Një regjistrim zanor në të cilin John Lennon rrëfente se nuk mendonte se ‘The Beatles’ ishin muzikantë shumë të mirë do të dalë në ankand. Bëhet fjalë për një intervistë të bërë nga studenti i atëhershëm 18-vjeçar i ‘Hull Art College’, John Hill, në vitin 1964 por më pas mbeti e pazbuluar për gati 60 vjet.
Hill, i cili më pas doli në pension pas një karriere si mësues shkolle në Leeds dhe pedagog në ‘Universitetin e Leeds’, e gjeti këtë regjistrim kur ai ishte duke mbledhur disa gjëra në shtëpinë e tij për t’i hedhur. Ai ia shiti pronarit aktual, një koleksionisti të gjërave antike, koleksioni i të cilit është futur në ankandin e nesërm që do zhvillohet në Scarborough.
‘Beatlemania’ ishte rritur shumë asokohe dhe grupi ishte për një javë në një turne në Mbretërinë e Bashkuar kur u shfaqën në Kinemanë ‘ABS’ në Hull. Hill, të cilit i ishte kërkuar për të bërë një raport për revistën e kolegjit të artit, arriti të futej në një dhomë ku anëtarët e grupit po flisnin për shtypin.
Në intervistë, ai pyeti nëse Beatles e konsideronin veten kryesisht si muzikantë apo performues, për të cilën Lennon u përgjigj: “Unë kurrë nuk kam menduar për këtë me të vërtetë. Ne nuk e konsiderojmë veten si muzikantë të mirë, kështu që supozoj se jemi performues që i përkasim botës së argëtimit. Ne nuk argëtojmë shumë sepse thjesht qëndrojmë atje, kështu që mendoj se duhet të jemi muzikantë. Ne jemi gjithsesi në Union.”
Biseda tetë minuta e gjysmë me Lennon nuk është transmetuar kurrë. Duke kujtuar se si shkoi intervista, Hill tha: “Nuk mund të mbaja shënime, kështu që kisha marrë borxh një Fi Cord, një regjistrues të vjetër, nga një mik dhe e mora me vete. Isha personi më i ri në dhomë dhe i vetmi me mikrofon. Kjo tërhoqi vëmendjen e John Lennon. Ai ishte me të vërtetë i interesuar për kasetën… dhe ne përfunduam në një cep duke bërë një intervistë. Lennon ishte miqësor, i trajtoi me respekt pyetjet e intervistuesit të tij të ri, gjë që sigurisht i bën përgjigjet e tij interesante.”
Regjistrimi i bisedës, makina e regjistrimit dhe fotografitë e shkrepura ndërsa ata po flisnin dhe artikujt e revistave studentore do të shiten të gjitha në ‘History Memories Auction’ në Yorkshire.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al