Këngëtari Besnik Qaka është bërë baba për herë të dytë. Anëtari i grupit “NRG Band” dhe bashkëshortja e tij, Lolita, kanë mirëpritur në jetë një djalë.
Lajmin e ka ndarë me të gjithë ndjekësit në rrjete sociale vetë Besniku, i cili publikoi një foto me të birin e porsalindur në krahë.
“Sot, me datë 09/09/21, erdhi në jetë gëzimi im i dytë, Jan Qaka” shkroi artisti krahas imazhit, duke zbuluar kështu edhe emrin që bashkë me partneren kanë zgjedhur për të voglin.
Gjatë një interviste për “ABC e Mëngjesit”, Besniku tha: “Lindja ka ndodhur në mesnatë, diku nga ora 3-4, por e bëra publike pak më vonë se isha i angazhuar me pak emocione. Gjatë lindjes ishin shumë emocione. Jam ndjerë shumë mirë.
Zakonisht gocat janë për baba dhe çunat pak më shumë me nënën. Po unë kam një ndjesi shumë të madhe për të dy. Bashkëshortja është shumë mirë, perfekt. Djali duket me shikimin e parë që do t’i ngjajë mamasë, ndërsa goca më ka ngjarë mua”.
I pyetur nëse kanë në plan për një fëmijë të tretë, Qaka tha: “Nuk e kemi bërë plan.”
Ishte vetë këngëtari që zbuloi para pak muajsh se bashkëshortja e tij ishte në pritje të ëmbël. Ai publikoi edhe një foto në rrjete sociale ku dukej barku i rrumbullakosur i Lolitës.
Besniku dhe Lolita janë edhe prindër të një vajze, Una-s, e cila është tre vjeç. Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre me martesë në vitin 2017.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al