31 Maj, 2020

“Koncertet i kam të vetmen mënyrë jetese”- Devis Xherahu merr në konsideratë “këshillën” e ministres: Po mendoj të merrem me ndërtim


Këngëtari i njohur, Devis Xherahu, ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e tij muzikore, duke publikuar klipin e parë pas pandemisë me titull “Like”, një bashkëpunim i ofruar nga Lefteris Pantazis dhe një studio e madhe në Greqi. Por cilat janë llogaritë që bën me veten një artist si ai, që ka 28 vite që jeton me fitimet nga koncertet, por që tashmë gjithçka është pezulluar?

Për “Panorama Plus”, Devisi rrëfen ofertën që e bëri të hedhë sytë sërish nga Greqia, karantinën në distancë me partneren, Ertemiona Mejdani, dhe reflektimin e tij pas deklaratës së ministres së Financave, Anila Denaj, se këngëtarët apo artistët e fushave të ndryshme duhet të angazhohen në sektorin e ndërtimit pas krizës së krijuar nga koronavirusi….

Sapo ke publikuar këngën e re në bashkëpunim me një studio të njohur greke. Sa i rëndësishëm është për karrierën tënde ky projekt i parë pas pandemisë?

Devis Xherahu: Po, sapo është publikuar kënga “Like” dhe meqenëse karriera ime ka vite që është e përqendruar midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke parë ecurinë time në muzikë, një studio mjaft e njohur në Greqi, “Siganos Production”, në bashkëpunim me mikun dhe producentin tim atje, Lefteris Pantazis, vendosën të më besonin këngën “Like”, që sapo është publikuar nga kjo studio në “Youtube”. Mund ta quaj bashkëpunim shqiptarogrek, sepse personazhet e këtij klipi janë shqiptarë; pra unë, modelja e klipit Armela, koreografja e 5 vajzave, si dhe videoklipi i realizuar nga “Max Production” e që u pëlqye mjaft nga këta producentë në Greqi.

Pse e titulluat “Like”? Fabula e kësaj kënge flet për jetën reale të zhvendosur në virtualitet?

Devis Xherahu: Fabula do të thosha është mjaft bashkëkohore, sepse njerëzit flirtojnë tashmë me njëri-tjetrin nëpërmjet rrjeteve sociale. Dhe normal edhe te kënga ime “Like”, mashkulli flirton me femrën duke i komentuar në “Facebook”, i dërgon këngë, dedikime etj. Kurse ajo ia lë seen, nuk i përgjigjet, ndonëse thellë-thellë e pëlqen këtë djalë. Kjo është pak a shumë historia.

Mos ndoshta me këtë këngë dëshiron të kthehesh sërish në tregun muzikor grek, ashtu si vite më parë?

Devis Xherahu: Ne artistët jemi si puna e zogjve shtegtarë, jemi gjithmonë në lëvizje për aq kohë sa këngët tona pëlqehen brenda dhe jashtë vendit. Duke mos harruar kurrë se nga e kemi filluar.

Si e kalove periudhën gjatë karantinimit? E shfrytëzove për diçka të bukur në lidhje me muzikën?

Devis Xherahu: Siç e keni ndjekur edhe në rrjetet sociale, gjatë kohës së karantinës jam përpjekur të bëj sa më shpesh video, duke kënduar këngë të ndryshme me kitarë për veten dhe fansat e mi. Gjithashtu, e kam kaluar kohën me fizkulturë në kushte shtëpie dhe ndonjë përpjekje për të gatuar. Shumë çifte të njohura po presin të bëhen prindër pas kësaj periudhës së karantinës.

Po ti dhe partnerja jote, ish-missi Ertemiona Mejdani, e keni diskutuar planin për t’u bërë prindër?

Devis Xherahu: Tani unë mendoj që nuk të bën prind karantina, por ajo që ka planifikuar Zoti dhe ne i besojmë atij.

Si e kaluat këtë kohë në çift, është më bukur kur jeni non stop bashkë apo kur keni edhe periudha distance?

Devis Xherahu: Faktikisht, ne nuk ishim bashkë gjatë karantinës, sepse si unë dhe Ertemiona kishim detyrime te prindërit tanë, (Ertemiona edhe për gjyshen), pasi janë pensionistë. Dhe të them të drejtën, na ka munguar prania e njëri-tjetrit, por gjithmonë fiton ndjenja mbi çdo pandemi.

Në lidhje me profesionin e muzikës, si e ke përjetuar mungesën e koncerteve? I ke llogaritur humbjet?

Devis Xherahu: Tani, normalisht, ne artistët jemi dhe do të vazhdojmë të jemi më të prekurit në këtë pandemi dhe sigurisht më ka munguar publiku, sepse koncertet i kam të vetmen mënyrë jetese që prej 28 vitesh. Por them se do ta kalojmë këtë sprovë me pak durim.

Për më shumë optimizëm, çfarë llogarish ke bërë me veten për të fituar para në një mënyrë apo në një tjetër?

Devis Xherahu: Po ja, siç tha dhe ministrja, po mendoj t’i kthehem ndërtimit për ca kohë. T’i harroj diplomat, 28 vitet në karrierë brenda dhe jashtë Shqipërie e 16 vite shkollë. Dhe them se do marr një profesion të dytë… Gjatë kohës së izolimit të kemi parë të bësh “live” nga “Instagram”-i.

Si ishte një eksperiencë e tillë, duke qenë se je mësuar të kesh kontakt direkt me publikun?

Devis Xherahu: Po siç thashë dhe më lart, bëra mjaft video “live” për veten dhe fansat e mi, që ta kalonim me sa më pak dhimbje të mbyllurit në shtëpi. Dhe mendoj se ishte një zgjidhje shumë e mirë për anën psikologjike.

E çfarë mësimesh për jetën të dha periudha e pandemisë?

Devis Xherahu: Që në këtë jetë jemi kalimtarë, jo çdo gjë është në dorën tonë. Dhe si rrjedhojë, të mendojmë gjithmonë me pozitivitet, sepse asgjë tjetër nuk vlen më tepër se të jetuarit me pozitivitet.

/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al