12 Janar, 2020

Koreografi i talentuar Taulant Shehu çon dasmat shqiptare në skenat e baletit gjerman


“Në fillim më vjen ideja, unë mbyll sytë dhe shoh imazhe, dëgjoj melodi…Gjithçka duket e qartë”, kështu shprehet koreografi dhe balerini shqiptar, Taulant Shehu, 31 vjeç.

“Dhe kur i hap sytë, e gjitha kjo nuk funksionon ashtu siç duhet. Do të ishte më bukur nëse ky imazh në kokë të mund të shndërrohej po kaq lehtë, në lëvizje trupi dhe forma në skenë. Është si të gërmosh për të gjetur flori. Gërmon dhe mbledh, gërmon dhe mbledh”.

koreograf

Në prodhimin e tij më të madh dhe më të suksesshëm deri më sot, Taulant Shehu ka përjetuar një moment të tillë në fund të vjeshtës. Në atë kohë, shfaqja e tij “Dua” (nuk ka të bëjë me Dua Lipën) pati premierën e saj në festivalin e vallëzimit Rhein-Main në Ëiesbaden: një studim mbi atmosferën e një dasme, frymëzuar nga folklori i atdheut të tij. Titulli “Dua” është një folje në shqip, që do të thotë “dua”, “dashuri” dhe “nevojë” në të njëjtën kohë, sqaron gazeta gjermane për lexuesit e saj.

Ndërkaq, vallja është një formë unike e shprehjes së kësaj dashurie. “Festa e madhe (dasma), nuk është thjesht një ngjarje pa melankoni, pa brenga dhe krejtësisht e lumtur.

Ajo ka edhe anë të errëta”, thotë koreografi i ri, të cilin Stephan Thoss e solli në Wiesbaden, në 2010. Ai u bë pjesë e Baletit Shtetëror të Hessenit që nga viti 2014, shtëpi baleti që gjithashtu gjendet në Darmstadt.

“Dasma në vendin tim është shumë e rëndësishme. Nuk janë vetëm dy njerëzit që martohen, protagonistët. Janë familja, fiset që bashkohen, shfaqen struktura të reja sociale, ringjallen konflikte të vjetra. Në Shqipëri, folklori luan një rol të rëndësishëm në festa të mëdha. E gjithë energjia vjen e plotë nga atje, bazuar në përvojën time të jetës”, tregon Taulanti për mediat gjermane. Gjatë vizitës së provës në Mousonturm në Frankfurt, Taulant Shehu dhe gjashtë valltarët e tij janë në proces të rifillimit të përgatitjeve.

Dy shfaqje, njëra në Frankfurt dhe tjetra në Teatrin Shtetëror Darmstadt, janë në program gjatë janarit. Koreografi korrigjon një pozicion krahu këtu, një pozicion supi atje, demonstron vetë lëvizjet, tregon edhe shprehjen.

Gjuha e trupit arrin të komunikojë më mirë kur vallëzohet me emocione. Është një përparësi kur një balerin si Shehu mund të prezantojë në mënyrë ekspresive dhe dinamike vizionin e tij. Para se të hynte në dhomën e provave me ansamblin, ai e ka ushtruar vetë pjesën në studio.

“Unë e zhvilloj shfaqjen në trupin tim. Ndërsa riformatimi i saj, mbartja dhe përshtatja e saj në trupa njerëzish të tjerë, ky është arti i koreografisë”, pohon Shehu.

Taulant Shehu ka ndjekur Shkollën e Baletit në Tiranë nga viti 1999 deri më 2006. Pas përfundimit të shkollimit, ai fillimisht ka bërë balet në Düsseldorf, pastaj në Dortmund. Nga viti 2010 ka kaluar në Wiesbaden dhe që nga viti 2014, në Baletin Shtetëror të Hessenit.

A do të ketë Taulant Shehu një ditë grupin e tij?

“Kush e di! Dëshira për inovacione të vallëzimit gjithsesi ekziston. Mund të fillojë çdo gjë e mirë, thjesht nga zeroja, si një roman që nis mbi një letër të bardhë”, shprehet balerini dhe koreografi. Por ai tashmë e ka mbushur përsëri faqen tjetër: Në Nationaltheater Mannheim, më 15 shkurt do të ketë një premierë për mbrëmjen e vallëzimit “Paradise Next”.

Një nga katër koreografët është edhe Taulant Shehu. Kompozitori Arne Stevens, në këtë sfidë me traditën (te baleti “Dua”) na vë përpara një kompozim, i cili, duke përdorur instrumente tradicionale shqiptare, përqendrohet edhe muzikalisht në origjinën kulturore të kësaj vepre.

Baleti “Dua” u shfaq më 9 dhe 10 janar në Teatrin “Mousonturm” në Frankfurt. Ndërsa më 18 dhe 19 janar, ky balet do të shfaqet edhe në Staatstheater Darmstadt. Taulant Shehu ka mahnitur gjermanët me talentin e tij, ndërsa tani po iu shfaq atyre me anë të artit të tij kulturën dhe folklorin shqiptar.

Ne i urojmë suksese të mëtejshme! /Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al