“Big Brother” do të rikthehet në ekranin e “Top Channel” pas 4 vitesh, e si kurrë më parë, këtë herë banorët do të jenë personazhe të njohur VIP.
Disa ditë më parë televizioni njoftoi se do të nisë së shpejti “Big Brother”, por kësaj here vetëm me personazhe të njohura shqiptare, të cilat do të bashkëjetojnë për 100 ditë në kushte të zakonshme larg luksit.
“Big Brother Vip” do të zhvillojë edicionin e parë në studion “Nova”, krijuar enkas për spektakle të këtij lloji disa vite më parë. “Në udhëtimin e tyre banorët do t’u nënshtrohen kushteve të pazakonta, brenda një shtëpie që askush s’e kishte imagjinuar larg komoditeteve të jetës së përditshme”, shkruhet në njoftimin e organizatorëve.
Deri tani dihet se audicionet do të nisin së shpejti për banorët e brenda shtëpisë, ndërkohë që “lufta” është për fronin e moderatorit. Ndaj, ndjekësit me të drejtë pyesin se kush do ta prezantojë “Big Brother VIP”, që do të nisë sezonin e ardhshëm?
Në fillim u përmend Ledion Liço si moderatori i “reality show”-t, por më pas u fol se një luftë e vërtetë është bërë brenda televizionit mes prezantueses legjendare Arbana Osmani dhe Luana Vjollcës.
Sipas burimeve brenda televizionit, Luana ia ka rrëmbyer këtë program Arbanës, për ta drejtuar ajo sezonin e ardhshëm. Pak ditë më parë Luana dhe trashëgimtarja e televizionit, Lori Hoxha, u takuan dhe postuan një foto ku kishin dalë bashkë si për të thënë se një projekt i ri do të vijë shumë shpejt.
Ndërsa direkt pas këtyre thashethemeve, ishte vetë Luana e cila postoi një foto me tekstin “Luana Vjollca të vëshgon”, duke konfirmuar kështu lajmet se do të jetë ajo prezantuesja, me moton e njohur të këtij “reality show”.
Luana nuk ka prezantuar më parë emisione me të tilla përmasa dhe të shohim si do të ia dalë kësaj here, pas eksperiencës me VIP-at në formatin e saj “Shiko kush Luan”.
Nisur nga shifrat e larta të audiencës me programin e saj, drejtuesit ia kanë besuar asaj programin, me të cilin është identifikuar Arbana, aktualisht moderatore e “Dua të të bëj të lumtur”.
Le të shohim si do të jetë ky “Big Brother Vip” që nuk do të presë kësaj here “banorë të zakonshëm”, por personazhe publike, që ne i shohim shpesh në rrjetet sociale dhe televizion e të cilët do të sfidojnë veten dhe njëri-tjetrin, duke jetuar në izolim për 100 ditë.
Për vite me radhë “Big Brother” ka qenë ekskluzivitet i Arbanës, ndërkohë që shumë sukses pati Ledion Liço me drejtimin e atij formati.
Mund të themi se që prej 2017-ës flitet që do të fillojë “Big Brother Vip”. Në 2018-ën po ashtu u përfolën prezantues si Oriela Nebijaj, Luana Vjollca, Ledion Liço, Dojna Mema etj. Pastaj u anulua e më pas u rikthye në 2019-ën, pastaj e përforcoi edhe Arbana faktin që s’ka gjasa të rikthehet në 2020- ën.
Dhe një vit më vonë, sërish flitet për “Big Brother VIP”. E përveç emrave të rinj dueli më i fortë u komentua ai mes Arbanës dhe Luanës. Ndërkohë që Arbana është në përfundim të ciklit të “Dua të të bëj të lumtur”, Luana nuk ka nisur asnjë përgatitje për “Shiko kush Luan” dhe emisioni “Dating”, që ishte parashikuar, nuk do të bëhet.
Vetë Arbana ka folur më parë për këtë projekt. “Të them të drejtën nuk e di nëse do ta drejtoj unë sërish”. Unë kam dilemat e mia për rikthimin e formatit dhe realizimin e tij me standardet e dikurshme. Ka shumë faktorë që më bindin të drejtoj një program të caktuar.
Me ‘Big Brother’ këta faktorë nuk i kam vlerësuar akoma”, tha në vitin 2019 në një intervistë për Revistën “Who”. Në janar 2020 la ta hapur mundësinë e rikthimit, ndonëse nuk sqaroi nëse donte ta prezantonte, ose nëse do ta prezantonte. Ka disa skeptikë që dyshojnë ende nëse “Big Brother Albania VIP” do të fillojë këtë vit, pas tri vitesh heshtje.
Kujtojmë që vetë televizioni e publikoi spotin e këtij projekti para tri vitesh. Ky spot zbuloi dhe filozofinë apo formulën e show-t, që pas një dekade eksperiencë me protagonistë njerëz të zakonshëm, për herë të parë do të ketë si banorë personazhe të famshme të “showbiz”-it, që bëjnë karrierë në fusha të ndryshme.
Në spotin në fjalë kuptohej ideja e këtij formati nëpërmjet pyetjeve që ngrihen, e secila ka përfaqësuesin VIP që mbart një histori personale.
“Të përndiqesh nga portalet! Të bësh selfie me fansat! Të dobësohesh me palestër! Të parakalosh në tapet të kuq! Të dobësohesh me ndihmën e doktorit! Të marrësh vesh dallaveret e fundit! Të bësh thonjtë! Të zgjedhësh madhësinë e gjoksit!
Të frysh buzët pa rënë në sy!… Të bësh prapë thonjtë! Të gjesh paruken e duhur! Të fshish komentet e ‘hate’-ërsve! Të shpikësh një emër për beben e re! Të xhirosh gomat aty ku nuk lejohet! Të kërkosh falje publike!
Është e vështirë, të jesh një VIP! Ata meritojnë që të çlodhen! E ku është resorti i VIP-ave?! “Big Brother Vip”… Së shpejti vetëm në ‘Top Channel’”, janë frazat e shkëputura nga ky spot i plot tri viteve më parë e që mbeten të njëjtat.
Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë emrat e njohur që do të pranojnë të bashkëjetojnë me miqtë apo rivalët e tyre e për më tepër që do të rrëfejnë jetën personale në publik.
Deri tani në rrjet kanë qarkulluar lajme se pjesë e “Big Brother VIP” do të jenë dy ish-konkurrentet e “Përputhen”, Shqipe Hysenaj dhe Tea Trifoni, por që të dyja e kanë mohuar si lajm.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al