Një rast në qeverinë suedeze ka tërhequr vëmendjen. Nuk bëhet fjalë për korrupsion apo një lloj tjetër skandali, por për zbulimin se një anëtare e Qeverisë ka ‘bananafobi’. Fruti duhet të zhduket dhe të mos shihet nga gruaja për të shmangur sulmin e vërtetë të panikut.
Paulina Brandberg, Ministrja për Barazinë Gjinore, ka folur tashmë për problemin e saj me bananet, duke e përshkruar atë si “fobinë më të çuditshme në botë”. Por këtë javë në shtypin e vendit, ku kurioziteti rreth çështjes është i lartë, kanë rrjedhur emaile që tregojnë se stafit të saj i është dashur të marrë masa të veçanta për të siguruar që politikania të mos vijë kurrë në kontakt me frytin.
Korrespondenca, e publikuar nga gazeta Expressen, përfshin një email dërguar zyrës së presidentit suedez në shtator, ku kërkohej që “të mos kishte gjurmë bananeje në dhomë” përpara se ajo të merrte pjesë në një takim me një koleg, për shkak të një “alergjie të fortë”.
Sipas emaileve të tjera, stafi i saj tha se nuk duhet të kishte banane në asnjë nga hapësirat ku ajo hyri gjatë një eventi që po merrte pjesë. “Ne do ta sigurojmë konferencën që të mos ketë banane”, vijon email nga organizatorët.
Siç raporton gazeta britanike The Guardian, edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, duhej të ndërhynte për të siguruar që problemi i Brandberg nuk kishte ndikuar në punën e qeverisë. “Kam të gjithë respektin për njerëzit që kanë fobi të ndryshme. Më shqetëson kur një ministër i palodhur i qeverisë reduktohet në fobinë e tij dhe njerëzit tallen me të. Mendoj se njerëzit duhet të jenë më të mirë se kaq,” tha ai.
Brandberg tha për Expressen se është një problem për të cilin ajo “po merr ndihmë profesionale”. Ministri i Arsimit Johan Pehrson, një koleg liberal, tha se vëmendja e medias në përgjigje të zbulimeve ishte “absurde”. “Ajo është një liberale dhe ish-prokurore e vendosur. Shpesh ka qenë në anën e grave të pambrojtura. Të gjithë duhet të fokusohemi në këtë”, shkruan ai në X.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al