14 Mars, 2022

Gjendet e vdekur në valixhe modelja që quajti presidentin Putin ‘psikopat’, rrëfimi i të dashurit të saj


Kufoma e modeles ruse Gretta Vedler është gjetur e copëtuar dhe e futur në një valixhe, një vit pas kritikave që ajo bëri për presidentin rus Vladimir Putin.

Gretta Vedler postoi një status në rrjetet sociale ku e quante Putinin një “psikopat” duke shtuar se përpjekjet e tij për të “rritur integritetin e Rusisë ” do të përfundonin në tragjedi. Statusi në fjalë është bërë publik në janar të vitit 2021, dhe një muaj më pas modelja është vrarë, ndërsa trupi i saj është gjetur pak ditë më parë.

Krimi është kryer nga ish i dashuri i saj Dmitry Korovin, i cili e ka mbytur për vdekje 23-vjeçaren. Ai ka rrëfyer se arsyeja e krimit ka qenë një debat që nuk kishte lidhje me pikëpamjet e saj politike dhe analizën që i ka bërë ajo presidentit rus. Ai u tha hetuesve se kishte ndenjur në një dhomë hoteli për tre netë me kufomën e saj, të cilën e më pas e vendosi në një valixhe të sapo blerë.

Më pas ai e çoi trupin e saj në rajonin e Lipetsk dhe e la në bagazhin e një makine për më shumë se një vit. Sipas deklaratës së tij për hetuesit, ai vazhdoi të postonte foto dhe mesazhe në rrjetet sociale të modeles, për t’i bërë miqtë të besonin se ajo ishte ende gjallë.

Kërkimet për trupin e saj nisën pasi një mik ukrainas i viktimës, Evgeniy Foster, nisi të dyshojë dhe kërkoi që në Moskë të hapet një çështje për të si person i zhdukur. Një video nga Komiteti Hetimor i Rusisë tregon Korovin teksa demonstron se si e vrau modelen duke bërë një rrëfim të plotë të ngjarjes.

Postimet e saj për Putinin në janar të vitit 2021, një muaj para se të vritej, nuk shihen si të lidhura me vdekjen e saj, por janë rrëqethëse duke pasur parasysh situatën aktuale në Rusi.

Ajo ishte e shqetësuar për shtypjen e tij ndaj protestave dhe atë që ajo e shihte si një dëshirë për të krijuar një Rusi më të madhe.

“Duke pasur parasysh faktin se Putini kaloi shumë poshtërime në fëmijëri, ai nuk mund të ngrihej për veten për shkak të formës së tij [të lehtë] fizike, nuk është për t’u habitur që ai u largua pas shkollës juridike dhe iu bashkua KGB-së. Njerëz të tillë janë të ndrojtur dhe të frikësuar që në fëmijëri, kanë frikë nga zhurma dhe errësira, të huajt, kështu që tipare të tilla si kujdesi, përmbajtja dhe mungesa e komunikimit zhvillohen herët në karakterin e tyre. Unë vetëm mund të supozoj, për mendimin tim, tek ai shihet një psikopati ose sociopati e qartë.”, shkruante modelaj një vit më parë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al