6 Qershor, 2021

Këngëtari rrëfen eksperiencën si BIG që s’preku finalen: Si u gjenda mes një grupi të përkëdhelurish që bënin pazare votash në ‘Kënga Magjike’ dhe një jurie që votoi stonaturat


Zero pikë ai dhe disa këngëtarë me emër nga anëtarët e jurisë së “Kënga Magjike”, të cilët sipas Çlirim Denajt i marrin vendimet bashkë. Por për artistin që u rikthye në skenë pas disa vitesh me duetin “Mos më provoko” me kushërirën Eva Alikaj, të rikthehej në këtë garë ishte një eksperiencë që i la shije aspak magjike.

E pas disa javëve që shigjetat e Markelian Kapidanit, Jonida Maliqit, Enkel Demit, Kozeta Kurtit e Arbën Skendërit ishin drejtuar nga këngëtarët, erdhi momenti që shigjetat të kthehen nga nga vetë ata.

Për “Panorama Plus”, artisti Denaj, nga pozitat e kritikut të diplomuar për Teori muzike dhe Gjuhë-Letërsi dhe me shumë vite eksperincë në festivale, rrëfen gjithçka rreth garës së jetuar nga brenda, por që e la jashtë finales…

Ç’shije të la gara në “Kënga Magjike”, si profesionist mendon se kemi të bëjmë me progres apo regres të këngës shqiptare?

Çlirim Denaj: Kënga shqiptare po shkon në drejtim të gabuar për mendimin tim. Festivali i “Kënga Magjike” përveç reklamimit të fryrë, të pompuar e të stisur, me drita, ngjyra neonesh e falenderime pa fund, e të ndjerit të vetëkënaqur për ata që e organizojnë, unë do ta quaja një fasadë që të merr mendtë. Ndërkohë, harrohet pjesa më e rëndësishme që është kënga, e kënduara, orkestracioni dhe teksti, pa lënë mënjanë këtu dhe lookn e veshjen.

Për ata që do të donin ta përjetonin nga brenda një garë të tillë, ti nga do ta nisje përshkrimin?

Çlirim Denaj: Po e nis me konkurrimin e atyre të rinjve që marrin pjesë për herë të parë në një festial, që u vunë përpara një komisioni gati si ata të inkuzicionit. I pashë duke luajtur dhe shpesh dhe duke reaguar me tallje me disa prej tyre, gjë që ndikon në të ardhmen dhe karrierën e një brezi që do të çojë këngën shqiptare më tutje. Ky komision te këta artistë të ardhshëm shikonte dhe fijen e flokut si për ndërtimin e këngës, të tekstit, intonacionit të këngëtarëve e veshjes.

Lind pyetja, po për fituesit e natës finale, ku ishte ky profesionalizëm i këtyre profesorëve, sidomos e dy muzikantëve? Vendi ynë ka talente pa fund, këngëtarë shumë të mirë, por pjesa më e mirë e tyre nuk marrin pjesë në këtë festival, ku sillen rrotull tij vetëm një pjesë e privilegjuar. Në të gjitha rastet, çmimet dhe vlerësimet po aty shkojnë! Sa për vetë komisionin, nuk jam i bindur shumë a luajtën live në interpretimin që bënë, apo ishin të regjistruar…

Kjo juri për të cilën po flisni, i dha 0 pikë duetit tuaj. Po Eva Alikaj si e përjetoi?

Çlirim Denaj: Më vjen shumë keq për aktoren Eva Alikaj, e cila mori guximin të dilte të këndonte dhe është për t’u lavdëruar nisma e saj. Hyri të provonte dhe si këngëtare dhe me ato mundësi që pati e realizoi këngën mirë. Por ç’bëri ky festival për Evën? Ka ardhur dy herë nga Austria për t’u paraqitur para publikut. Është me pasaportë austriake, qytetare austriake siç edhe erdhën këngëtarë të tjerë të ftuar apo për të konkurruar. Por ngelet enigmë pse të gjithë këta të ftuarit e huaj u sistemuan nëpër hotele me ushqim e fjetje, pse për ta kishin pronetuar dhe taksi dhe me të gjitha privilegjet si miq artistë dhe të gjithë në natë finale për t’u shpërblyer dhe nga ana financiare. Po për Evën pse nuk u mendua kjo gjë?

Në fakt, nuk mund ta konsideroni vetëm të humbur totalisht, pasi reklamimi që u bëhet këngëve është i madh apo jo?

Çlirim Denaj: Ky është një tjetër problem shumë i rëndësishëm, pikërisht fryrja, pompoziteti dhe reklamimi që iu bë disa këngëve tek “Aldo shopping show” ditë për ditë dhe nga dy herë në ditë. Kjo është krejtësisht e pafalshme dhe e patolerueshme, aq më tepër nga regjisori i këtij festivali. Pra, si mund të kuptohet kjo, është miqësi, rryshfet apo ndonjë gjë tjetër…?! Nëse ke marrë përsipër Z. Shopping që të reklamosh këngët, ok, o të gjitha njësoj, o asnjë.

Kjo është A-ja e një konkurrimi, zoti regjisor i festivalit. Nëse ti nuk e di këtë gjë, duhet ta kishin thënë ata që të komandojnë! Producenti, Arditi di shumë mirë ta shesë këtë festival dhe i bën konkurrencë festivalit të RTSH-së, dhe tani po na e quan dhe ndërkombëtar. Për mua është një kopje e Festivalit Europian nga forma, por nga përmbajtja lë shumë për të dëshiruar, sidomos në mënyrën se si votohet për të hyrë në finale.

Produksioni këtë vit ndryshoi edhe formulën e votimit, nisur nga këto pakënaqësi…

Çlirim Denaj: Po, por që të jetë votimi si në Festivalin Europian, nuk votojnë këngëtarët atje, votojnë shtetet me komisione krejtësisht profesionale siç ishte dhe komisioni i Shqipërisë këtu për Eurosongun. Me këtë dua të them që dhe këtu shumë mirë do të ishte votimi nga qytetet kryesore me komisione profesioniste të Shqipërisë dhe të atyre shteteve pjesëmrrëse në festival. Kjo, pasi votimi i këngëtarëve është për të ardhur keq! Se janë një grup të përkëdhelurish të Arditit, që marrin pjesë çdo vit në këtë eveniment dhe ata votojnë për njëri-tjetrin, domethënë bëhen pazare të tipit: “Më jep, të jap…”. Pra, ka plot detaje ky festival për t’u kritikuar. Dhe sa për produksionin, s’ka të drejtë të tallet me pasionin, mundin dhe lekët tona dhe nuk jep asnjë grosh, pasi kënga me kontratë është në administrimin e tij. Kështu, ne s’kemi asnjë të drejtë mbi krijimin tonë, pasi bëhet pronë e tij, pasi kështu funksionon.

Në fund të fundit është një produksion privat, pse nuk u tërhoqe në kohë kur ishte puna kështu?

Çlirim Denaj: Po, dhe unë kam pjesën e fajit te kënga jonë, pasi duhet ta kisha lënë këngën dhe këtë aktivitet përgjysmë. Kjo edhe për faktin se tingëllimi i këngës sonë lë shumë për të dëshiruar, në krahasim me produksonin original. Kënga jonë ka shumë firo në transmetim dhe lind pyetja a është rastësi apo është e qëllimshme…?! I them këto se kishte kritikë për Evën, por duhet parë në tjetër vend kjo punë ashtu siç na e servirën orkestralen në kufje ishte për të vënë kujën, duhet të largoheshim në moment nga ky festival, pavarësisht pjesëmarrjes dhe përzgjedhjes për të marrë pjesë. Këtë e kuptojnë shumë mirë vetëm profesionistët.

Zero pikë nga të gjithë anëtarët e jurisë, si mund të replikoje me ta?

Çlirim Denaj: Po, sepse ata i marrin vendimet bashkë. Anëtarëve të komisionit do t’u thosha e në veçanti dy “muzikantëve”: Le të më thonë çfarë problemi kishte nga ana profesionale e kompozimit dhe e orkestrimit kënga jonë? Po si duket ata as nga kënga në vetvete dhe as nga intonacioni nuk kuptojnë, ose dhe nëse kuptojnë ndoshta pak, nuk mund të jepnin 0 pikë, kur shumë këngëtarë të natës finale stonuan në mënyrë të tmerrshme. Kaluan në finale këngë me intonacione shumë të dëgjuara pa ndonjë zhvillim profesional, siç ishin në përgjithësi këngët e kënduara nga këngëtarët e huaj, prej të cilëve duhet të mësojmë shumë se këtu po këndohet fals në përgjithësi.

Pra ku është objektiviteti, që këta profesorë që na vinë nga jashtë të pompuar, sikur kanë pushtuar botën plot tangërllik? Jam shumë kurioz ta di, pse janë kthyer këta muzikantë të mëdhenj pas kaq vitesh e çfarë aktiviteti kanë pasur në botën perëndimore? Apo janë si një muzikant tjetër që u vu në krye të Orkestrës Sinfonike të RTSH-së, kur për të dolën fjalë se kishte punuar me vite të tëra në stalla lopësh. Por nuk është faji i tyre, faji mbetet jetim.

Pamë të tjerë të pakënaqur në postfestival, si për shembull Era Rusi apo Xhesika Polo që i kërkuan Markelian Kapidanit t’u argumentonte 0-pikëshin…

Çlirim Denaj: Po në postfestival dalin po këta dhe lavdërojnë veten! Në postfestivale merren profesionistë e analistë, jo pjesëmarrës të vetë “Kënga Magjike”. Ndërsa nëse do ndalonim tek elementët e show-t, kisha dy fjalë për prezantuesen dhe këngëtaren, Marsela Çibukaj. Nuk e di nëse ishte mendimi i saj apo i tjetërkujt, po përse u dashka të na bëjë show me këngë italiane, vallë nuk paskemi ne këngë të bukura për show?

Ç’është kjo majmuneri, a do mund ndonjë shtet tjetër të bënte show me këngët tona? Shumë bukur dhe me nivel dhe duhet marrë shembull ishte kënga e organizuar nga Adi Hila, e kënduar bukur nga këngëtarja Çibukaj me shoqërimin e një grupi brilant këngëtarësh që ishin instrumentistë me zërat e tyre, një gjetje shumë e bukur, e cila për mua ishte maja e këtij evenimenti.

Të kanë përmendur me emër edhe në një show humori për këtë pjesëmarrje, çfarë mendove kur e dëgjove emrin tënd?

Çlirim Denaj: Epo flet edhe Bes Kallaku për mua dhe këngën në programin e tij “Kosherja”, një amator i rëndomtë. Gjykon dhe ai për këngën, me humorin e tij banal! Se na ndriti ai aktrimin, na e ngriti në nivelin më të lartë me humorin e tij me budallallëqe. Ai bëhet si femër dhe gjoja i jep këshilla një mashkulli që dhe ai konkurron në “Kënga Magjike” dhe i thotë: “Mos shko dhe ti si Çlirim Denaj që hyn kot e del kot në “Kënga Magjike”! Them se dikush e ka shtyrë që ta thotë këtë në ekran.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al