8 Maj, 2022

“Gucci” do pranojë së shpejti pagesat me kriptovaluta, ja çfarë duhet të dini rreth projektit pilot të markës luksoze


Marka luksoze Gucci ka njoftuar se do të pranojë që klientët të bëjnë pagesa me kriptovaluta në disa vende të caktuara.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas website-it për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Për projektin pilot, klientët do të jenë në gjendje të paguajnë me kriptomonedhë në New York, Los Angeles, Miami, Atlanta dhe Las Vegas duke filluar nga fundi i majit. Këtë verë, programi do të zgjerohet në rrjetin e plotë të Gucci në Amerikën e Veriut, sipas një njoftimi për shtyp të ndarë me CNN.

Klientët së shpejti do të jenë në gjendje të paguajnë për blerjet e tyre me mbi 10 kriptomonedha, duke përfshirë monedha të njohura gjerësisht si Bitcoin (BTC), Ethereum (ETH) dhe 5 monedha të qëndrueshme të lidhura me USD (GUSD, USDC, USDP, DAI dhe BUSD). Por marka po pranon gjithashtu pagesa nga më shumë kriptovaluta të veçanta, si Dogecoin (DOGE) dhe Shiba Inu (SHIB). Dogecoin filloi si një shaka, por u rrit në vlerë pasi Elon Musk tha se monedha mund të përdoret për të blerë mallra Tesla.

Ky nuk është hapi i parë i markës në botën e kriptomonedhave dhe aseteve dixhitale. Në mars, Gucci debutoi ‘Gucci Vault’, një dyqan dixhital që përfaqëson “prezencën e Gucci në metaverse”, të cilin planifikon ta përdorë për të shitur asete dixhitale së bashku me veshjet e jetës reale.

Marka ka lançuar gjithashtu NFT në bashkëpunim me lojtarët kryesorë në botën NFT, si Bored Ape Yacht Club dhe Cool Cats. NFT-të, ose tokenat jo të këmbyeshëm, janë asete dixhitale unike të lidhura me një sistem mbajtjeje regjistrash në zinxhir, të përdorur nga kriptovalutat. Një NFT e listuar në dyqanin NFT të Gucci në OpenSea është renditur në 420,69 ETH, ekuivalente me mbi 1 milion dollarë.

Marka të tjera luksoze gjithashtu kanë ‘përqafuar’ kriptomonedhat, si Off-White, e themeluar nga i ndjeri Virgil Abloh. Në mars, marka njoftoi se do të pranonte pagesa me kriptomonedha në dyqanet e saj në Londër, Milano dhe Paris, sipas Vogue Business.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al