9 Maj, 2022

Ky është truku i thjeshtë i Kate Middleton për tu dukur më elegante


Ajo pa dyshim ka pranë saj këshilltarët më të mirë të bukurisë në botë, por Dukesha e Kembrixhit ka zbuluar një mënyrë natyrale  për të bërë pamjen e saj të duket më rinore – me një ndryshim të thjeshtë të flokëve.

Kate ka marrë gjithnjë vëmendje për pamjen e saj të veçantë, që kur iu bashkua familjes mbretërore një dekadë më parë, por në daljet e fundit, ajo është shfaqur me një stil më të hijshëm me flokët e vendosur në mënyrë elegante pas veshëve. Ndryshimi u pa për herë të parë kur Dukesha realizoi turneun e saj mbretëror në Karaibe. Në atë kohë, u duk si një mënyrë për tu bërë ballë temperaturave të larta megjithatë, ajo është shfaqur sërish me këtë look gjatë prezantimit të çmimit ‘Mbretëresha Elizabeth II’ për ‘Dizajn Britanik’ në ‘Muzeun e Dizajnit’ në Kensington javën e kaluar.

Në një intervistë për ‘FEMAIL’, Lily Jeffreys, stiliste dhe teknike e ngjyrave në ‘Taylor Taylor London’ shpjegoi se Kate duke i mbajtur flokët e saj pas veshëve tregon në mënyrë delikate tiparet e saj të fytyrës. “Të vendosësh flokët pas veshëve ndihmon gjithashtu që mollëzat dhe nofullat e saj të shfaqen, duke nxjerrë në pah lëkurën e saj të shndritshme dhe duke tërhequr vëmendjen te sytë e saj, gjë që vërtet e lartëson fytyrën e saj dhe i jep asaj një shkëlqim rinor”, ​​shpjegoi ajo.

Edhe stilisti Nick Willis ka vënë re gjithashtu se Kate po i mban flokët më të drejta, më të gjata dhe me një ndarje në qendër. Për shembull, kur ajo vizitoi Belizen muajin e kaluar, ajo i mbajti flokët e saj drejt me një ndarje klasike në mes. Nick tha: “Ajo po i vendos flokët pa mundim pas veshit për një pamje të sofistikuar por në dukje të rastësishme. Ky stil i viteve ’70 është shumë në trend për verën, është e lehtë për t’u realizuar dhe duket me klas për çdo rast. Ky është një kontrast nga stili i saj i vjetër: Fillimisht i kishte me volum dhe të çrregullt, ndërsa këto ditë ajo shihet duke mbajtur flokët e saj më të rregullt dhe elegentë.Duke i vendosur flokët pas veshit, Kate po zbulon strukturën e saj të fortë kockore. Ky është një truk i mrekullueshëm për të nxjerrë në pah sytë dhe mollëzat tuaja dhe nga ana tjetër është një këshillë fantastike kundër plakjes.”

Për më tepër, është një stil që nuk kërkon shumë përkushtim për këdo me një orar të ngjeshur si Dukesha. “Është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për t’i bërë flokët e saj të thjeshtë dhe të drejtë të duken më të hijshëm dhe më të sofistikuar,” tha Lily. “Është gjithashtu e lehtë për të që t’i përshtatet dhe t’i mbajë të duken mirë gjatë gjithë ditës pa pasur nevojë që stilisti të jetë vazhdimisht pranë saj.”

Martin Palmer, menaxher i një salloni në Birmingham thotë se ky model flokësh është një trend në rritje. “Dukesha është larguar nga stili i saj i vjetër dhe ka shkuar për një stil më të hijshëm me ndarjen në qendër, kjo me të vërtetë e hap fytyrën e saj pa pasur nevojë të ngrijë flokët. Kjo do të thotë gjithashtu se ajo mund të nxjerrë në pah vathët e saj. Tani po i lejon flokët e saj të tregojnë bukurinë e saj natyrale dhe i jep asaj një pamje të hapur dhe të freskët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al