Mund të kishte qenë viktima e 59 e marrëzisë së Stephen Paddock, por u shpëtua nga “iPhone”-i i saj. Një vajzë, që ndodhej në koncertin “country” të kthyer në shënjestrën e agresorit të Las Vegasit, i ka treguar taksistit që e çoi në shtëpi sesi telefoni kishte devijuar një plumb, që ndoshta mund t’i kishte marrë jetën.
Taksisti i bëri “iPhone”-it një foto dhe e postoi në rrjetet sociale. Pjesa e sipërme e aparatit është shkatërruar nga plumbi, por e zonja, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, nuk ka asnjë gërvishje.
Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet e autoriteteve për të zbardhur motivet e masakrës më të madhe me armë zjarri në historinë e vendit. Kreu i Policisë së Las Vegasit tha se është me rëndësi, që autoritetet të flasin me këdo që e njihte Paddock, ndërsa po përpiqen të identifikojnë ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm.
Sipas sherifit Joe Lombardo, duke marrë parasysh numrin e armëve dhe eksplozivëve që autori i ngjarjes kishte në makinën e tij, vështirë të besohet se Paddock e ka kryer sulmin i vetëm, shkruan “Top Channel”. Hetuesit kanë zbuluar së fundi se, 64-vjeçari kishte rezervuar edhe të tjera dhoma me pamje nga sheshe të koncerteve.
Në vëmendjen e tij mësohet të ketë qenë edhe Illinois e Boston. Një burrë me të njëjtin emër kishte telefonuar për një dhomë në “Blackstone Hotel” të Chicagos, në kohën kur atje zhvillohej festivali i muzikës “Lollapalooza”, por sipas menaxherëve nuk ishte paraqitur kurrë.
Në mesin e frekuentuesve të këtij festivali janë edhe vajzat e ish-presidentit Obama, Malia e Sasha. Në një lëvizje surprizë, Shoqata Kombëtare e Armëve mbështeti një ditë më parë vendosjen e rregullave më të ashpra mbi pajisjet e jashtme, që u krijojnë armëve mundësinë të qëllojnë me të njëjtin ritëm si automatiku, një hap i rrallë ky, edhe pse i vogël, nga grupimi që u kundërvihet prej vitesh kontrolleve të reja mbi armët.
Paddock kishte përdorur një mekanizëm të tillë për të shtuar fuqinë goditëse të pushkës së vet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al