“Në botën e të ardhmes njerëzia do të jetë gati të bëjë gjithçka: mjaft që të bjerë në sy dhe të flitet për ta. Nuk do të ketë dallim midis famës së imonologut të madh dhe famës së djaloshit që vret të ëmën me teh sëpate, mes dashnorit të madh dhe kujt do të ketë fituar garën planetare për organin gjenital më të shkurtër. E ç’rëndësi ka do të jenë të famshëm.”- Umberto Eco në një nga esetë e tij të 2002.
Skandaloze! Ky është epiteti i përbashkët që mund të përdorim për të përshkruar mënyrat se si shumë personazhe të ‘famshme’ në Shqipëri po i përdorin rrjetet sociale në kërkim të famës dhe parasë. Rigels Rajku apo i njohur thjesht si Noizy dhe Kleviol Ahmeti, apo i njohur nga thuajse gjithë të rinjtë si Cllevio Serbiano janë prej 24 orësh kryefjalë e mediave sociale dhe detajet për sherrin janë pasqyruar të gjitha tashmë. (Theksojmë se nuk duam të mbështesim dhunën që e dënojmë në çdo lloj forme që shfaqet, por ndoshta për të do duhej një artikull tjetër)
Ç’ka na tërhoqi vëmendje është se në një nga videot e shumta që qarkullojnë online të Cllevios, ai shprehet pas sherrit: “Çfarë na di ti neve kriminelë? Janë muhabete TikTok-u, Instagrami të kapim ndonjë lekë. Ndonjë kapele, ndonjë qen. Tani ti më more mua seriozisht. Tani më rrahe ti mua do vijë të puth dorën. Pse çfarë mendon ti se më rrahe dhe do vij të të gjuaj unë ty tani?”
Prej disa muaj TikTok u mundëson përdoruesve që të fitojnë para në videot live. Personazhe të ndryshme të showbzit shqiptar prej kohësh janë shumë aktivë në këtë rrjet ku përveç reklamave të ndryshme, mund të përfitojnë edhe thjesht përmes postimit të videove apo realizimit të Live-eve Modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” pra në shqip, përkthehet në shuma të mëdha parash. Vlera e dhuratave në këtë rrjet social, varion nga 0 e deri në 500 dollarë, teksa dhurata më e shtrenjtë është “TikTok Universe”. Cilado të jetë shuma që artistët marrin, 40 për qind të saj e fiton vet rrjeti social në fjalë.
Ajo që u duhet shumë njerëzve për të fituara ndjekës, rrjedhimisht para dhe famë është sigurisht kontenti, pasi ndryshe nga artistët, nuk kanë çfarë i ofrojnë ndjekësve. Cllevio në rastin konkret njihet për deklaratat e ofrta dhe ofendimet, sidomos për Noizyn dhe bashkëpunëtorët e tjerë. Një tjetër personazh i njohur, Kozzaku, disa muaj më parë u rrëmbye nga disa persona që e dhunuan verbalisht dhe fizikisht teksa videon e publikuan në rrjetet sociale. Dyshohet se rrëmbimi u iniciua nga i dënuari me burgim të përjestshëm në Greqi, Fabio Dushku, pas një zënke që këta dy personazhe kanë patur në rrjetet sociale ku Kozaku e kishte ofenduar.
Kohët e fundit, ish-konkurretja e “Love Story”, Marinela Hysi, ka bërë bujë në TikTok ku po ashtu përmes videove-live ka ofenduar e përbaltur thuajse çdo figurë të njohur. Pa heitim ajo i quan shumë vajza të showbizit ‘kur*va’ e epitete të shumta joetike. Videot e saj jo vetëm që ndiqen live nga mijëra veta por edhe shpërndahen dhe grumbullojnë shumë shikime, ndonëse reagimi negativ ndaj saj ka qenë i madh. Raste të tilla janë të shumta, në vendin tonë e jo vetëm. Më shumë se emrat konkretë, shqetësues është fenomeni.
@whynotlaugh777 #fyp #viral #tiktok #marinelahysa ♬ My Name Is – D Billions
Në vitin 1968, Andy Warhol parashikoi se në të ardhmen, “të gjithë do të jenë të famshëm në botë për 15 minuta”. Por Warhol nuk mund ta kishte parashikuar që algoritmi i TikTok në 15 sekonda mund të të kthej në një nga njerëzit më të famshëm në botë… sa hap e mbyll sytë.
Pothuajse të gjithë janë të vetëdijshëm për rritjen e ndikuesve të mediave sociale. Më shumë se kurrë më parë, të rinjtë po bëjnë gjëra të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme në Internet për të tërhequr vëmendjen. Të duash të jesh i famshëm nuk është një koncept i ri, por është përkeqësuar për shkak të rrjeteve sociale.
Fama në Internet duket ndryshe tani nga sa ishte më shumë se një dekadë më parë! Qëllimi mund të jetë ende rritja e ndjekësve, por numri i ndjekësve dhe angazhimi tani mund të lidhen drejtpërdrejt me sa para mund të fitoni.
Çdokush mund të zgjedhë ta kthejë llogarinë e tij një “biznes”. Fama e mediave sociale mund të sjellë shumë përfitime, por gjithashtu mund të bëjë potencialisht që të rinjtë të përfshihen në sjellje të dëmshme në mënyrë që të arrijnë famë dhe para.
Me siguri e njihni Aleksën Vishën, shumë i famshëm në TikTok, ku brenda natës më 31 dhjetor fitoi 250 mijë nga një video live përballë një sheiku. Daily Mail’ i dedikoi një shkrim të gjatë ku vendoste në fokus shqiptarët e botës së krimit të dëbuar nga Britania e Madhe e më pas të rikthyer në atë vend. Aleks Visha, është shqiptari për të cilin flitet gjatë. Në shkrim thuhet se Vishaj është ekstraduar në Gjermani për vjedhje, dëbuar në Shqipëri e më pas i rikthyer në Angli.
@north_albania1 @aleksivisha @dor_visha fitoreeeee???? #aleks #visha #aleksvisha #live #vs #arabi #dorvisha ♬ original sound – North ALBANIA??
“Të qenit i famshëm sepse je i famshëm” – është një kategori e ri ku klasifikohen të gjithë ata që arrijnë famën më mënyra të tjera, veç talentit. Shpesh në këtë ketegori janë futur edhe Kardashian-Jenner.
Mediat sociale kanë një ndikim të fortë në shoqëri, si negativisht ashtu edhe pozitivisht. Por, kur fëmijët po ndikohen nga të famshëm si Kozaku, Cllevio dhe Marinela me shokë; ne si shoqëri e kemi humbur vendin në atë që do të thotë të jesh një ndikim pozitiv.
Marrëdhënia midis modeleve që serviren në mediat konvencionale fillimisht dhe tanimë në ato jotradicionale dhe audiencës së saj ka qenë një temë debati midis studiuesve të komunikimit për më shumë se 40 vjet. Kur kanale të ndryshme mediatike si stacionet radiofonike dhe kanalet televizive u futën në shoqërinë amerikane, shumë prindër ishin të shqetësuar për ndikimin që ky fenomen i ri mund të kishte në jetën e fëmijëve të tyre. Ata ishin veçanërisht të shqetësuar se dhuna që fillimisht ishte e kufizuar në kinematë po vinte në dhomat e tyre të jetesës.
Ky shqetësim u bë çështje kombëtare; duke e detyruar qeverinë amerikane të porosisë një program masiv kërkimesh për të studiuar marrëdhëniet midis mediave dhe dhunës në rritje në Amerikë në vitet 1960 Lowery dhe DeFeur, 1995. Gjetjet e studiuesve ishin unanime se kjo dhunë televizive mund të kishte një efekt negativ te fëmijët. Është argumentuar nga studiues të komunikimit masiv se audienca rinore mëson sjellje të këqija si agresiviteti duke vëzhguar të tjerët që e bëjnë atë në kanale të ndryshme mediatike.
Sigurisht që ka faktorë dhe rreziqe të reja për t’u marrë parasysh, por ne nuk duam t’i dekurajojmë të rinjtë nga aspiratat dhe ambiciet e tyre, thjesht duhet të gjejnë mënyra të sigurta dhe produktive. Nëse një i ri dëshiron të rrisë ndjekësit e tij dhe të jetë një ’emër i njohur’, duhet të gjejnë vendin e tyre, qoftë në lojëra, apo edhe muzikë, art, te bota e kafshëve apo ndonjë gjë për të cilën interesohen. Ka të ngjarë të kenë pak më shumë sukses dhe ndjehen të përmbushur nëse përmbajtja e tyre ka të bëjë me diçka për të cilën ata janë të mirë ose të interesuar. Fama mund të duket më e lehtë për t’u arritur se 10 ose 20 vjet më parë, me ndihmën e rrjeteve sociale, por joshja dhe emocioni i saj duket se nuk janë zvogëluar aspak. Tani ka shumë shembuj të njerëzve që e bëjnë mirë dhe modele për t’u parë, dhe ka gjithashtu histori shqetësuese dhe që ndikojnë negativisht te të rinjtë si rasti i fundit.
“Kanë kaluar dekada që nga koha kur dikush ndiente t’i shkatërrohej jeta sepse e kishin filmuar me pranga. Shkurt fjala parimi është: Kur shfaqet Shën Mëria përse jo dhe unë? Duke shpërfillur faktin që nuk je virgjëreshë”- Umberto Eco.
Copyright Panoramaplus.com.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al