14 Dhjetor, 2019

Kastro: “Asaj”, kënga ku më qan zemra për nënën e ndjerë


kasto-ziso

Nëse fitoj unë, Shqipëria do ketë prezantimin më të çmendur të të gjitha kohërave në Eurovizion.

I këndon dashurisë së parë, gruas për të cilën ka qarë më shumë në jetë, nënës që nuk jeton më.

Klevis Bega jep shpirtin në skenë duke i dhënë zë dhimbjes më të madhe që ka provuar, me këngën “Asaj” në Festivalin e ’58-të Këngës në RTSH. Për dashurinë që po jeton, ç’do të bëjë ndryshe në Eurovizion nëse fiton ai dhe si ndihet pasi iu pëlqye kënga sapo u transmetua në “Youtube”, Klevisi flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Asaj”, një këngë që ka prekur zemrat e të gjithëve. A është nëna jote dashuria e parë, së cilës i këndon në këtë këngë?

Klevis Bega: Pa diskutim që po! Jo e imja, por e çdo njeriu. Dashuria e nënës dhe për nënën kalon çdo përmasë të çdo lloj tjetër dashurie.

I këndon dashurisë me vargjet e Omer Kahjam dhe zërin e Leonard Cohen. Pse të qau zemra kaq shumë këtë herë?

Klevis Bega: Faleminderit për krahasimet se janë përtej vetes sime…! Në fakt, kisha vite që prisja t’i dedikoja një këngë mamasë sime të ndjerë, por jam stopuar gjithmonë nga sistemi sepse kam menduar se do e gjykonin sikur unë do ta përdorja në sens komercial. Zemra më qau sepse çdo njeriu me pak zemër do t’i qante për një humbje aq të madhe.

Kujtojmë që me Festivalin e RTSH-së ke pasur edhe probleme, pasi nuk të është pranuar kënga. Me çfarë synimi ke hyrë në këtë garë, ku pa nisur ende përfliten emrat fitues, siç ndodh çdo vit?

Klevis Bega: Thjesht gjeta një hapësirë për të shprehur atë që kisha, nuk më interesojnë fjalët dhe as fituesit, edhe nëse do të isha unë.

I ke dëgjuar këngët konkurrente dhe cila ta ka rrëmbyer zemrën?

Klevis Bega: Ka disa në fakt, nuk më duket momenti që një konkurrent duhet të japë emra në këtë fazë.

Jep shpirtin në skenë, sidomos këtë herë. Beson se ti mund ta fitosh këtë kompeticion, dhe nëse do të shkosh në Eurovizion çfarë do të bësh ndryshe?

Klevis Bega: Nëse do të shkoj në Eurovizion, Shqipëria do të ketë prezantimin më të çmendur të të gjitha kohërave, kjo në kuptimin e rënies në sy padiskutim! Ai është një kompeticion, që s’do vetëm vokale të mëdha apo ulërima se kush e kush shkon më lart me notat. Mendoj dhe s’po flas për veten, por ka ardhur koha të prezantohemi me njerëz dhe materiale më origjinale.

Një Kastro që quhet Klevis, ku ndryshon i pari nga i dyti në muzikë?

Klevis Bega: Tashmë kanë rënë në qetësi me njëri-tjetrin, janë në simbiozë të plotë.

Nga “Pema e jetës” te “Kënga Magjike”, tek “Asaj” në Festivalin e ’58- të. Në cilën këngë ke jetuar Parajsën, Purgatorin dhe Ferrin?

Klevis Bega: Në të dyja materialet, Dante ka qenë shkrimtar në gjithë Komedinë Hyjnore.

Mes televizionit dhe muzikës, e ndien veten më shumë një moderator perfeksionist detajist, apo artist me shpirt të trazuar?

Klevis Bega: E para jo një herë, jam showman që bëj si e ndiej, mjafton të mos krijoj barqe artistike. Sa për shpirtin, i trazuar si ciklon në mes të verës.

Tërmetin, sa ballë e ndjeve në shpirt, mendje e trup dhe çfarë të shkund më shumë se ai?

Klevis Bega: Më shumë më shkundin gabimet që bëj ndaj njerëzve që dua më shumë, ato më bëjnë më shumë keq se çdo gjë. Pra, praktikisht, vetja ime në momentet e mia më bastarde!

Je i dashuruar aq shumë sa nga euforia të bën të besosh se mund të fitosh Festivalin?

Klevis Bega: E para qëndron, sa për fitoren e kam fituar tashmë festivalin në gjithë shpirtrat e vetmuar në mungesë të njerëzve tyre të dashur.

Kastro dhe politika, çfarë i ndan dhe i bashkon në këtë botë, ku paraja triumfon? 

Klevis Bega: Refuzoj të përgjigjem /Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al