Kushdo që është ankuar se mediat shqiptare janë jodashamirëse me personazhet publike, me siguri nuk kanë lexuar ndonjëherë se çfarë bëhet në mediat italiane. Fqinjët tanë janë me të vërtetë të pamëshirshëm kur bëhet fjalë për të nxjerrë më të keqen e personazhit, duke kërkuar gjilpërën në kashtë.
Ata të akuzojnë, kritikojnë, ironizojnë, madje edhe të tallin. Dikush zgjedh ta bëjë me elegancë e dikush tjetër me një gjuhë inkuizicioni. Dhe nuk ka asnjë rrugë shpëtimi, ky është çmimi që duhet paguar për të qenë një personazh i famshëm, madje disa ngushëllohen duke përdorur shprehjen e famshme të Andreotit, “E importante che si parla” (rëndësi ka të flitet).
Dhe kur vjen fjala për ‘Sanremon’, eventin më të madh të muzikës në Itali, aty ku tradita qëndron fort dhe risitë nuk e gjejnë kollaj rrugën e suksesit, në një televizion publik që mbahet me taksat e qytetarëve, aty pastaj media dhe opinoni publik bëhen bashkë dhe me një lente gjigante kërkojnë të gjejnë defektin më të vogël. Pikërisht në këtë mjedis që të masakron nëse nuk je perfekt, madje edhe kur je, Alketa Vejsiu, prezantuesja e famshme shqiptare, zgjodhi të bëjë daljen e saj të parë publike si prezantuese.
E huaj, e ngarkuar me emocione dhe në një skenë që ka bërë të dridhen gjigantët e artit italian, pa dyshim pritej nga Alketa një paraqitje dinjitoze, por me defektet e veta. Lapsuse, hutime, ngatërresa e plot të tjera si këto, bëjnë prezantues me eksperiencë në atë skenë. Të mbetesh pa tekst është një tjetër problem i madh, kur mijëra njerëz në sallë e miliona nga ekrani, presin zërin tënd. Në këtë atmosferë, Alketa me sa duket e kishte ndarë mendjen, do të kënaqej për vete, do ta shijonte në maksimum dhe do të jepte më të mirën e saj, ashtu siç ajo e mendonte.
Me siguri e kanë këshilluar që të mos flasë shpejt, si një defekt që ia njohin të gjithë, por ajo foli ashtu siç di dhe pëlqen. ‘Mos fol shumë’, mund të ketë qenë mbase një tjetër këshillë, por edhe këtu Alketa nuk dëgjoi njeri dhe me sa lexuam në media, kaloi madje edhe minutazhin e dakordësuar, sidomos në daljen e saj të parë. Dhe kur sipari u ul, shqiptarët akoma zgjuar, filluan komentet, të ndarë në dy kampe: ata që e pëlqyen dhe ata që e kritikuan apo e shanë.
Por ne u bëmë kuriozë të mësojmë se si e kanë parë mediat italiane, ata të pamëshirshmit, debutimin e Alketës. Dhe në fakt, ishte një surprizë e vërtetë. Në përgjithësi, komentet ishin shumë pozitive.
“Il corriere” shkruan se: “Prezantuesja shqiptare e pushtoi Sanremon. Ndërkohë që të gjithë prisnin hutimin dhe lapsuset e një valete, u surprizuan nga lumi i fjalëve të bjondes simpatike, e cila çuditërisht dinte perfekt italisht dhe nuk gaboi asnjë fjalë”.
Mediat italiane kanë investiguar mbi jetën e Vejsiut dhe tregojnë se ajo prezanton në Shqipëri formate të famshme, por është edhe sipërmarrëse. Ajo është e martuar me një ndërtues të pasur, të cilin nuk dëshiron ta bëjë publik, vijon shkrimi.
“Affari italiani” e hap shkrimin me titullin: “Alketa Vejsiu, prezantuesja shqiptare që magjepsi festivalin”. Një kompliment mjaft bujar, të rrallë për një event si ky. Ndërkohë shumë shkrime kanë sjellë edhe opinionin e njerëzve të thjeshtë dhe ato janë mjaft pikante. Një zonjë shkruan e revoltuar se Alketës iu bë padrejtësi.
“Ndërkohë që lanë gruan e Ronaldos në orën 10 të kërcente tango, një personazh që nuk di asgjë nga prezantimi dhe është e famshme vetëm sepse është gruaja e një futbollisti, një prezantuese e zonja si Alketa Vejsiu, e cila sjell mesazhe shumë domethënëse në monologun e saj, lihet në 2 të natës! Ajo është një grua e rrallë”, shprehet komentuesja.
Ndërkohë ka pasur edhe komente, sipas së cilave monologu i Alketës mbi emigracionin dhe sakrificat e shqiptarëve që kanë humbur edhe jetën në rrugëtimin e tyre drejt Otrantos, ishte edhe një mesazh kundër politikës italiane. Siç dihet, ka forca politike, si p.sh. Lega e Salvinit, të cilat janë pozicionuar fort kundër emigracionit në Itali dhe monologun e Alketës disa e kanë kuptuar si një shuplakë ndaj këtij qëndrimi.
Pra, e thënë me pak fjalë, Alketa ia doli të fitojë zemrat e italianëve, të marrë komente pozitive nga mediat dhe mbi të gjitha, të marrë të gjithë famën që i duhej në shtetin fqinj, diçka që ajo e kishte ëndërruar gjithmonë. E meqë festivali bëhet në një televizin publik, pavarësisht se reklamat në Sanremo kapin shifra marramendëse, përsëri publiku ka sensibilitet të madh dhe debati që ka të bëjë me shifrat e larta të paguara për disa personazhe, kanë qenë mjaft të zjarrta.
Shumë mendojnë që Georgina Rodrigues nuk i meritonte 140 mijë euro për një kërcim tango fare banal, pa ndonjë veçanti. Madje, shkojnë deri aty sa revoltohen edhe me të madhin Roberto Benigni, i cili për monologun e tij rreth 40 minuta kërkoi 300 mijë euro, por më pas zbulojnë se ai nuk ishte një material i ri.
Artisi i madh e paska prezantuar në një tjetër skenë, në vitin 2006. Dhe në këtë sherr dhe debat për shifrat, deri tani nuk kemi mësuar akoma, po Alketa sa është paguar për pjesëmarrjen në Sanremo?
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al