29 Mars, 2017

Inkontinenca te të moshuarit, çfarë është dhe si trajtohet


Të paktë janë ata që e njohin me termin inkontinenca, edhe pse përballen çdo ditë më të. Të moshuarit janë kryesisht ata të cilët kanë vështirësi në mbajtjen e urinës edhe në sforcime të vogla, si për shembull një kollitje e lehtë, apo ngjitje e disa shkallëve.

Sipas mjekut urolog Artan Koni, inkontinenca nuk është “taksirat i moshës”, por është një problem i zgjidhshëm. Në intervistën dhënë për gazetën Koni ndalet te shkaktarët, mënyrat për ta mbajtur nën kontroll, si edhe metodat e trajtimit me anë të kirurgjisë.

87845

Çfarë është inkontinenca dhe cilët pacientë preken më shumë?

Inkontinenca është pamundësia e kontrollimit të të shkuarit në tualet. Pacientët me inkontinencë nuk e mbajnë dot urinën si më parë dhe vihen në pozita të vështira shoqërore. Këta janë pacientë që në fillimet e këtij problemi, mundohen ta shmangin me mënyra të ndryshme, si për shembull, mundohen të mos marrin lëngje para se të dalin në ambiente publike, duke vënë në vështirësi organizmin, sidomos në periudhat e nxehta të vitit. Të gjitha grupmoshat preken nga ky problem.

4

Te fëmijët, inkontinenca ka më shumë lidhje me sëmundje të tjera, të cilat e shfaqin veten në këtë formë. Te të rriturit, dhe sidomos te moshat e treta, inkontinenca është më e veçuar. Femrat në moshë janë grupi më i prekur për sa i përket inkontinencës. Gjithashtu, edhe te meshkujt në moshë është një problem relativisht i shpeshtë. Moshat e treta kanë vështirësi në mbajtjen e urinës edhe në sforcime të vogla, si për shembull, një kollitje e lehtë, apo ngjitje e disa shkallëve. Mbipesha është një tjetër problematikë në këtë grupmoshë, e cila është në rritje vitet e fundit, dhe që e shton gjithashtu inkontinencën.

Nëse do të ndaleshim te shkaktarët e inkontinencës, çfarë do të veçonim?

Te fëmijët, inkontinenca shkaktohet më shumë nga problemet e vezikës urinare, kurse te moshat e treta shkaktohet më shumë nga mosfunksionimi i muskujve që na bëjnë të mbajmë urinën. Le të flasim këtu vetëm për moshat e treta, duke qenë se janë grupi më i prekur nga inkontinenca. Për sa u përket femrave: Lindjet në mënyrë natyrale mund ta dëmtojnë të gjithë strukturën që shërben për të mbajtur urinën. Kështu që te femrat që kanë bërë më shumë se 1 lindje natyrale, rreziku për inkontinencë është më i madh. I gjithë tabani pelvik, siç quhet ndryshe, mund të dëmtohet dhe forca e muskulaturës që duhet për të mbajtur urinën zvogëlohet. Përveç dëmtimit të forcës së muskulaturës, shpeshherë ndodh edhe një zbritje e organeve pelvike më shumë se normalja, siç është zbritja e vezikës ose e qafës së mitrës.

Zbritja e këtyre organeve, përveç inkontinencës, u shton pacientëve edhe një shqetësim tjetër, vështirësinë në urinim. E thënë ndryshe, këta pacientë nuk e mbajnë dot urinën, por në të njëjtën kohë kanë vështirësi në zbrazjen e plotë të vezikës. Operacionet e ndryshme pelvike, sidomos operacionet gjinekologjike, e shtojnë rrezikun për inkontinencë. Ka dhe shumë shkaktarë të tjerë, por janë sëmundje të rënda që ndodhin relativisht më rrallë. Për sa u përket meshkujve: Dihet gjerë- sisht nga opinioni publik se problemet me prostatën shfaqen në formën e vështirë- sisë gjatë urinimit. Por ka shumë raste që inkontinenca haset te pacientët me prostatë. Me zgjidhjen e problemit të prostatës zgjidhet edhe inkontinenca.

Operacioni i hapur i prostatës është kryer prej shumë vitesh në Shqipëri, duke rezultuar në shumë raste me vështirësi në mbajtjen e urinës. Kirurgjia e kancerit të prostatës është një tjetër faktor që mund të çojë në inkontinencë. Duke qenë se kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë te meshkujt, edhe inkontinenca është një problem që haset jo rrallë. Fatmirësisht për pacientët shqiptarë, kanceri i prostatës nuk është trajtuar (në shumicën e rasteve) me kirurgji për shumë vjet në Shqipëri, pacientëve iu është këshilluar radioterapia, një metodë më pak e suksesshme në shërimin e kancerit, por me një përqindje më të vogël inkontinence.

Shkurtimisht mund të them që për shumë vjet, meshkujt shqiptarë kanë qenë me më shumë fat se nënshtetasit e tjerë për sa i përket inkontinencës, por kanë qenë me më pak fat për sa i përket kurimit të kancerit të prostatës. Fatmirësisht, gjërat po ndryshojnë tashmë për sa i përket kurimit të kancerit të prostatës, duke sjellë një rritje të lehtë të inkontinencës postoperatore.

Cilat janë mënyrat e kurimit?

Mënyrat e kurimit të inkontinencës varen nga intensiteti i shqetësimeve. Në rastet e lehta të inkontinencës, ne u japim pacientëve thjesht disa këshilla për të ndryshuar mënyrën e jetesës. Thjesht marrja e lëngjeve me një skemë të caktuar ditore, ndihmon në rastet e lehta. Ka pacientë, për shembull, që konsumojnë lëngje në mënyrë të çrregullt, 1 litër paradite, pastaj nuk konsumojnë deri në darkë.

Ka pacientë të tjerë që vetëm me rënie në peshë, arrijnë të kenë një kontroll më të mirë të urinës. Në raste më problematike përdoren ilaçe të ndryshme që rregullojnë punën e vezikës urinare. Në rastet e rënda të inkontinencës, domethënë në rastet kur kemi dobësim të muskulaturës, zgjidhja e vetme mbetet kirurgjia.

Të mbetemi te trajtimi kirurgjikal…

Kirurgjia e inkontinencës te femrat: Për shumë vite, kirurgjia e inkontinencës te femrat është kryer në rrugë abdominale, domethënë me një operacion të madh me një prerje në bark. Ka disa vjet që po aplikohen metoda kirurgjikale më pak invazive (TOT dhe TVT), ose operacionet në rrugë vaginale, siç quhen ndryshe. Në këto operacione, përveç trajtimit të inkontinencës me mesh (rrjetë), është e mundur edhe trajtimi i zhvendosjes së organeve pelvike, duke i pozicionuar në pozicionin normal anatomik. Laparoskopia gjithashtu është metoda më bashkëkohore që përdoret në raste të vështira të inkontinencës, duke realizuar të njëjtën procedurë, por nga brenda barkut me anë të 3 vrimave të vogla.

Kirurgjia e inkontinencës te meshkujt: Kjo kirurgji është relativisht e re në fushën e mjekësisë, dhe nga kontaktet që kam me pacientët, kuptoj që është pothuaj e padëgjuar më parë nga opinioni publik. Kjo kirurgji bëhet zakonisht te meshkujt, të cilët kanë kaluar një operacion të caktuar pelvik. Ka 2 lloje bazë operacionesh, “male ling” dhe “artificial uretral sphincter”. Janë emra teknikë, por shkurtimisht mund të them që në operacionin e parë vendoset një unazë rreth kanalit të urinës, e cila shtrëngohet në varësi të anatomisë së çdo pacienti, dhe që shërben si barrierë për urinën e pakontrolluar.

Operacioni i dytë që përmenda konsiston në vendosjen e një pajisjeje rreth kanalit të urinës dhe njëkohësisht të një butoni nën lëkurë, buton i cili shtypet dhe hap kanalin e urinës në çastin që pacienti shkon për të urinuar, dhe që shtypet përsëri në çastin që mbaron urinimi, duke bërë që asnjë pikë urine të mos rrjedhë në mënyrë të pavullnetshme. Në të vërtetë, këto janë operacione që jashtë shtetit i realizonim shpesh, sepse sistemi shëndetësor atje e mundëson rimbursimin e aparaturave të nevojshme për këto ndërhyrje.

Gjatë kë- tyre 2 viteve që jam në Shqipëri, nuk kam pasur shumë raste (megjithëse pacientët që kanë nevojë për këto ndërhyrje nuk janë të paktë), sepse sistemi shëndetësor shqiptar nuk i rimburson aparaturat, dhe kostot për pacientët në spitale private janë të larta. Besoj se me ndërgjegjësimin e pacientëve që këto shqetësime nuk janë “taksirate të moshës”, siç e shprehin shpesh ata vetë, Ministria e Shëndetësisë do ketë vullnetin që këto aparatura t’i implementojë në sistemin tonë shëndetësor.

Si mund të ruhen pacientët nga inkontinenca, ose cilat janë masat që gjithkush mund të marrë, në mënyrë që inkontinenca të mos përparojë?

Realisht nuk ka shumë masa mbrojtëse, por do të doja të jepja disa këshilla të përgjithshme: kontroll përkatës gjatë shtatzënisë nga gjinekologu. Lindja me operacion (cezarian) e zvogëlon inkontinencën, por nuk mund t’u rekomandoj femrave të bëjnë lindje me operacion, sepse dihet botërisht që mënyra më e shëndetshme është lindja natyrale. Një kontroll përkatës gjatë shtatzënisë shërben për të evidentuar ato lindje që mund të jenë problematike nëse bëhen në mënyrë natyrale, duke zvogëluar kështu rrezikun e inkontinencës në vitet e ardhshme.

Kujdes nga mbipesha. Një pjesë e mirë e pacientëve me inkontinencë vuajnë nga mbipesha. Është provuar tashmë që thjesht me rënien në peshë, zvogëlohet rreziku i inkontinencës. Gjithashtu, intensiteti i inkontinencës prezente zvogëlohet me rënien e disa kileve të tepërta. Fëmijët me inkontinencë të drejtohen te një uropediatër. Siç e përmenda edhe më lart, inkontinenca shpeshherë është shenja e parë e patologjive të ndryshme urologjike te fëmijët.

Kurimi në kohë siguron një rritje të shëndetshme në këtë moshë delikate. Urinoni ulur, nëse e ndieni që nuk zbrazeni plotësisht. Moszbrazja e mirë e vezikës urinare, rrit intensitetin e inkotinencës. Drejtohuni që në fillimet e inkontinencës tek urologu. Inkontinenca nuk është “taksirat i moshës”, por është një problem i zgjidhshëm. Për më tepër, inkontinenca në përgjithësi ka tendencë të rritet, kështu që sa me parë të drejtoheni tek urologu, aq më lehtë zgjidhet kjo problematikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al