4 Nëntor, 2017

Luftë dhe urrejtje mes çiftit të “Big Brother”, çfarë e detyroi Xhenin të arratiset nga Shqipëria pas ndarjes nga Benardi


Pas disa javësh sherre dhe mosmarrëveshje, duket se çifti më i dashuruar i “Big Brother 9”, Xheni dhe Benardi, i kanë dhënë fund historisë së tyre. 22-vjeçarët që bashkëjetonin në Tiranë dhe ishin pjesë e spektaklit të kërcimit “Dance with me” janë ndarë duke hequr dorë kështu edhe nga gara. Vendimin drastik duket se e ka marrë Xheni, e cila, e lënduar keq fare nga i dashuri, është arratisur nga Shqipëria, ndërsa ka marrë valixhet për t’u bashkuar me familjen në Itali.

Sapo është kthyer në vendin ku dhe është rritur, Xheni ka ndarë me fansat edhe gjendjen në të cilën ndodhet, ndërsa shkruante:“Mos harroni! Do lëndoheni në shpirt aq sa shpirtra keni lënduar, dhe do të mërziteni aq sa keni mërzitur të tjerët”, një mesazh ky që i adresohet Benardit.

Ndërkaq, nisur nga fakti që fansat po bëjnë fajtor Benardin në rrjetet sociale si shkaktarin e ndarjes, ai ka vendosur të reagojë në rrjetet sociale në lidhje me këtë çështje. Nëpërmjet një postimi në Instastory, ai lë të kuptohet se ka qenë pikërisht Xheni fajtorja e këtij fundi, ndërsa shkruante: “Më vjen keq për të gjithë fansat dhe njerëzit që kanë dashur që kjo lidhje të jetë në rregull, por disa gjëra kuptohen edhe pa i thënë. Pjesa që nuk kuptoj është që njeriu bën shumë gjëra nga inati, saqë ajo mola që ka nga brenda nuk e lë rehat, por para se të veprosh duhet të mendosh se të ka rënë të flasësh me të tjerët për mua. Më vjen keq që me fjalë të tepërta e ke rënduar dhe mendon se ke përfituar.

Kur të shohësh veten në pasqyrë, do të thuash: ‘Kuku për mua sa poshtë paskam shkuar, se vë- mendjen e mirë kam kërkuar, por s’munda me e kontrolluar!’”, ka shkruar ai, duke nënkuptuar se nuk është asgjë tjetër veçse një dedikim për ish-të dashurën e tij. Të presim nëse Xheni do të vendosë të bëjë një reagim publik, apo do të kursehet duke i kthyer përgjigje në privatësi. Ndërkohë çifti kanë fshirë çdo gjurmë në rrjetet sociale nga lidhja e tyre pasionante, duke i dhënë kështu fund publikisht historisë.

SI U KTHYE NË URREJTJE DASHURIA E ÇIFTIT NË PAK DITË

Edhe pse javët e fundit ata kishin dilemat e tyre për vazhdimin ose jo të lidhjes, ishte vetë Xheni ajo që i vuri vulën ndarjes me postimin e saj: “Kaq ishte, ka marrë fund çdo gjë”. Pas këtij postimi ajo njoftoi ndjekësit se dy fotot e fundit të postuara tregonin se ajo ishte larguar për në Itali. Ishte i çuditshëm fakti se si në pak ditë, dashuria e fortë mes tyre ishte kthyer në urrejtje. Kjo kuptohet nga komentet dhe replikat me njëri-tjetrin në një foto të Xhenit ku shfaqen dy bluza të stampuara me fotot e tyre në momente intime gjatë “Big Brother”-it, dhuratë nga fansat. “T’lutem fshije dhe këtë”, i shkruante Benardi Xhenit, ndërsa ajo ia kthen me injorim: “A mundesh mos me shkrujt më? Është profili im! E s’e kam mbajtur për ty, po sepse kam respekt për njerëzit që na kanë mbështetur. Shiko punën tënde. Ciao!”. Kaq është dashur që mes fansave të tyre të plasë sherri, ndërsa Benardi nuk denjoi t’i kthente përgjigje tjetër Xhenit.

BENARDI S’ISHTE I PARI NË JETËN E XHENIT, KONFLIKTI QË NDAU ÇIFTIN PAS 6 MUAJSH BASHKËJETESË

Gjashtë muaj pasi nisën bashkëjetesën në Tiranë çifti i “Big Brother 9”, Xheni dhe Benardi, duket se janë përballur me një realitet që futi në krizë marrëdhënien mes tyre. Nisur nga statuset e vetë Xhenit, u fol se kontradiktat që çuan në ndarje të çiftit të 22-vjeçarëve nisën pasi Benardi zbuloi se nuk ishte mashkulli i parë në jetën e Xhenit. Për vajzën nga Lezha, e rritur në Itali, ky argument është konsideruar absurd për një çift modern. Vetë Benardi u shpreh javën e kaluar për gazetën “Panorama” se ishin në një gjendje të tensionuar, pra as bashkë, as të ndarë”.

Ai nuk e mohoi xhelozinë si ndjenjën që po shkatërronte marrëdhënien e tyre, ndërkohë në vetëm pak ditë ata kanë vendosur t’i japin fund bashkëjetesës. Mesa duket ndarja përfundimtare ka detyruar Xhenin ta lërë në mes spektaklin televiziv dhe të niset për në Itali, atje ku jeton familja e saj. Xheni dhe Benardi u bënë çift për lojën e “Big Brother 9”.

Ndërkohë që loja e çifteve ishte shtylla kryesore e “Big Brother 9”, Xheni dhe Bernardi në fillimet e njohjes ishin gjithmonë e më larg konceptit të një çifti. Boksieri 22- vjeçar tentoi të puthte partneren e tij në shtëpi, por ajo e refuzoi duke lënë përshtypjen e një marrëdhënieje të komplikuar. Pas dy javësh flirt ku ata u dukën se po shkonin drejt një lidhjeje, historia ndryshoi komplet kah. Erdhi një moment që Benardi i kërkoi sqarime moshatares së tij, bisedë që i afroi shumë me njëri-tjetrin.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe ata ranë aq keq në dashuri, sa vendosën të bashkëjetonin në mes të qershorit në Tiranë. Xheni ka lindur në qytetin e Lezhës, por jeton në Itali me familjen që nga mosha 3-vjeçare. Ajo ka përfunduar Shkollën e Mesme për Administrim dhe pjesëmarrjen në “Big Brother” e pa si një mundësi që do ta afronte më pranë botës së televizionit, dhe më pranë pasionit të saj, modelingut. Ndërsa Benardi është boksieri me muskuj, që studion në Universitetin e Sporteve. Nuk dihet nëse pas largimit të Xhenit, Benardi do të vazhdojë të kërcejë në “Dance with me” me partnere të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al