E gjithë bota ndoqi dje në mesditë, një nga dasmat më të rëndësishme e të shtrenjta të historisë, atë të Princit Harry me aktoren Meghan Markle. Edhe pse gjithçka, deri në detaje, dukej e thjeshtë si uji, ishin paguar miliona para që gjërat të shkonin kështu, ndoshta sepse tanimë duhet të paguash shumë, pikërisht për të arritur gjërat e thjeshta. Askush nuk do e mendonte muaj më parë, kohë kur princ Harry filloi të shoqërohej me Meghan Markle, se këta të dy do të përfundonin në altar! E divorcuar, më e madhe në moshë, e ardhur nga një familje e thjeshtë, të ëmën me ngjyrë, e sot krahë një princi! Mirëpo, nuk kaluan më shumë se 12 muaj që çifti i dashuruar të vendoste për hapin e radhës. Sot, të gjitha revistat e tabloidet në Mbretërinë e Bashkuar, në Europë e përtej kontinentit, shkruajnë për dasmën mbretërore. Me sa duket jo vetëm shqiptarët pyesin për çmimin, sepse duket se kjo është pyetja që ka munduar shumë prej kryeredaktorëve: Sa do të kushtojë dasma e Meghan Markle me Princin Harry?
Nëse për ditën e madhe të Princ William dhe Kate Middleton është shpenzuar rreth 28 milionë dollarë, me një përllogaritje të thjeshtë, ceremonia e vëllait të vogël do të kapë shifrën 45 milionë dollarë. Sipas webistet “Page Six dhe Bridebook”, dasma është një ndër 10 ceremonitë më të shtrenjta të të gjitha kohërave. Vetëm 42.1 milionë dollarë shpenzohen për masat e sigurisë. Përveç snajperëve të zakonshëm në çdo tavolinë dhe policisë së fshehtë në rrugë, vendi përreth ishte blinduar me teknologjinë më të fundit ushtarake, duke përfshirë një sistem britanik kundër rrezeve UVA, i cili kushtoi së paku 1 milion dollarë. E gjithë bota, edhe pse fotografitë ishin të censuruara, ka parë live ceremoninë e martesës së Princit Harry me aktoren kanadeze Meghan Markle. Nuk kishte nevojë për shumë fjalë përgjatë gjithë ceremonisë, megjithatë, u pa se disa herë Harry diçka i pëshpëriste bashkëshortes së ardhshme… Vetëm pak minuta më pas, mediat botërore zbuluan fjalët ekzakte që i ka thënë… Pasi falënderoi të atin, Princin Charls, që shoqëroi nusen drejt altarit, Harry i ka thënë Meghan: “Je mirë? Dukesh e mrekullueshme! Jam shumë me fat!” Fjalët e saj kanë qenë më të kursyera… Ishaktorja është përgjigjur vetëm “Faleminderit!…Jo shumë larg këtij momenti, çifti u betua dhe u shpallën burrë e grua. Me këtë rast, duke iu referuar pikërisht betimit, nuk munguan as komentet komike rreth pjesës ‘Do të të dua në pasuri e varfëri!”…
3 TRADITAT QË MUND T’I NDIQTE VETËM HARRY DHE MEGHAN, ASKUSH TJETËR
1. Buqeta e nuses duhet të përbëhet nga trëndafila të bardhë dhe një degëz lule mersini: Buqeta e luleve të Meghan ishte me trëndafila të bardhë, lulja e preferuar e Lady Dianës, si dhe një degëz lule mersini. Nëse po pyesni përse një degëz e tillë në buqetën mbretërore, përgjigjja lidhet me një traditë të lashtë mbretërore që daton nga shekulli i 19-të. Gjyshja e Princit Albert i dhuroi asokohe një degëz lule mersini mbretëreshës Viktoria, si simbol i fatit dhe begatisë në dashuri dhe në martesë.
2. Unaza e martesës duhet të jetë vetëm me flori uellsian: Unaza e martesës së pjesëtarëve të familjes mbretërore nuk është e njëjtë me atë të njerëzve të tjerë, ajo duhet të përbëhet vetëm nga floriri i minierës së Clogau St.David në Uellsin Verior. Kjo traditë është vendosur nga Elizabeth Angela Marguerite Bowes-Lyon, mamaja e mbretëreshës Elizabeta.
3. Torta e dasmës mbretërore duhet të jetë vetëm me fruta: Nuk dihet akoma nga vjen kjo traditë, por prej shumë vitesh, në dasmat e pjesëtarëve të familjes mbretërore, shërbehet vetëm tortë me fruta. Besohet se kjo zgjedhje është vendosur nga mbretëresha Elizabeta, e cila i konsideron frutat si simbol pasurie dhe prosperiteti. Pas dasmës, të gjithë të ftuarit marrin me postë një fetë nga torta mbretërore si një formë falënderimi për pjesëmarrjen e tyre.
PËR HARRY-N, DIANA ISHTE ATY, NË DASMË
Princi Harry e deklaroi menjëherë pasi vendosi ditën e dasmës, e ëma e tij, Diana, do të ishte aty! Sigurisht, jo në mënyrën që ai dhe ajo do të donin, por do të ishte gjithsesi. Për këtë, gjatë ceremonisë, ishte lënë një karrige bosh, pranë familjes mbretërore, në kujtim të Dianës. Gjatë ceremonisë, fjalimi i mbajtur ‘në këmbë’ të Dianës, u mbajt nga motra e saj. Edhe Meghan ka deklaruar pak kohë më parë se një nga gjërat që Harry do të kishte dashur më shumë, ishte që ajo të ishte njohur me mamanë e tij. Në respekt të saj, buqeta e nuses ishte përgatitur me lulet e preferuara të Dianës. Vëllai i Dianës, ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoni, bashkë me familjen e tij. Diana do të kujtohet gjithmonë, nga të gjithë si Princesha e popullit, falë aftësisë së saj për të krijuar marrëdhënie njerëzore dhe më shumë nga të gjithë, shembullin e saj, duket se po e ndjekin nuset e djemve të saj.
LOTËT E DORIA REGLAN, SË ËMËS SË MEGHAN, GJATË CEREMONISË
Një nga njerëzit që kishte objektivin e kamerës drejt vetes, njësoj sa gjithë anëtarët e familjes mbretërore, ishte pa dyshim e ëma e nuses, Meghan Markle! Doria Reglan ishte e vetmja përfaqësuese e familjes së nuses, kështu që kurioziteti fokusohej vetëm tek ajo! Babai i Meghan, për shkak të ndë- rhyrjes në zemër, hoqi dorë nga ardhja në ceremoni. Që pas zbritjes nga makina, u vunë re qarte emocionet në portretin e Doria-s. Pasi zuri vendin e saj brenda në kishë, ajo nuk mundi të mbante as lotët që u dukën se e shoqëruan përgjatë gjithë ceremonisë! Nuk është pak që vajzës së saj, por edhe asaj vetë, t’i ndryshojë jeta brenda një kohe të shkurtër… Kush do të ishte në gjendje t’i mbante emocionet?!
NJË MUAJ I PAZAKONTË MJALTI PËR DUKËT E SUSSEX-IT
Ndonëse nuk është bërë njoftimi zyrtar për pushimet e para të çiftit të dashuruar si të martuar, “Travel + Leisure” citon se Harry dhe Meghan po planifikojnë të udhëtojnë në Namibi për muajin e mjaltit. Të porsamartuarit thuhet se do të qëndrojnë në Hoanib Valley Camp, në Kaokoland. Sipas “The Sun”, Harry ka qenë në Namibi disa herë në të kaluarën dhe duket se është një destinacion i preferuar për princin. Ai e vizitoi këtë vend në vitin 2006 me ishtë dashurën Chelsy Davy, gjatë vitit 2008, gjatë kohës së tij në ushtri, dhe përsëri në vitin 2015. Me Meghanin, Princ Harry ka shkuar për herë të parë në Botsvana në fillimet e lidhjes së tyre. Megjithatë, familja mbretërore duhet t’i mbajë planet e muajit të mjaltit të fshehta deri në përfundimin e udhëtimit, ashtu siç ndodhi me Kate dhe William, të cilët pushuan për 10 ditë në Seychelles, por u mor vesh vetëm pasi ata ishin rikthyer në Angli.
ASNJË DHURATË NË DASMË, PËRVEÇ ASAJ TË MBRETËRESHËS!
Princ Harry dhe Meghan Markle, në vend të dhuratave tradicionale të dasmave, kanë kërkuar nga të ftuarit donacione bamirësie. E megjithatë, ky vendim duket se nuk e ka ndaluar Mbretëreshën, gjyshen e dhëndrit, t’i bëjë dhuratë çiftit të ri, dhuratën tipike që ka bërë ndër vite në të tilla rastesh! Nuk bëhet fjalë për ndonjë kal race, as për bizhuteri të çmuara, por për një vilë! Megjithëse lajmi mbetet i pakonfirmuar, sipas Duncan Larcombe (personit që shkruan biografinë e pjesëtarëve të familjes mbretërore), Mbretëresha e ka shndërruar këtë gjë në “zakon” dhe princi Harry dhe Meghan Markle do të përfitojnë nga bujaria e Madhërisë së saj. Me shumë mundësi, Harry dhe Meghan mund të jenë pronarë të vilës York Cottage, e cila gjendet rreth 110 kilometra në verilindje të Kensington Palace, ku për momentin po jetojnë Harry dhe Meghan. Prona e përgjithshme është rreth 19,800 hektarë, duke përfshirë një park publik dhe një kopsht 24, i cili është i lidhur me shtëpinë kryesore. Mbretëresha e trashëgoi pasurinë nga babai i saj, Mbreti Xhorxh VI, në vitin 1952 dhe Princi Philip ka qenë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vilës.
DUKA DHE DUKESHA E SUSSEX-IT, TITUJT E ÇIFTIT TË RI
Mbretëresha ka dhënë këto tituj për nipin e saj dhe nusen e tij. Meghan do të bëhet kështu Dukesha e parë e Sussex-it në histori, ndërsa Princi Harry do të jetë Duka i parë i Sussex-it pas 175 vitesh. Në këtë mënyrë, ish-aktorja amerikane Meghan Markle do të quhet tashmë Lartmadhëria e Saj, Dukesha e Sussex-it. Turma të mëdha njerëzish janë grumbulluar në Windsor për të qenë dëshmitarë të martesës mbretërore mes Princit Harry dhe Meghan Markle. Rreth 100 000 persona pritet që të qëndrojnë anës rrugëve, me shpresën se do të shohin sadopak çiftin e lumtur. 600 të ftuar do të jenë të pranishëm në martesë, në kishën St. George. 1200 persona janë ftuar në oborrin e Kështjellës Windsor, ndërsa miliona të tjerë do ta ndjekin nëpërmjet televizionit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al