29 Shkurt, 2020

Ish-partnerja u bë nënë, Arjon Muça flet për aventurën e re me Arjola Shehun


Pak muaj më parë, ish-partnerja në televizion e Arjon Muçës, Brunilda Lahe, u bë nënë për herë të parë, ndërkohë që vendosi të braktiste punën në televizion për t’iu përkushtuar me kohë të plotë familjes. 

Kujtojmë që para se të bëhej nënë, Brunilda Lahe prezantoi për katër vite programin “Living”, fillimisht me partner Xhani Shqerrën dhe më pas Arjon Muçën. Por ndërkohë që Brunilda po shijon mëmësinë, ç’po ndodh me ish-partnerin e saj, Arjon Muçën?

Ish-lojtari i “Big Brother” ka bërë një postin në “Instagram”, ku shfaqet në krah të Arjola Shehut dhe njofton punën e tij të re.

“Një aventurë e re, nga e hëna në të premte”, shkruan Arjoni, duke konfirmuar kështu se ai do të jetë moderatori që do të zëvendësojë Kelvi Kadillin, pas largimit të tij të papritur në mes sezoni nga emisioni i mëngjesit “Ditë e re”.

Që në fillim të emisionit të ditës së djeshme, prezantuesit deklaruan se kishin rezervuar një surprizë për publikun. I ftuar ishte Arjon Muça, i cili do të jetë moderatori i ri i formatit. Kelvi Kadilli shpjegoi dhe arsyen e largimit të tij.

“Do të nis një angazhim të ri, që nuk ka lidhje me televizionin, por me biznesin. Lidhet me pasionin tim të ri, prandaj pas mbledhjeve të shumta me stafin, vendosëm të gjenim një figurë mashkullore që të më zëvendësonte mua”, ka thënë ai.

Kështu, nga fillimi i javës tjetër, Arjola Shehu do të ketë një partner të ri në emision dhe ai është pikërisht Arjoni.

Kujtojmë që dhe para një viti, Arjon Muça zëvendësoi një tjetër moderator në serinë “Living” dhe ai ishte Xhani Shqerra. Për ish-prezantuesen prej katër vitesh të serive “Living”, Brunilda Lahe, me Arjonin ajo bëhej çift në këtë rrugëtim televiziv pas një njohjeje 10- vjeçare.

“Epo erdhi momenti të tregoj këtë episod: Unë jam gazetarja e parë që i kam bërë intervistën e parë Arjonit si model, kur ai sapo ishte kthyer nga Italia, 10 vite më parë. Arjonin e njoh prej asaj kohe, por për shkak të angazhimeve të ndryshme jemi takuar shumë rrallë gjatë këtyre viteve, por në distancë kemi respektuar dhe vlerësuar rrugëtimin profesional të njëri-tjetrit”, rrëfeu Brunilda për “Panorama Plus”.

Ndërkohë, nuk dihet nëse me Arjola Shehun ka pasur ndonjë njohje të vjetër apo bashkëpunimi dhe miqësia e tyre nis pikërisht tani.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al