Nga Charlie Wood
“Popular Science”
Rreth 60 satelitë spiunë amerikanë sillen rrotull në orbitën e Tokës. Disa prej të cilëve janë të aftë të gjurmojnë mbeturina më të vogla se 1 milimetër. Stacionet e radarëve dhe marrësit e tjerë, ndihmojnë në gjurmimin në çdo moment të 200.000 avionëve.
Pavarësisht cilësive të tilla të matjes në distancë, qeveria amerikane konfirmoi më 25 qershor se pas analizimit të mbi 100 rasteve të objekteve të çuditshme të fluturonin në hapësirë me manovra që janë të pamundura nga objektet fluturuese të ndërtuara deri më sot nga njeriu, nuk arriti t`i identifikojë dot se çfarë ishin në fakt ato.
Studiuesit e hapësirës ajrore, këmbëngulin se vetëm për shkak se nuk arritën të identifikonindot një objekt, kjo nuk do të thotë se objekti i përket ndonjë bote tjetër. Qielli është një vend i madh dhe i larmishëm, plot me zogj, tufa karkalecash, re plot me rrufe, dronë, avionëluftarakë, qese plastike dhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Sistemet e mbikëqyrjes ekzistojnë. Por ato priren të jenë të kushtueshme dhe të përshtatura për të përmbushur nevoja specifike, të mirë-përcaktuara. Ndaj asnjëra prej tyre nuk do të veçojë çdo objekt fluturues. Thënë thjesht, duke pasur parasysh sa të lehta janë sistemet tona të monitorimit të qiellit, është ndoshta i habitshëm fakti që qeveria amerikane ka gjurmuar vetëm 100 e ca UFO.
“Nuk ka një sistem magjik të mbikëqyrjes që mund të vëzhgojë çdo avion”- thotë Endrju Veinert , anëtar i Divizionit të Mbrojtjes së Atdheut dhe i Kontrollit të Trafikut Ajror në Laboratorin MIT Lincoln. Sipas tij, kjo do të thotë se hapësira jonë ajrore është plot me objekte misterioze, por të rëndomta.
Raporti prej 9 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, është shqetësues për paralajmërimet që bart dhe naiv për përfundimet që nxjerr. Ai zgjedh termin më neutral Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara (UAP), në vend të UFO, dhe thotë shprehimisht se autorët e raportit nuk mund të jenë të sigurt nëse shumë prej rasteve përfshijnë edhe objekte fizike.
Nga 144 raporte të shqyrtuara, gati gjysma e fenomeneve janë regjistruar me vetëm një sensor, duke rritur shanset që një lloj anomalie mekanike të shkaktojë anomalinë. Një incident mund të identifikohet si një “tullumbace që po shfryhet”.
Autorët e raportit, shkruajnë se rastet e mbetura mund të klasifikohen në ndonjë prej disa kategorive, përfshirë “vorbullat e ajrit” dhe “sistemet e huaja të kundërshtarëve”. Raporti nuk përmend turistët ndërplanetarë, por as nuk i konfirmon dhe as i përjashton ata.
Nëse presidentët amerikanë mund të përdorin satelitët spiunë për të përgjuar ushtrinë iraniane, atëherë pse qeveria amerikane nuk mund ta ndajë nëse objektet fluturuese të paidentifikuara janë qese plehrash apo alienë? Imazhet satelitore janë kryesisht dy lloje. Satelitët e motit paraqesin imazhin e pjesëve të mëdha të planetit në të njëjtën kohë, por fotografitë e tyre janë të paqarta. Secili nga pikselat mbulon 1 ose ndoshta 2 milje. Satelitët me shikim mjaftueshëm të mprehtë për të pikasur avionët më modestë, kanë një fushëpamje shumë më të ngushtë, dhe duhet të drejtohen saktësisht mbi një objektiv specifik.
Ata janë gjithashtu të paktë në numër. Xhonatan Mekdauell, një gjurmues satelitor dhe studiues në Harvard-Smithsonian Center for Astrophysics, vlerëson se këto anije kozmike kapin vetëm disa për qind të sipërfaqes së Tokës çdo ditë. Shanset nuk janë në favor të qeverisë amerikane që ndonjë nga 143 objektet e paidentifikuara të ketë rastisur të kalojë pikërisht nën njërin prej atyre satelitëve në mënyrë që ta ata ta kapnin në një foto.
Pastaj janë radarët, pajisja e zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Botërore pikërisht për të identifikuar objektet fluturuese, përpara se ata të kenë mundësinë të fillojnë të hedhin bomba.
Sot Administrata Federale e Aviacionit në SHBA e përdor këtë teknologji për të regjistruar fluturimet e avionëve komercialë, një aplikacion që lë shumë pika të errëta për objekte më të vogla.
Stacionet e radarëve kanë tendencën të jenë të vendosura kryesisht në aeroporte, ku atombajnë nën vëzhgim hapësirën ajrore përreth për pengesat që mund të përbëjnë një kërcënim për avionët e pasagjerëve. Edhe kontrolli i trafikut ajror, përmban skeda mbi fluturimet përtej afërsisë së aeroportit.
Por e bën këtë kryesisht përmes një procesi të quajtur “radari dytësor i mbikëqyrjes”, ose SSR. Një avion dërgon tek SSR në mënyrë aktive një sinjal radio nga një transponder që gjendet në bord. Rregulloret federale në SHBA, kërkojnë që avionët me më shumë se një duzinë vendesh të kenë transponderë, duke bërë që ky sistem me rreze më të gjatë të mosgjurmojë dot zogjtë, balonat, madje edhe helikopterët.
Satelitët mbikëqyrës janë shumë të aftë në gjurmimin e raketave të huaja. Por ata e lënë qiellin në thelb të pa vëzhguar kur bëhet fjalë për objekte të vogla. Ndaj autorët e raportit mbi UAP ka të ngjarë të jenë mbështetur kryesisht mbi të dhëna personale, si rrëfimet edëshmitarëve okularë dhe pamje si ato që shfaqeshin në videon dramatike, të kapura nga pilotët e Marinës së SHBA-së.
Por për të arritur në një përfundim të jashtëzakonshëm dhe shumë të pamundur – se disa prej objekteve janë avionë me një manovrim të paparë më herët– kjo do të kërkonte ose prova të jashtëzakonshme, ose përjashtimin e të gjitha mundësive më të zakonshme. / Bota.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al