6 Dhjetor, 2020

“Historia personale që më inspiroi t’i flas dashurisë me gjuhën e dhembjes”- Stefan Marena rrëfen rikthimin në Festivalin e Këngës pas një dekade


Kur Stefan Marena shkeli për herë të parë skenën e Festivalit të Këngës ishte vetëm 16 vjeç, ndërkohë që rikthehet sërish në këtë garë pas një dekade eksplorimi në botën e artit.

Duke kaluar nëpër skenat e “Gjeniu i Vogël”, “Star Academy”, “Top Fest”, “Kënga Magjike”, apo protagonizmin në “Musical”, ai ka shijuar zotërimin e skenës, atje ku këngëtari e konsideron momentin e takimit me Zotin.

E ndërkohë që priten netët finale në qiell të hapur të Festivalit të Këngës që do të çojë fituesin në “Euroviion”, mediat e kanë pagëzuar Stefanin si “Meteorin e Festivalit të 59-të”.

Për vargjet që lindën si thirrje e shpirtit për shpirtin, dhe muzikën në trendin e kohës, garën mes 26 këngëtarëve dhe perfomancën avangarde që ka projektuar, Stefani flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Në Festivalin e Këngës në RTSH rikthehesh pas 11 vitesh. Ç’ka ndodhur me Stefanin në këtë dekadë, aq me tepër kur e mendon se ke qenë vetëm 16 vjeç në herën tënde të parë në atë skenë?

Stefan Marena: Gjatë kësaj dekade kam provuar dhe eksperimentuar hobi të ndryshme në lidhje me artin gjithmonë, por kam kuptuar që kurrë nuk duhet të heqësh dorë nga ëndrrat e tua të fëmijërisë. Ato janë dëshirat e pastra që njeriu me kalimin e kohës i përjeton, ose i vret… E nëse ke guxim të ëndërrosh, gjithçka mund ta realizosh.

Pasioni, dashuria për muzikën dhe artin më bëri të rikthehem i sigurt, pas një periudhe shumë të gjatë në skenën e festivalit më prestigjioz në Shqipëri, siç është Festivali i 59-të në RTSH. Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës ndaj personave që kanë besuar te talenti im dhe kanë qenë një shtysë shumë e madhe në këtë rikthim!

Nga “Retë s’na ndajnë” tani me “Meteor”. Si shpjegohet që ti i ngre sytë nga qielli në fabulat e tua? Mos ndoshta e përjeton të kënduarit si dorëzim tek universi?

Stefan Marena: Koincidenca është shumë e veçantë, sepse të dyja këngët janë të lidhura me qiellin dhe misterin që ai mbart. Kjo ndodh sepse frymëzimet e mia ndodhin gjithmonë duke parë qiellin dhe yjësinë, pasi shërbejnë si portal për të krijuar. 2020- ta ka qenë një vit që të gjithëve na ka bërë të mbajmë sytë nga qielli, disa të lotuar e disa të lumturuar.

Kemi humbur njerëz dhe kemi ringjallur dëshirën për të jetuar! Kënga “Meteor” është një derë që nëse e hap, përjeton dhembjen dhe shpresën, duke e krahasuar me figurën e meteorit, një trup i gurtë dhe i zjarrtë. Autorja Klotilda Harka ka gjetur një pjesë të shpirtit që prek çdo njeri në këtë këngë. Përjetimi emocional është shumë i madh sa herë që unë e këndoj këngën, sepse brenda saj qëndron një kapitull i kaluar i jetës sime…

E nisur nga titulli duket se rastësia është në favorin tënd, pasi për herë të parë festivali do të mbahet në qiell të hapur. Ç’ke menduar për perfomancën skenike në të ftohtin e dhjetorit?

Stefan Marena: Duke shpresuar që elementet e tjera skenike në performancë do të jenë në favorin tim, vlen për t’u theksuar që përgjegjësia këtë vit është shumë herë më e madhe se çdo vit, për të gjithë interpretuesit. Performanca do të jetë kontemporane me koncept avangard, bazuar në ndërthurjen e elementeve mistikë dhe spiritualistë. Koroegrafinë e këngës ia kam besuar balerinit të mirënjohur Graciano Tagani!

Si lindi muzika e kësaj kënge nga Gramoz Kozeli dhe është historia e treguar në këtë tekst ajo që do gjejnë veten të gjithë e do prekë zemrat e publikut?

Stefan Marena: Ky vit ka qenë një vit reflektimi për të gjithë, një vit që na ka përplasur me rëndësinë e jetës. Muzika e këngës “Meteor” lindi nga shpirti, frymëzimi nga gjendja emocionale e njerëzimit në momente të ndryshme të jetës. Nuk është histori dashurie si zakonisht, por është një histori dhembjeje dhe shprese e gërshetuar nën tingujt e muzikës. Një shuplakë për realitetin dhe fenomenet që të pengojnë të ecësh para. “Meteor” do të ngrohë zemrat e ftohta nën qiell të hapur!

Jeni 26 artistë në skenë, është kjo një garë e tensionuar apo më shumë kanë provokuar rreth garës kësaj here ata që janë në rolin e spektakorit?

Stefan Marena: Çdo garë ka momente tensioni, sepse të gjithë duan fitoren. Fitorja ime është të percjell mesazhin dhe emocionin e këngës te publiku, të zgjoj dritën e shpresës te çdo njeri!

Mediat të kanë pagëzuar si “Meteorin e Festivalit të 59-të”. Si kanë reaguar fansat e Eurovizionit me këngën tënde?

Stefan Marena: Ndjesia më e bukur është opionioni i fansave nga gjithë Europa dhe nga bota që ndjekin Eurovizion. Kam marrë mesazhe pa fund dhe suportues pa fund në rrjetet sociale. Kënga është pritur shumë mirë dhe ka patur ”feedback” shumë pozitiv në votimet dhe statistikat në social media, duke u renditur në “Top 5”, sepse rryma muzikore është Pop/retro dance, ndërthurur me elemente elektronike, akustike dhe është favorite dhe aktuale nga çdo moshë.

Është skena e Eurovizionit qëllimi yt si artisti i sprovuar me emocionet pasi je zbuluar nga talent show-t, studion, regji dhe ke interpretuar musical?

Stefan Marena: Lufta ime më e madhe është për të realizur ëndrrën time dhe ëndrra ime e fëmijërisë është që një ditë të jem përfaqssues i Shqipërisë në Eurovision. Të jem zëri i shpresës për çdo njeri!

Bën përshtypje imazhi yt i kuruar në maksimum si një model kopertinash. Ke marrë propozime apo oferta në fushën e modelingut apo promocionit?

Stefan Marena: Faleminderit! Paraqitja është arma e parë e çdo artisti. Kam marrë propozime si aktor në filma me metrazh të shkurtër, duke u bazuar nga eksperiencat si protagonist në “Musical” dhe studimet në Universitetin e Arteve.

Ndërsa për pjesën e modelingut kam qenë i përzgjedhur që në moshën 18-vjeçare në konkurse ndërkombetare. Ato më kanë hapur shumë dyer mundësish, që më vonë të më propozojnë të jem imazh në brande të huaja. Së fundmi kam marrë çmimin “Best New Artist” në natën gala “LUXURY GLOBAL AWARDS”, të 100 personazheve të zgjedhur nga gjithë bota në Azerbaixhan.

Videot ku zhytesh në pishinë me kostum tek shijon një gotë kotkej tërhoqën jo pak vëmendjen e ndjekësve. Deri ku shkon ekzibixionizmi yt?

Stefan Marena: Arti nuk njeh limite, kurse njerëzit kanë limitet e tyre të të perceptuarit në bazë të formimit dhe “background”-it kulturor që kanë. Më pëlqen që në fotot ose projektet e mia artistike të sjell për shikuesit elemente sa më të veçanta dhe kontraste avangardiste. Ndonjëherë nuancat interpretohen si tendenca sarkazmike dhe ironike, gjithmonë brenda kontekstit artistik. Më pëlqejnë detajet …

Inspiruar nga vargjet e “Meteor” çfarë vlere merr dashuria në kohët që jetojmë?

Stefan Marena: Mund të perceptohet ajo si një gotë vere që shijohet ngadalë, apo si një shots që pihet menjëherë? Dashuria e vërtetë nuk përshkruhet me fjalë!

/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al