12 Prill, 2020

INTERVISTA/ “Kafen e parë do e pi me…”- Brikena Prifti rrëfen ngarkesën emocionale gjatë punës si spikere. Jeta në karantinë dhe në studion e lajmeve


Brikena PriftiKLOTILDA HARKA/ Ritualit të punës tetorëshe të spikeres së edicioneve informative në “Tv Klan”, Brikena Prifti i është shtuar dhe ngarkesa emocionale e lajmeve për Covid-19, prej të cilit nuk mund të ketë imunitet askush, person publik apo jopublik qoftë.

E kuruar deri në detaje, ashtu siç puna në ekran e kërkon edhe në kohë të vështira si këto, Brikena rrëfen për “Panorama Plus” si e ndan kohën mes televizionit dhe karantinës, lidhjet e përditshme në kohë reale me mjekë nga e gjithë bota, dhe kujt e çfarë ka menduar t’u japë rëndësi më shumë në jetë pasi e gjitha kjo situatë të mbarojë:

Karantina e një vajze ekrani që çdo ditë jep lajme për koronavirusin, është më e thjeshtëzuar apo më e vështirë?

Karantina ime është njësoj si për të gjithë ata që kanë qenë në marrëdhënie pune gjatë kësaj kohe. Duke qenë çdo ditë në kontakt me lajmet për këtë virus, ngarkesa emocionale patjetër ka qenë e madhe. Janë ditë që ende s’e dimë se si do të jetë jeta jonë më tej. Nisur nga kjo, lind edhe detyrimi për të respektuar në mënyrë strikte rregullat, kryesisht ato të dezinfektimit pas kthimit nga puna në shtëpi.

E ndien se ke marrë overdozë nga lajmet, aq sa s’të bën asgjë përshtypje?

Jam ende herët për të arritur atë pikë sa të kem marrë overdozë nga lajmet. Unë jam njeri emocional, që përfshihem vetë e para në lajmet që jap për publikun, por jam munduar të respektoj pjesën profesionale dhe ta sjell natyrshëm edhe me anën njerëzore. Aktualisht, edicionet tona janë përqendruar kryesisht në informimin me situatën në vend, në rajon dhe në zonat e nxehta, në raportimin e risive për sa u përket përpjekjeve të shkencës për të gjetur një kurë, apo një kombinim ilaçesh efikas ndaj koronavirusit, apo edhe në pasojat ekonomike që po krijon pandemia. Dhe kur flitet për këto aspekte, informacioni nuk është asnjëherë i tepërt. Ajo çfarë mund të jetë në overdozë, janë teoritë konspirative apo lajmet e pakonfirmuara.

Lajmi më i keq që ke dhënë deri tani në punën tënde si spikere lajmesh, dhe lajmi që s’do doje ta jepje kurrë?

Lajmi më i keq, vdekja e koleges sime. Këtë lajm nuk do të kisha dashur ta jepja kurrë. Por edhe situata e krijuar nga tërmeti, më përballi me lajme që kanë qenë shumë të vështira për t’u përcjellë te publiku.

Ke frikë realisht, sa orë në ditë qëndron në punë dhe sa orë në shpi?

Kjo pandemi ka rrezikun dhe pasigurinë bashkë, përderisa po përballemi me diçka të panjohur e të padukshme. Nuk do të thosha që jam më e frikësuar sesa duhet, por jam e frikësuar me shumë për të afërmit e mi. Në punë qëndroj 8 orë të plota, siç e përmenda edhe më sipër. Pjesën tjetër totalisht në shtëpi.

Jemi kureshtarë të dimë se si vazhdon puna në televizion, dhe ç’praktikohet ndryshe tani në një edicion lajmesh?

Puna në televizion ka ndryshuar në disa aspekte, por jo në mënyrë thelbësore. Stafi është reduktuar, pasi punojmë duke u alternuar me ditë ose me javë. Gazetarët punojnë edhe nga shtëpia. Ajo që po bëjmë ndryshe në këtë periudhë, janë raportimet live në terren të gazetarëve dhe intervistat që po bëjmë direkt nga studio me “Skype”, me përfaqësues e drejtues të institucioneve të ndryshme, me kolegë nga vende të ndryshme të botës e me shumë mjekë të talentuar shqiptarë anembanë botës, që janë bërë pjesë e edicioneve tona, duke na informuar në kohë reale me situatat në vendet ku ata shërbejnë, apo duke na dhënë këshilla mjaft të vlefshme se si të sillemi në këtë situatë për ta përballuar pandeminë. Kjo u ka dhënë tjetër ritëm edicioneve tona.

Po grimin e bëni vetë, apo vazhdojnë grimierët?

Këtu ka pasur disa ndryshime, por sërish të vogla. Edhe pse distancimi ka qenë i detyruar, grimierët vazhdojnë të kujdesen në mënyrën më të mirë, duke përdorur masat e nevojshme mbrojtëse.

Nga jeta që ishe mësuar, çfarë nuk mundesh të bësh tani, cili është zakoni i ri që ke fituar?

Janë një mori gjërash që nuk bëj më njësoj si më parë. Ka ndryshuar gjithçka rrënjësisht. Jeta sociale është kthyer në jetë e rrjeteve sociale. Takimet, bisedat në punë, kafene apo në aktivitete të ndryshme janë kthyer në biseda telefonike e video -call. Megjithatë, jo çdo gjë ka qenë negative në këtë periudhë, pasi mbyllja në shtëpi më ka dhënë më shumë kohë nga sa kisha më parë, për të pushuar, për të lexuar apo edhe për të parë filma.

Frika më e madhe që ke tani në këtë periudhë që konsiderohet “Lufta III Botërore”?

Frika është pasiguria se si do të jetë e nesërmja. Dhe meraku kryesor janë të afërmit e mi.

Kur kjo situatë të mbarojë, si mund ta shijosh jetën më shumë se më parë?

Do përpiqem të bëj ato gjëra që më kanë munguar në këtë periudhë, të cilat, përpara izolimit i konsideronim si gjëra të vogla, ndoshta edhe të parëndësishme. Familja vjen e para në këtë drejtim, ndonëse ajo ka qenë gjithnjë e rëndësishme dhe unë kam qenë gjithnjë shumë e lidhur me të.

Kafen e parë me kë do e pish, dhe një gotë alkool për qejf?

Kafen e parë me miken time të ngushtë, një nga personat më të veçantë që kam në jetën time. Megjithatë, çdo kafe do vij pas takimit dhe përqafimit të prindërve, të cilët gjatë këtij muaji nuk i kam takuar dot. Alkooli nuk është pjesa ime e preferuar./ PANORAMAPLUS.al

Brikena Prifti lajmetBrikena Prifti lajmet1Brikena Prifti lajmet33

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al