe materialet dhe të di se si merr boja te një lloj cohe e si merr te tjetra” – zbulon ajo. Thotë se e rifreskon herë pas here gardërobën e saj, edhe pse veshjet janë thuajse të gjitha të përdorura dhe e rifitojnë freskinë duke u ricikluar. “Kam bërë kapelabërësin e çmendur, të interpretuar nga Johnny Depp, të cilin unë e adhuroj.

12745825_10153969073003836_6108902117631540695_n

Mora një këmishë të vëllait që nuk e përdorte, ishte pak e grisur, e qepa dhe përveç kapelabërësit, pikturova lulet e qeshura dhe letrat e bixhozit. Kam pikturuar Lizën në Botën e Çudirave, Tomin dhe Jerry-in, një fustan në teknikë PopArt , allaPicasso dhe një bluzë verore që e kam bojatisur me gjurmë furçash dhe me flutura…”, zbulon Jeri punimet e saj më të reja që tashmë nuk janë vetëm për përdorim vetjak.

Qyshkur nisi të pikturonte këpucët e saj prej cohe, të parat me të cilat eksperimentoi dhe i ruan ende sot e kësaj dite, fama e saj është përhapur. Ishte shoqja e saj, Orgesa Zaimi, së cilës i pikturoi me pentagram çelësin sol dhe një tastierë pianoje atletet “AllStar”, që e përhapi fjalën për talentin e Jerit, jo vetëm në biseda, por edhe në rrjetet sociale.

Një vajzë, pasi pa bluzën time me Princin e Vogël, më kërkoi t’ia vizatoja. Ata që janë të interesuar, më sjellin veshjet, pastaj unë i pikturoj, sepse është shumë e vështirë të dalësh të kërkosh veshje për të tjerët, varet nga stili.

Mundohem që secilit t’i kuptoj karakterin dhe sipas tipit t’u përshtat edhe vizatimet. Preferoj pëlhurat dhe jo materialet sintetike dhe nëse janë të bardha, është edhe më mirë pasi ngjyrat duken më të plota”, tregon Jeri, duke shtuar se edhe për të ky është një eksperiment që vazhdon dhe kjo punë e ka bërë që të njihet mirë me llojet e tekstileve. “Si marrin linjat në një material, nuk marrin te tjetri”.

Edhe me bojërat gjithashtu. Në fillim përdorte bojërat e vajit, ato me të cilat pikturonte pasi mori leksione pikture nga Nita Marko, e bija e shkrimtarit të madh Petro Marko, pasi kuptoi se Jerida kishte talent në vizatim. “Më vonë mësova për bojërat e tekstileve, ato që nuk ikin nga veshjet edhe pas shumë larjesh. Në fillim nuk e dija dhe përdorja ato të vajit”, thotë, duke shtuar se i porosit jashtë, sepse këtu është e vështirë të gjenden. Te gama e nuancave zgjedh ato më të gjallat, më të fortat, pasi janë edhe ato që karakterizojnë natyrën e saj. Tashmë janë bërë aq punime sa për t’i shfaqur publikisht në një ekspozitë vetjake. Veç kënaqë- sisë që i ofron ky art, nuk e sheh dot më shumë, sado që prej kohësh porositë që i shkojnë Joridës, jo vetëm sipas shijes së saj tashmë, por edhe të klientit, janë shtuar prej kohësh.

Fundja, mjafton që nga i gjithë procesi ajo vetë merr kënaqësi. “Kur jam e stresuar mbyllem atje dhe pikturoj, llangos të gjithë dhomën. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të llangosesh me bojë. Kam bërë një pikturë në telajo vetëm me duar, pa penela dhe u ngjeva e gjitha”. E bukura e veshjeve të Jerit, të cilat nuk ndryshojnë sipas tendencave të modës, por sipas fantazisë së saj, është se nuk dalin kurrë jashtë përdorimit. Nëse i mërziten pikturat, ajo mund t’i shtojë kurdoherë elementë të rinj, duke u dhënë tjetër pamje veshjeve që mund të riciklohen pa fund…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al