6 Shkurt, 2018

Gjeti 6 mijë dollarë, ia ktheu pronares. Shqiptari flet nga Australia: Më erdhi shumë keq sepse…


Një shqiptar ka marrë bekime pa fund dhe është bërë lajm me veprimin e tij në Australi. Mediat e huaja shkruajnë se ai ka gjetur çantën me 6 mijë dollarë, të cilën një grua pensioniste e harroi ne tren, në të cilin po udhëtonte edhe shqiptari Adem Gashi.

Gruaja mësohet se kishte tërhequr nga llogaria shumën, e kishte futur në çantë dhe do të shkonte të paguante për varrin e të shoqit të ndjerë. Por ku ka zbritur e ka harruar.

Gashi e ka parë, e ka marre çantën dhe ka vendosur të ndjeke gruan 72-vjeçare për t’ia dorëzuar. Ai gjeti adresën e zonjës dhe ia ktheu, ajo u befasua, pasi nuk mendonte se do t’i gjente më kurrë paratë e saj.

Ai ka treguar: “Në mëngjes, duke udhëtuar me tren kam gjetur një çantë me $ 6250. Pastaj kam kontaktuar me televizionin “Channel 7″ dhe së bashku me ta kemi gjetur adresën e asaj gruas, së cilës i kishte humbur çanta dhe ia kam kthyer çantën me gjithë paratë”.

Ndërsa mëngjesin e sotëm, në një lidhje direkte në “Wake Up”, Gashi rrëfeu se për asnjë moment nuk mendoi të bënte të kundërtën.

“Zonja u ul pranë meje në tren, ndërsa nuk qëndroi aty më shumë se 1 minutë dhe u ngrit sërish. Sapo ajo doli unë pash çantën dhe u mundova të trokisja në dritare dhe t’ia jepja atë, por treni u nis dhe nuk munda. Më pas zbrita pas 3 stacionesh. Kërkova për ndonjë kontakt në çantë, por nuk gjeta gjë, vetëm disa çelësa makine. Ndërsa gjeta dhe një çantë të vogël me para. Për asnjë moment nuk kam menduar që t’i mbaja paratë. Përkundrazi, kur pash çelësat e saj më erdhi shumë keq, pasi kjo gjë më ka ndodhur edhe mua. Pasi dola nga treni, kontaktova një televizion dhe me ndihmën e tyre gjeta zonjën. Nuk njoftova policinë pasi doja t’ia jep vetë paratë zonjës. Ishte një ndjesi mjaft e bukur kur arrita ta gjej dhe t’i dorëzojë çantën”, shprehet Adem Gashi në “Wake Up”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al