Tetori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Zbulimi i hershëm është i rëndësishëm për rritjen e shanseve për shërim. Vetëkontrollet e rregullta të gjirit, përveç mamografisë apo ekos që rekomandojnë specialistët, ndihmojnë për të parandaluar sa më shumë shtimin e rasteve dhe shpëtimit të jetëve.
Kanceri i gjirit është forma më e zakonshme e kancerit tek gratë në Evropën Perëndimore. Në Shqipëri ky lloj kanceri është i përhapur dhe me tendencë në rritje. Të dhënat e munguara për shkak të pandemisë, kanë mbetur të pandryshuara. Sipas raporteve të fundvitit 2019, kanceri i gjirit në vendin tonë prek afro 600 gra dhe vajza në vit. Sepse ky lloj kanceri prek më shumë gjininë femërore. Ajo që duhet vlerësuar nga këto statistika shëndetësore, është interesimi i lartë për kontrolle, duke sjellë parandalimin e rasteve ekstreme, të cilat kanë shënuar vdekshmëri në ulje. Beteja për jetën ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shtojë hartën e kimioterapisë në spitale rajonale, duke mundësuar kurimin e pacientëve, si dhe mamografitë lëvizëse në të gjithë vendin. Nga të njëjtat të dhëna, të referuara nga Instituti i Shëndetit Publik, në Shqipëri kanceri i gjirit ka një rritje që nga fundi i viteve ’80. Risku është 45 raste të reja për 100 mijë gra në Shqipëri, që me shifra të tjera do të thotë 600-650 raste të reja në vit. Kanceri është shkak për vdekjen 16.5% të shqiptarëve. Në totalin e kancereve, ai i gjirit zë 13-14%, ose thënë ndryshe 1 në 7 vdekje vjen nga ky kancer. Rreth 80% e grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi 45 vjeç. Ministria e Shëndetësisë thotë se ka një plan veprimi kundër tumoreve 2001-2020. Duke u ndalur tek kanceri i gjirit zyrtarët shpjegojnë se harta e shërbimit të kiomoterapisë është shtrirë edhe në spitalet rajonale përveç Tiranës, në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Fier. Por synimi kryesor mbetet parandalimi, përmes kontrolleve periodike mbi moshën 40 vjeç.
Kurimi i kancerit të gjirit në varësi të stadit, përfshin disa protokolle, që nga herceptina, radioterapia, kimioterapia të cilat mbulohen nga shteti. Faktorë rreziku për kancerin e gjirit janë: mosha mbi 50 vjeç; pasja e një kanceri gjiri më parë; histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauzës; ndryshimet gjenetike me genet BRCA1 ose BRCA2; histori familjare me kancer të ovarit; femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më të madhe se 30 vjeç; menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç; menopauzë pas moshës 50 vjeç; përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite; densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogramë); histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike); trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin; mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë; përdorimi i alkoolit; duhanpirja; marrja e kontraceptivëve në mënyrë të pakontrolluar nga mjeku; dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore; mungesa e aktivitetit fizik.
Simptoma që mund të tregojnë kancer të gjirit
- Nyje pa dhimbje ose ngurtësim në gjoks ose sqetull, të cilat më parë nuk ishin të dukshme gjatë prekjes;
- Ndryshimet në ngjyrë, formë ose madhësinë e gjirit / ose thithit, të tilla si skuqje e rëndë ose tërheqje e lëkurës;
- Rrjedhje si ujë, me gjak ose purulent nga thithi;
- Nyje limfatike të prekshme në sqetull;
- Dhimbje ose tension në gjinj që shkakton një ndjesi të ndryshme nga cikli menstrual
Pse njohja e hershme është e rëndësishme?
Zbulimi i hershëm nuk mund të parandalojë kancerin e gjirit. Ai synon të zbulojë kancerin e gjirit në një fazë të hershme, kur ende nuk janë formuar metastaza. Kjo rrit suksesin e trajtimit dhe shanset për të mbijetuar. Mamografia, radiografia e gjirit, është një metodë e konsoliduar që ju lejon të identifikoni edhe tumoret shumë të vegjël, para se të perceptohen me dorë ose të shkaktojnë shqetësime. Mamografia rekomandohet, për shembull, në rast të një rreziku të lartë familjar nga kanceri i gjirit ose para terapisë zëvendësuese të hormoneve gjatë menopauzës.
Përfitimet
Përfitimet përfshijnë njohjen e hershme të kancerit të gjirit. Kjo e bën trajtimin më të lehtë dhe më të butë. Gjinjtë shpesh mund të mbahen dhe kimioterapia nuk është gjithmonë e nevojshme.
Disavantazhet
Ndër disavantazhet janë të ashtuquajturat mbidiagnostikime. Mamografia gjithashtu zbulon kancere që ka të ngjarë të kenë qenë të padëmshme edhe nëse nuk trajtohen. Sidoqoftë, në kohën e diagnozës nuk është e mundur të parashikohet se si do të zhvillohet një tumor i tillë dhe nëse një problem shëndetësor do të ndodhë më vonë. Rrjedhimisht, trajtimi në përgjithësi rekomandohet në këtë rast, edhe pse ndoshta nuk do të kishte qenë i nevojshëm.
BURIMI/ PSIKOLOGJIA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al