19 Prill, 2022

“Jeta vazhdon”- Shkrimtarja Rita Petro flet për jetën private pas humbjes së bashkëshortit: Të gjitha dyert janë të hapura


Shkrimtarja dhe poetja Rita Petro ka folur në lidhje me jetën private pas humbjes së bashkëshortit të saj Latif Ajrullai, i cili ndërroi jetë dy vite më parë.

Shkrimtarja foli për ndarjen nga jeta të themeluesit të shtëpisë botuese “Albas”, duke shprehur se tashmë ka mësuar të jetojë me këtë dhimbje dhe boshëllëk që i ka lënë ai.

E pyetur nëse është gati për një dashuri të re Rita Petro tha se në momentin që një person është i lirë, jeta vazhdon, ku sqaroi se këtë lloj marrëdhënie ka ndërtuar me bashkëshortin e saj të ndjerë. Ajo shtoi gjithashtu se “të gjitha dyert janë të hapura kundrejt dashurisë.

“Në fund të fundit ne kemi ardhur vetëm në këtë jetë dhe rrugëtimin e kemi vetëm përveç aksidenteve që mund të ndodhin bashkë. Kemi një rrugëtim vetëm. Mund të ngjitemi në rrugën që rrallë shkohet. Është rruga e ngritjeve shpirtërore, ngjitemi dyshe dhe është një fat i madh njerëzit që takojmë, por unë me thënë të drejtën jeta ime ka qenë gjithmonë e mbushur, siç ka qenë dhe jeta e partnerit tim. Prandaj kemi qenë dy njerëz që kemi ndenjur bashkë se kemi dashur të rrimë bashkë, jo sepse kemi krijuar lidhje varësie.

Dhe unë prandaj nuk e kam ndjerë atë se ne kemi qenë të pavarur dhe nuk kam ndjerë atë pjesën që ndonjëherë ndjejnë gratë dhe burrat që më humbjen e partnerit jeta e tyre merr fund. Sepse është krijuar si lidhje varësie. Në momentin që je një person i lirë atëherë normalisht jeta për ty vazhdon. Normalisht gjithë dyert janë të hapura kundrejt dashurisë sepse ka disa lloje të dashurisë. Ne i dimë shumë mirë që të gjitha llojet e dashurisë janë të mirë se ardhura derisa të kemi jetën, sepse në fund të fundit është një energji që e kemi brenda vetës,”– tha poetja e ftuar në “Euroneës.”

Bashkëshorti i poetes dhe botueses Rita Petro, është ndarë nga jeta në nëntor të vitit 2020, pasi ishte infektuar me koronavirus.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al