24 Maj, 2022

I konsideruar si një nga futbollistët më seksi/ Jack Grealish flet për statusin si sex-simbol dhe planet për martesë


Jack Grealish ka folur për planet e tij për martesë, por pranon se është i kënaqur duke shijuar statusin e tij si një ‘seks simbol’ derisa të vijë ‘dita e lumtur’.

Futbollisti 26 vjeçar ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të futbollit dhe jo vetëm për pamjen djaloshare dhe sharmin e tij, teksa Tatler e ka vendosur atë në listën e ‘lojtarëve më seksi të Anglisë’ gjatë kampionatit europian të vitit të kaluar. Por, mesfushori i ‘Manchester City’, i cili është në lidhje me modelen Sasha Attwood, thotë se dëshiron të jetë thjesht i lumtur.

Ai i tha ‘The Face’: ‘Mamaja dhe babai im janë të martuar, kështu që sigurisht që unë dua të martohem. E di që është e lehtë ta thuash, por qëllimi për mua është vetëm të jem i lumtur. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme në jetë.’

Jack dhe Sasha kanë qenë së bashku për rreth një dekadë, por patën një vit të vështirë në 2021, pasi emri Jack ishte i lidhur me shumë vajza të ndryshme nëpër media – duke përfshirë Emily Atack dhe Amber Gill.  Futbollisti ka mohuar pretendimet duke i konsideruar të pavërteta.

Ndërsa Jack është një futbollist i talentuar, ai gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e fansave për pamjen e tij të bukur. Nëse do bënit një kërkim të thjeshtë në rrjetet sociale do vini re shumë foto në fushë ose jashtë saj, së bashku me fjalët e adhurimit nga fansat e tij.

Në ‘Wembley’ gjatë ‘Euro 2020’ u vunë re pankarta që shkruanin “A do të martohesh me mua, Jack?” ndërsa ai u prit me brohoritje kur u hodh në fushë nga Gareth Southgate.

Në mars të këtij viti, ‘Daily Star’ e përfshiu Jackin në listën e “10 futbollistëve më të bukur ndër vite”. Dhe Jack është më se i lumtur që ka këtë vëmendje për momentin, duke thënë: ‘Më mirë të jesh në listën e top 10 lojtarëve më të bukur sesa në top 10 e më të shëmtuarve’.

Intervista e tij vjen pasi Jack dhe shokët e tij të ‘Manchester City’ festuan triumfin në ‘Premier League’ në fundjavë.

Një pikë e vetme e ndau skuadrën nga Liverpool-i i Jurgen Klopp, që e mbylli sezonin në vend të dytë. Duke folur për ‘Sky Sports’ të dielën pasdite, Jack pranoi se ai qau sepse fitimi i ‘Premier League’ do të thoshte shumë për të. Ai tha: ‘Është e pabesueshme. Pas hyrjes së golit të tretë, unë vrapova në fushë sepse të gjithë po festonim dhe pas kësaj thjesht zbrita direkt në tunel, po qaja.

Kur je fëmijë gjithçka që dëshiron të bësh është të luash në ‘Premier League’ dhe pasi ta bësh këtë gjëja tjetër është ta fitosh atë. Nuk mund ta përshkruaj këtë me fjalë, sinqerisht.

Ne e dimë se sa mirë ishte ‘Aston Villa’, ata e treguan këtë sot, por ne e dimë se me cilësinë tonë mund të mposhtim këdo. E bëmë këtë në 20 minutat e fundit, nuk mund ta përshkruaj me fjalë.

Kjo do të thotë gjithçka – kur nënshkrova këtu njerëzit më thoshin “Çfarë do në të vërtetë – të fitosh Champions League apo Premier League?” dhe për mua ka qenë gjithmonë ‘Premier League’. Nuk e kam fituar kurrë më parë dhe jam shumë i lumtur’.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al