4 Shtator, 2017

Kafja apo çaji, ja cila është më e shëndetshme


 

Një kafe e nxehtë mund t’jua rris nivelet e energjisë në mëngjes, ndërsa një tas çaj mund t’ju relaksojë pas një dite me stres.Hulumtimet e fundit thonë se të dyja kanë efekte të mira shëndetësore dhe nuk ka  shumë rëndësi se cilën konsumoni, shkruan Telegrafi. Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi e ka hequr kafenë nga lista e produkteve të dyshuara si kanceroze, e gjithashtu disa hulumtime të reja kanë treguar se kafja mund ta shmangë rishfaqjen e kancerit të zorrës së trashë. Studime tjera sugjerojnë se kafja mund ta parandalojë edhe  Alzheimerin.

Sa i përket çajit, hulumtimet kanë treguar se konsumuesit e çajit kanë më pak mundësi të vuajnë nga kanceri i lëkurës, gjirit dhe prostatës.Çaji i gjelbër, në veçanti, është i pasur me antioksidantë të cilët e limitojnë dëmtimin e qelizave dhe e përmirësojnë sistemin e imunitetit. Por, a është njëra më e mirë se tjetra?Ekspertët thonë se kjo është paksa e vështirë të vendoset. Kjo për shkak se është e vështirë të ndahen përbërësit e tyre të ndryshëm, rolin e tyre në dietën tuaj dhe efektet që i kanë në sistemin trupor.

Prandaj, sipas ekspertëve, nuk është se njëra është më e mirë se tjetra, apo njëra shkakton më shumë dëme se tjetra. Konsumimi i tyre në sasi të duhura ndihmon që të keni një trup të shëndetshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al