Këngëtari Bardhi Idrizi, ka reaguar pas komenteve të shumta në rrjetet sociale dhe jo vetëm, lidhur me këngën e tij të fundit që ia ka dedikuar të bijës, e cila pritet të vijë në jetë së shpejti.
Artisti mes rreshtash ka rrëfyer vështirësitë e mëdha që ka kaluar dhe gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej ai dhe partnerja e tij, Sara Gjordeni. Këto rreshta bën bujë kudo, ku shumë e mbështetën e shumë të tjerë jo. Por, siç duket Bardhi është ndjerë “i detyruar” për një sqarim për publikun.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë personale të Instagram-it shkruan se kjo kohë e vështirë për të dhe Sarën, tashmë ka kaluar.
“Duke pare shqetësimin tuaj të vazhdueshëm për situatën time financiare dhe dashamirësinë tuaj, ndihem i obliguar t’iu them se familja ime e ka kaluar prej shumë muajsh situatën e përshkruar në këngën e vajzës”, shkruan ai, ndërsa shton se është krenar për rreshtat që i ka shkruar në këtë këngë vajzës.
Ai ka reguar edhe për komentet që kënga është krijuar për t’u viktimizuar, ku tha se nuk ekziston diçka e tillë, pasi periudha e vështirë për të ka qenë në muajt Prill-Maj dhe jo tani.
“Nëse kjo këngë do ishte përdorur si viktimizim, do e kisha lancuar në muajin prill ose maj kur vështirësitë ishin aktuale”, shkruan Bardhi.
Të njëjtën gjë pohoi edhe Sara, në një intervistë të dhënë ditët e fundit. Në deklaratën e saj, ish-banorja e “Big Brother” u shpreh se gjendja e vështirë kishte ardhur pas anulimit të koncerteve që Bardhi kishte pasur. Megjithatë, Sara u shpreh se në atë kohë kishte punuar ajo, si dhe ishte ndihmuar nga familjarët e saj.
Të shumtë kanë qenë reagimet ndaj Bardhit, duke u shprehur se gjithçka në fakt do të ishte një lojë për vëmendje dhe se artisti edhe në atë periudhë e ka pasur agjendën e ngjeshur me koncerte. Ndaj edhe lidhur me gjithë këto reagime, vetë reperi ka vendosur të reagojë, duke e mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al