Queen kanë zbuluar se do të publikojnë një këngë të padëgjuar më parë me vokale të regjistruara nga artisti i ndjerë Freddie Mercury.
Anëtarët e grupit e zbuluan këngën në arkivat e tyre dhe ajo daton nga kohët e regjistrimit të ‘The Miracle’ gjatë të cilave ata vendosën rreth 30 këngë për albumin e vitit 1989 – shumë prej të cilave nuk u publikuan kurrë. Freddie vdiq në vitin 1991 për shkak të SIDA-s.
Në një intervistë në ‘BBC Radio 2’, bateristi Roger Taylor shpjegoi: “Ne gjetëm një perlë të vogël nga Freddie, të cilën e kishim harruar disi. Është e mrekullueshme. Në fakt, ishte zbulim i vërtetë. Është nga sesionet e ‘The Miracle’ dhe mendoj se do të dalë në shtator.”
Prezantuesja e emisionit e pyeti: “Kjo është e pabesueshme. Kush e gjeti në të vërtetë?”. Kitaristi Brian May u përgjigj: “Ne e dëgjuam atë shumë herë dhe menduam, ‘Oh jo, ne nuk mund ta shpëtojmë vërtet atë regjistrim. Por në fakt, ekipi ynë i mrekullueshëm inxhinierik tha se ne mund ta bëjmë këtë. Është si një lloj qepje copash së bashku. Është e bukur. Është prekëse.”
Roger shtoi: “Është një pjesë shumë pasionante.”
Pas vdekjes së Freddie, grupi ka vazhduar turneun me vokalistët Paul Rodgers dhe Adam Lambert. Intervista me grupin u zhvillua gjatë mbulimit të BBC të festimeve të Jubileut Platinium të Mbretëreshës Elizabeth, të cilat u zhvilluan gjatë javës së kaluar.
Queen + Adam Lambert ishin ndër artistët që performuan në koncertin e Palace të shtunën në mbrëmje dhe kënga e tyre ‘We Will Rock You’ ishte në sfond gjatë një skene që Mbretëresha filmoi me Paddington Bear.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al