17 Tetor, 2020

Ish-spikeri 18-vjeçar i lajmeve me dekolte zbuluar, rrëfen rolin e protagonistit në filmin triller: Kreva vrasje nën efektin e kokainës


Ish-spikerit të lajmeve me dekolte zbuluar në “Zjarr Tv”, Aldo Sulollari, i është besuar roli i protagonistit të filmit më të ri triller, të titulluar “Haluç”.

Ish-drejtuesi i programit “360 gradë” është vetëm 18 vjeç dhe luan për herë të parë në një film, pasi bëri bujë për formatin e tij ndryshe, edhe pse ishte ende një gjimnazist.

Së fundmi, pasioni i tij për aktrimin nuk ka mbetur thjesht në kuadrin e kamerave gazmore të programit “Fiks Fare“, por tashmë do ta shohim në skena ekstreme duke marrë kokainë…

Para një viti ishe 17- vjeçari që guxove të dilje me xhaketë zbërthyer në një studio lajmesh. Ç’po ndodh me jetën tënde tani?

Tashmë që jam larguar nga “dekolteja”, kam hapur median e time, por edhe sapo kam përfunduar xhirimet e filmit tim të parë, që titullohet “Haluc”. Traileri i filmit ka përfunduar, dhe tashme ky projekt i zhanrit horror-triller do të transmetohet përveçse në kinematë shqiptare së shpejti, por do të marrë pjesë dhe në festivalet latine.

Në posterin e filmit të shohim duke marrë kokainë. Ç’është ky rol që ke pranuar të luash?

Unë jam Mika, një student ekselent që ndërpreu studimet e tij për shkak të pamundësisë ekonomike. Gjeta mbështetje te miku im i ngushtë dhe i besuar, Luço, i cili është përfshirë në një botë të errët dhe te pistë nën strukturat e “Big bossit”, si shpërndarës droge, nga ku më përfshiu edhe mua. Pranova, pasi ishte mundësia e fundit për mbijetesë.

Dhe ç’ndodh më pas brenda skenarit të këtij filmi, ku të duhej të hyje në lëkurën e një personazhi sa problematik aq edhe dramatik?

Një ditë, bosi i drogës më telefonon dhe kërkon llogari duke thënë se mungonin mijëra euro nga sasia e drogës që më pati dhënë. Nga kjo zbuloj se miku im më i mirë më kishte ngulur thikë pas shpine. E kërcënoj me pistoletë në kokë që të më thotë të vërtetën dhe pasi e mohon e vras nën ndikimin e kokainës. Isha i varur tashmë nga kokaina. Ndërkohë ishte një tmerr më vete tek përjetoja rolin, pasi dëgjoja pëshpërima ende dhe hapa. Ishte shpirti i tij, që donte të hakmerrej ndaj meje, një efekt ky i paranojës që shkakton kokaina.

Si kulmon skenari që e bën kuptimplotë një skenë të frikshme horrori?

Kulmon me sulmin që ai më bën së bashku me djalin e tij, deri në momentin kur trupin e tij e fus në fund të detit. Ai tenton të më marrë me vete. Më tërheq nga këmba,dhe në një moment zgjohem! E gjitha ishte overdoza ime në gjumë nga kokaina. U zgjova duke parë Lucon duke më thirrur. E largova nga shtëpia ime, dhe përpiqem të largohem nga bota e tij e pisët me shprese se mund të filloja një jetë të re, duke shpresuar se mund të shpëtoj prej Big bosit.

Historia mbyllet me këtë film, apo është pjesë e një seriali?

Në fakt në pritje të ngjarjeve të tjera filmi do të vijojë me një pjesë të dytë, që do të transmetohet në festivalet italianë e spanjollë të filmit, përveç se në kinematë shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al