Nga KLOTILDA HARKA
Gazetari i emisionit “Stop”, Klinton Zeqiraj, i veshur si Kryeministri Edi Rama dhe me flokë e mjekër të zbardhur, doli në takim me popullin natën e ndërrimit të viteve në Tiranë.
Disa prej qytetarëve shfrytëzuan rastin t’i qanin hallet e t’i rrëfenin me shaka problemet e tyre Kryeministrit në miniaturë të programit investigativ “Stop”.
Klintoni rrëfen për “Panorama Plus” si e përjetoi fuqinë e pushtetit të improvizuar dhe batutat e vjedhura prej Edi Ramës…
Në “Stop”, natën e ndërrimit të viteve si Edi Rama. Sa kohë t’u desh për të përvetësuar karakterin, stilin dhe batutat e Kryeministrit?
Klinton Zeqiraj: Në fakt, nuk është se m’u desh shumë kohë, pasi Kryeministri ynë është shumë “bujar” në daljet mediatike. Unë sa herë hap televizorin (ose frigoriferin, siç thotë vetë ai), Rama është gjithmonë duke folur e duke prodhuar batuta më shumë se punë konkrete. Në këtë kuptim, batutat dhe grimasat e Kryeministrit i kisha përtypur pa kuptuar, ende pa vendosur ta sillnim në emision. Për sa i takon veshjes, merita është e Joni Peçit. Ndërsa për grimin dhe krijimin e karakterit u përkujdes deri në detaje Jaccopo Tomassini!
Vjen si Kryeministër në miniaturë, që lëvizte nëpër Tiranë në atmosferën festive. Si reagonin njerëzit kur u flisje dhe ti personalisht, si u ndjeve?
Klinton Zeqiraj: Unë u ndjeva shumë mirë nën lëkurën e një Kryeministri atipik si Edi Rama. Tek e fundit, fakti që Rama është personazh i pazakontë të bën ta imitosh. Sa për reagimin e njerëzve, ishte ai që keni parë në televizor. Jemi përpjekur t’i sjellim reagimet siç ndodhën në terren, me ndonjë shkurtim, kur kishte ndonjë tejkalim etike. Shumë qytetarë u dëfryen me versionin e ri të Edi Ramës. Madje, dhjetëra persona kanë kërkuar të bëjnë foto me mua atë ditë.
E kujt ishte ideja për ta pritur Vitin e Ri në “Stop” si Edi Rama?
Klinton Zeqiraj: Ideja për të sjellë Ramën jo të imituar në studio, por në situatë terreni, me njerëz e në ndërveprim ishte e drejtorit të programit, Saimir Kodra, dhe kryeredaktores, Valbona Kurti. Sapo ma thanë, e pëlqeva menjëherë e Saimiri u kujdes të zgjidhte problemet teknike të veshjes e përshtatjes së grimit. Situatat m’i sugjeruan ata dhe më pas u ula duke parë dhjetëra orë video dhe takime të Kryeministrit, për të ngulur në kokë batutat e tij më pikante.
Ke marrë leksione aktrimi dhe sa video të Kryeministrit ke ndjekur për t’u bërë si ai?
Klinton Zeqiraj: Nuk kam marrë leksione aktrimi, por siç ju thashë, kam parë dhjetëra video të Ramës për ta bërë timin personazhin e tij. Sigurisht që ditët para xhirimeve kam mbajtur marrëdhënie të ngushtë edhe me pasqyrën, para së cilës ushtrohesha çdo ditë, si dhe me videoselfie, që të kishta mundësi të shikoja veten nga jashtë.
Çfarë komentesh të kanë ardhur, të kanë vlerësuar për imitimin?
Klinton Zeqiraj: Kur materiali po transmetohej mbrëmjen e 31 dhjetorit, gati m’u bllokua telefoni nga mesazhet dhe telefonatat. Miqtë e të njohurit e mi vërshuan të më uronin, ndërsa miqtë virtualë shfrytëzuan rrjetet sociale që unë përdor, për të më bërë komplimente pafund. Të njejtën gjë më tha dhe Saimiri e kolegët e “Stop”. Impakti ishte përtej çdo imagjinate dhe u ndjeva i lumtur e mirënjohës.
Batutat e Kryeministrit që të pëlqejnë më shumë nga ato që ke përdorur në “Stop”?
Klinton Zeqiraj: “Sa kalamaj ke ti? Menjëherë i ke bërë? – Ulu mor burrë, se më çmende!- shpifje-shpifje-shpifje, shpifje. Por mbi të gjitha, pëlqej “nuk keni parë gjë akoma”, që shpresoj të jetë e vërtetë dhe të vlejë për punën time në “Stop”.
Çfarë komentesh të bënë Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj si aktor profesionist?
Klinton Zeqiraj: Saimiri është shumë mbështetës dhe nuk ka limit në atë që do të arrijë. Më vlerësoi dhe më dha dhe shumë këshilla për Ramën e ardhshëm. Po kështu, Genti e vlerësoi faktin që një joprofesionist si unë solli në mënyrë dinjitoze figurën më të pushtetshme e të komentuar në vend.
Pas Ramës, cilët politikanë meshkuj apo femra ke plan të imitosh tani e tutje?
Klinton Zeqiraj: Cikli i Ramës nuk ka mbaruar. Siç ju thashë: “Nuk keni parë gjë akoma”. Personazhet në radhë janë në proces studimi e sipër. Gjithçka në kohën e vet. Deri atëherë, do të kemi mundësi që bashkë të flasim sërish.
Nën lëkurën e Kryeministrit, si ishte të ishe i pushtetshëm?
Klinton Zeqiraj: Mora mbi vete simpatitë dhe antipatitë e njerëzve ndaj Kryeministrit të tyre. Kësisoj nuk munda të shijoj mirëfilli pushtet, por të kuptoj me çfarë përballesh kur ke pushtet. Ndesha njerëz që gëzonin se shihnin qoftë edhe shëmbëlltyrën e Edi Ramës e të tjerë që gati-gati e urrenin e mendonin që do t’u shkonte dita ters, duke e nisur me fytyrën e Ramës. Unë u argëtova pafund dhe e shijova shumë.
Nëse do të përballeshe me Ramën me atë pamje, çfarë mendon se do të thoshte dhe si do t’ia ktheje?
Klinton Zeqiraj: Le ta lëmë të hapur këtë kërshëri tuajën dhe timen. Nuk dua të bëj parashikime dhe as orakullin. Do të përpiqem të punoj për të sjellë situata të pazakonta dhe jo të konsumuara në ekranet shqiptare. Me shumë punë e pak fat, do të argëtohemi të gjithë. Më uroni edhe ju fat! /Panorama Plus
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al