Teuta është një grua rreth të 50-ave nga Berati, e cila prej vitesh nuk ka një punë në shtet, apo në privat, siç i quajmë rëndom dy llojet kryesore të punëve që mund të ketë një njeri në Shqipëri.
Në ekonomitë e tregut që po përpiqemi të ndërtojmë, ekziston edhe ai që quhet vetëpunësim, të cilin shpesh e mbështesin fuqishëm qeveritë përkatëse. Këtë bën edhe Teuta prej shumë kohësh, punon krejtësisht vetëm.
Ka vendosur të shfrytëzojë aftësitë e kultivuara qysh herët në punimet artizanale. Ajo vetë vendos çfarë të prodhojë, vetë e bën të ashtuquajturin ‘studim tregu’, vetë arrin të kuptojë çfarë vlen për blerësin, vetë kalon orë dhe ditë për të gjetur lëndën e parë dhe vetë i shet produktet e saj zakonisht të shtunave, në një prej disa tavolinave të një tregu të vogël improvizuar në Berat.
Shumë pak turistë qëllon ta marrin vesh se ekziston edhe ky minitreg në Berat, ku mund të blejnë një suvenir nga qyteti bekuar.
Shumë prej tyre do entuziazmoheshin madje, nëse do ta dinin se pothuajse të gjitha produktet e Teutës prodhohen ose me materiale autentike shqiptare si cohat e tezgjahut prej leshi apo pambuku, apo prej materialesh jo domosdoshmërisht shqiptare, por të ricikluara, gjë që ul koston e prodhimit dhe rrjedhimisht çmimin dhe që i bën ‘environmental friendly’, një koncept shumë i dashur për bashkëqytetarë evropianë e të tjerë që, pasi i kanë zgjidhur ca halle më të ngutshme, kanë mundësi të kujdesen edhe për të mos e ndotur më shumë mjedisin.
Kështu, Teuta prodhon çanta me motive shqiptare, një suvenir funksional, rezistent ndaj kohës dhe vepër arti. Vazhdon të përdorë disa dizenjo të thjeshta, të cilat ia përgatit tashmë i biri pas studimeve në Liceun Artistik në Tiranë. Ajo i qëndis më pas me dorë deri tek detajet më të vogla. Çantat e saj kanë shkuar në çdo cep të botës dhe vazhdimisht i vijnë porosi për më shumë.
Kjo çantë në foto po shkon në Gjermani. I kanë kërkuar të qëndisë një grafikë të kryeministrisë. Dhe Teuta, me makinën e saj Butterfly, e ka gati, rastësisht, ditën e shpalljes së qeverisë.
Së fundmi Teuta ka vendosur të eksperimentojë me vathë, të cilët i realizon duke ripërdorur aksesorë të ndryshëm, kombinuar me thurje me grep. Është një punë që kërkon kohë, durim dhe energji e prapëseprapë ajo mundohet të gjejë ekuilibrin më të përshtatshëm kur përcakton çmimin, duke i anuar gjithmonë peshorja nga kënaqësia e klientit.
Të entuziazmuara nga krijimet e saj, disa bashkëqytetare e kanë ndihmuar t’i shesë ato ndër të njohurit e tyre e, siç ndodh gjithmonë me gjërat e bukura, njerëzit kërkojnë më shumë.
Kur del të shesë tek minitregu, shumëkush ndal hapat, i admiron artikujt e ekspozuar, duke thënë “Ua, sa të bukura! Po pse nuk i çon këtu? Pse nuk i çon aty? Ua, po shumë lirë i paske”. Dhe kanë të drejtë.
Sa mirë do ishte sikur Teuta të ishte për shembull në Krujë! Atje turistët e dinë ku të shkojnë e me siguri do ta gjenin e do të blinin më shumë gjëra.
Këtu në Berat, turistët nuk e kanë shumë të lehtë ta gjejnë të shtunave. Është thjesht çështje fati!
Si dikur, me Kombinatin! Ndryshe ishte edhe Berati atëherë, kur lindi kënga “O Berat, ç’e pate fat, bëre goxha Kombinat!”
A thua do arrijë Berati të bëjë ndonjë tip ‘Kombinati’ në formë tregu të përqendruar artizanësh në kohët e sotme?/dritare.net
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al