Pesë vite më parë, Gerta Matohiti ishte vajza më figurante e “Big Brother 5”, e cila intrigoi shumë rivalët me protagonizmin e saj në lojë. Me stilin gjithë shije të veshjes, tipin e përmbajtur dhe bisedat e këndshme me banorët, ajo u komentua gjatë pas këtij reality-show.
Pas asaj eksperience, ajo vendosi të qëndrojë larg botës së televizionit dhe medias. Gerta tregon se nuk i ka pëlqyer të jetë pjesë e televizionit, ndërkohë që prej dy vitesh i është përkushtuar biznesit me partnerin, ndërsa është në pritje të fëmijës së tyre të parë.
“Prej dy vitesh, unë dhe i fejuari im jemi pronarë të një restoranti peshku, të cilin e menaxhoj unë”, tregon Geri ndër të tjera në lidhje me angazhimet e saj pesë vite pas spektaklit. Së fundi ajo e prezantoi partnerin me një foto çift në rrjetet sociale, krah së cilës shkruante: “My love”.
Për personin në krah, vajza që në “Big Brother” e quanin me përkëdheli Geri, shprehet: ”Ai është i dashuri im, shoku im, partneri i jetës dhe do të jetë babai i fëmijëve të mi”. Sa për njohjen e tyre tregon se kanë qenë vetëm miq më parë, edhe pse kishin një tërheqje në atë kohë. “Pas një viti vendosëm të lidheshim, e tashmë bashkëjetojmë dhe presim të bëhemi prindër”.
Pyetjes nga gazeta “Panorama” nëse e kishin planifikuar sjelljen në jetë të fëmijës, ajo i përgjigjet: ”Po e kishim planifikuar, pra s’ka qenë e rastësishme”. Sa për organizimin e dasmës pasi të bëhen prindër, përgjigjet: “Unë s’jam tipi i dasmave tipike tradicionale shqiptare.
Besoj se do të ketë një ceremoni të vogël, dhe tepër intime, me njerëzit tanë më të afërm, duke qenë se nuk kam aq ëndërr fustanin e bardhë si shumica e femrave. Fundja s’jemi të gjitha njësoj”, tha Gerta ndër të tjera.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al