Dua Lipa është shfaqur në kopertinën e radhës së ‘Vogue’ për të cilën duket se është frymëzuar nga vizita e saj në ‘Johnson Space Center’.
Hapësira ofron një metaforë për atë që ajo shpreson të arrijë me muzikën e saj. “Secili ka versionin e vet të spiritualitetit,” thotë ajo. “Ndonjëherë kur flet për të, mund të duket klishe. Por për mua, Zoti është vetëm ajo që ti jep dhe ajo që merr në këmbim. Po përpiqem t’i bashkoj njerëzit me muzikë, duke u përpjekur të sjell dritë. Ka një element kozmik në ndarjen e këngëve që i bëjnë njerëzit të ndihen të kuptuar.”
Bashkimi i njerëzve përmes muzikës dhe kërcit – është pikërisht ajo që Dua po bën në turneun e saj për albumin e dytë “Future Nostalgia”. Shfaqja e saj 90-minutëshe është një festë me temë disko për të rriturit, megjithëse marrin pjesë dhe adoleshentë dhe fëmijë. Lista e këngëve bazohet pothuajse tërësisht te ‘Future Nostalgia’, i cili u publikua në mars 2020. Dhe vonesa dy vjeçare midis albumit dhe turneut duket se vetëm sa e ndez më shumë atmosferën e shfaqjeve të saj.
“Nuk arrita të shoh reagimin e njerëzve ndaj albumit në jetën reale,” thotë ajo. “ Jam shumë e emocionuar kur shoh njerëzit të bashkohen në një.” Performance e Duas në turne tregon se sa larg ka arritur 26-vjeçarja si performuese dhe tregon me krenari aftësitë e saj të përmirësuara në kërcim, duke kaluar nga swing në tango. Edhe kërcimin e saj viral që u kthye në meme vite më parë Dua e ka kthyer në koreografi me një duartrokitje për ata që e urryen.
“Qëllimi im ishte që muzika të jetë mjaft e mirë në mënyrë që njerëzit të flasin për këtë më shumë se çdo gjë tjetër. Por nëse nuk je një yll popi i formuar plotësisht, i cili është trajnuar në kampin e yjeve të pop-it për pesë vite përpara se të dalë në skenë për herë të parë, një hap i gabuar, një lëvizje e gabuar, një kërcim që nuk funksionon do përdoret kundër. Ishte shumë e vështirë për mua.”
Si fëmijë, ajo ishte më e vogla në grupin e moshatarëve të saj, kështu që për të kompensuar, ajo filloi të vishte taka të larta në moshën 13-vjeçare. “Të gjithë miqtë e mi kishin të dashur para meje,” kujton ajo. “Askush nuk më ka dashuruar! Çdo vajzë ishte më e zhvilluar. Dhe unë mendoja nëse do të rritem ndonjëherë.”
Dua, emri i së cilës në shqip do të thotë “dashuri”, shquhet jo vetëm për praninë e saj fizike, por edhe për mënyrën se si ka zgjedhur të përdorë fuqinë e saj e të qenit yll. Pavarësisht dominimit të saj në top lista, Dua nuk është konkurruese nga natyra, gjë që ajo ia atribuon të qënit pjesë e komunitetit kosovar. “Ata më kanë dhënë shumë. Ata besuan në mua përpara se të besonte dikush tjetër. Kështu që unë dua të jem në gjendje të ngre lart njerëzit e tjerë nëse kam mundësi”, thotë ajo. Në fillim të turneut të saj në shkurt, ajo zbuloi Service95, një buletin i fokusuar në zërat krijues dhe aktivistë globalë, si dhe një podcast të quajtur ‘At Your Service’, ku Dua e ka treguar se është një intervistuese e aftë.
Ndonëse Dua ka lindur në Londër, rrënjët e saj janë nga Kosova. Identifikimi i saj i thellë me gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin shënjestër e një fushate të spastrimit etnik në vitet e fundit të shekullit të 20-të, i ka dhënë asaj një perspektivë që rrallë gjendet në botën e të famshmve. “Unë jam gjithmonë në anën e ‘të shtypurve’,” -thotë Dua, një mbështetëse e madhe e refugjatëve, komunitetit LGBTQ etj. Ajo është gjithashtu pro Partisë Laburiste, kundër Brexit-it dhe ‘e hutuar’ nga përhapja e armëve në SHBA.
“Duke qenë nga Britania e Madhe është e vështirë për mua ta kuptoj këtë. Kur jam në makinë me dikë në Amerikë dhe ata p.sh., nervozohen rrugës, unë gjithmonë them: “Mos e bëj”. Ju nuk e keni idenë se kush është personi tjetër dhe nëse ai ka një armë,” thotë ajo.
Shmangia e dhunës është pikërisht ajo që bënë prindërit e Duas, Dukagjini dhe Anesa, në vitin 1992 kur ata u larguan nga Prishtina si pjesë e një eksodi të rreth një milion shqiptarëve nga rajoni gjatë persekutimit etnike të Kosovës nga Sllobodan Millosheviçi. Studimet e tyre përkatëse në stomatologji dhe drejtësi u lanë përgjysmë nga shpërngulja e tyre në Londër, ku gjetën punë në një lokal të quajtur ‘The Globe Tavern’ përballë shtëpisë së tyre. Çifti u martua në mars 1995 dhe Dua lindi më vonë atë vit.
Motra e Duas, Rina dhe vëllai Gjin, të cilin Dua e quan “bebe” erdhën më vonë në jetë. Rina ka thënë për ‘Vogue’: “Dua është binjake e babait. Copy, Paste. Ata kanë etikë të ngjashme pune dhe një dashuri për muzikën—Dukagjini ishte pjesë e grupit rok, Oda, në të 20-at—dhe nëna ime është kaq e orientuar nga familja dhe gjithmonë thotë: ‘Kujdesu për vëllain e motrën tënde’. Prej saj Dua mori protektivitetin.”
Dukagjini mori një diplomë biznesi dhe e ktheu familjen në Kosovë për punë kur Dua ishte 11 vjeç. Brenda natës, Dua u shndërrua nga vajza shqiptare që donte të quhej “Amber” të dukej më angleze, në vajza angleze që fliste shqip me theks. “Dëgjimi i historive të hallave, gjyshes sime dhe miqve për humbjen e baballarëve, vëllezërve të tyre, duke u tërhequr zvarrë nga shtëpitë e tyre në Kosovë – gjërat që u ndodhën atyre më tronditën deri në palcë,” kujton ajo.
E pyetur për shprehjen më të përdorur shqip në shtëpinë e saj Dua ka treguar se është “Çka ka me ngrënë”, duke shtuar se nëna e saj është një kuzhiniere shumë e mirë. Madje, mamaja përgatit shumë ushqime tradicionale shqiptare në shtëpinë e tyre. Nga ana tjetër, ajo ka rrëfyer se këngën e saj të parë e ka shkruar rreth moshës 4 ose 5 vjeçe për nënën e saj në gjuhën shqipe.
“Unë e kam pasur gjithmonë këtë zemërim ndaj patriarkatit,” thotë ajo. “Thjesht nuk më pëlqente kurrë që djemtë të më thoshin se çfarë të bëja.” Kjo reflektohet edhe në “Future Nostalgia”, në këngën “Djemtë do të jenë djem”(Boys will be boys). Dua kujton një lojë nga vitet e saj të shkollës fillore në Londër të quajtur Kiss-Chase. “Djemtë e fillonin dhe i ndiqnin vajzat nëpër këndin e lojërave, duke u përpjekur të na puthnin. Pra, ju jeni duke vrapuar dhe duke qeshur, por kjo është një e qeshur nervoze. Ju nuk e dini vërtet se çfarë po ndodh dhe supozohet se djemtë ju duan. Sikur të ishte një lojë për të fituar miratimin e tyre. E urreja atë.”
Rreth moshës shtatë ose tetë vjeç, Dua bëri një veprim të papritur. “Një ditë thjesht nuk isha në humor për të vrapuar dhe kisha mësuar një taktikë. Nuk e di se si e mora, por kur një djalë mu afrua, unë i thashë, ‘Po, eja këtu.’ Dhe pastaj i shtrëngova shpatullat derisa ra në gjunjë. Ky ishte momenti kur unë fillova t’u kundërvihesha djemve dhe djemtë filluan të kenë frikë nga unë.”
Ndarja e asaj që ajo do me audiencën është një zakon i vjetër që i përket ditëve studentore të Duas, kur ajo u kthye në Londër e vetme, në moshën 15-vjeçare, duke jetuar me një mikeshë të familjes ndërsa ishte regjistruar në Parlamentin Hill, një shkollë e mesme në Camden. Blogu i saj, i quajtur Dua Daily, ishte një ditar i adoleshencës së Gen Z. “Unë do të shkruaja për atë që bëja pas shkollës, çfarë smoothie po bëja ose çfarë bluzeje bleva nga Topshop kur Topshop ekzistonte ende,” kujton ajo. Instagrami tani shërben si Dua Daily 2.0, ku 82 milionë ndjekës ndjekin çdo gjë rreth saj.
Dhe ajo që Dua dëshiron tani është Dua. Beqare dhe e kënaqur që është e tillë, thotë ajo, “Kapitulli tjetër i jetës sime ka të bëjë me të qenit vërtet mirë me të qenit vetëm”.
Marrë nga Vogue
Përshatati: Panorama Plus
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al