31 Maj, 2018

Kim Kardashian, 1 orë bisedë me Donald Trump: Takim i mrekullueshëm (FOTO)


Teksa e gjithë bota është në pritje që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, të takohet me liderin koreano-verior, ai surprizon duke u takuar me Kim  Kardashian.

Mediat e huaja shkruajnë se Kim është takuar me Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu bëhet e ditur se arsyeja e këtij takimi është për të diskutuar për një falje të mundshme për një stërgjyshe, e cila po vuan një dënim me burg të përjetshëm.

Ajo është 63-vjeçarja Alice Marie Johnson që është dënuar për një krim të lidhur me drogat, prej dy dekadash tashmë.

Kardashian ka qëndruar përreth një orë në Shtëpinë e Bardhë këtë të mërkure, ku ka takuar dhëndrin e Trump, Jared Kusher. Më pas ajo ka biseduar edhe me presidentin amerikan, ku ky i fundit nëpërmjet një postimi në “Twitter” shkruan se ka patur një takim të mrekullueshëm dhe ka publikuar një foto.

“Takim i mrekullueshëm me Kim Kardashian, bisedë për reformat e burgjeve dhe dënimeve”.

Gjithashtu Kim ka bërë një status në “Twitter” ku thotë: “Dua të falënderoj presidentin Trump për kohën e tij këtë pasdite. Shpresoj që presidenti do të japë mëshirë për znj. Alice Marie Johnson, e cila po vuan një dënim të përjetshëm për një vepër të parakohshme, jo të dhunshme të drogës. Ne jemi optimistë për të ardhmen e zonjës Johnson dhe shpresojmë se ajo – dhe shumë të tjerë si ajo – do të kenë një shans të dytë në jetë”.

Por si u njoh Kim Kardashian me rastin e Alice Marie Johnson?

63-vjeçarja fillimisht tërhoqi vëmendjen e Kim, kur kjo e fundit kishte parë një video të shkurtër për rastin, të postuar në mediat sociale.

Më pas ajo i kishte kërkuar avokatit të saj personal ta shihte çështjen dhe po paguan një ekip të ri ligjor për stërgjyshen. Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar edhe familjarët e Johnson, të cilët janë shprehur se që kur është përfshirë Kardashian West, procesi është përshpjetuar.

Ndërkohë Johnson ishte dënuar me burg të përjetshëm pa mundësi falje në 1996, për një krim jo të dhunshëm, të lidhur me drogën. Ajo akuzohej se ishte një ndërlidhëse, që merrte dhe ndante mesazhet mes shpërndarësve dhe shitësve.

“Daily Mail” shkruan se procesi i faljes është tërësisht në duart e presidentit, por nuk është e qartë për momentin nëse ai do të marrë një vendim apo jo.

Gjithashtu ka reagime të shumta në mediat sociale për këtë rast, ku kritikojnë rolin e pazakontë të Kim-it si një avokate e reformave në sistemin e burgjeve dhe thonë se ka me mijëra raste që meritojnë ekzaminim më të thellë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al