14 Nëntor, 2017

Matia Llupa, djali që Ema Andrea takoi pas 20 vitesh: Si e përjetova inçestin në skenë


Një djalë i pashëm dhe me trup sportiv, që takon nënën e tij pas 20 vitesh. Matia Llupa është biri i Ema Andreas në shfaqjen e regjisorit boshnjak, Dino Mustafic, “Nëna dhe fëmija”, që po trondit ndërgjegjen e publikut të Tiranës.

Nga ritakimi, debati i nxehtë e deri tek inçesti nënë e bir janë të gjitha situata që kaluan nën lëkurën e aktorit 23-vjeçar.

Për përjetimet e një roli frojdian, nënën në skenë dhe nënën në jetë dhe gjithçka fshihet pas një personazhi atraktiv si ai, Matia rrëfehet për gazetën “Panorama”.

Shfaqja “Nëna dhe fëmija”, ku aktorja e njohur Ema Andrea ekspozoi gjoksin dhe ti si biri i saj bëje kapërcime spektakolare gjysmë i zhveshur, trazoi ndërgjegjjen e publikut. Si mund të na i përshkruash ndjesitë e tua para asaj zhveshjeje?

Besoj se shfaqja nuk ka tërhequr vëmendje thjesht prej zhveshjes, por ka tërhequr vëmendje në tërë- si, dhe komentet mbi këtë gjë kanë qenë profesionale. Ndjesia përballë zhveshjes si Matia, fillimisht ka qenë një skenë, e cila më jepte ngarkesë, por është punuar me profesionalizëm.

Skenat e nënës para djalit të saj (pra, ty) u komentuan në media si skena të forta erotike. Hezitove për të marrë përsipër një rol të tillë ku interpretohet inçesti?

Rolin e fitova pa u diskutuar inçesti, por duke u diskutuar që djali takon nënën pas 20 vitesh dhe për këtë nuk hezitova e nuk do hezitoja dhe po të dija inçestin. Është profesioni i tillë.

Në skenën ku interpretuat, publiku ishte shumë afër jush. Kjo e vështirëson apo e thjeshton lojën tuaj aktoriale, kur në skenë shkëmben energji me publikun? 

Të kesh publikun pranë? Fillimisht të ngacmojnë shumë emocione, por kur shfaqja fillon, publiku bëhet pjesë e energjisë sonë dhe kjo gjë është fantastike.

“Teatri për mua është shtëpia ime. Matia është djalë fantastik, nuk mund të ekzistoja në këtë rol pa të”, ishte deklarata e Emës në një intervistë televizive. Pse të përzgjodhi pikërisht ty?

Nuk jam përzgjedhur prej Emës, por përmes një audicioni të bërë nga regjisori, Dino Mustafic.

Një rol i vështirë ku të duhej të kaloje në çmenduri nga lakuriqësia jote, te përlyerja me gjak. Mendon se ato skena do të ndikojnë realisht në psikologjinë tënde duke qenë se je shumë i ri?

Nuk mendoj se do më ndikojë realisht në psikologjinë time, jam i ri, por punoj si profesionist. Jeta ime është tjetër, roli që luaj është diçka tjetër.

Nëna jote të tha se në fakt qau për Emën. A mund të na bësh dallimin mes nënës në jetë dhe nënës në skenë, që është Ema?

Kur kam folur në intervista për nënën time, pasi më kanë pyetur, kanë qenë batuta ashtu siç bëj në jetën e përditshme, nuk mendoja se do të përbënin lajm. Nëna ka marrë nga shfaqja diçka personale, si të gjithë. Dallimin që mund të bëj është se nënën time e shoh përditë, ndërsa nënën në skenë e shoh çdo ditë në shfaqje pas 20 viteve.

Ulje-ngritjet e raportit tuaj i ke ndjerë ndonjëherë me ndonjë vajzë në lidhje intime, që mund të kesh pasur apo ke në jetë?

Uljet dhe ngritjet në një raport besoj se janë diçka normale me çdo marrëdhënie intime, si dhe marrëdhënie të ndryshme. Pra, mund të them se e kam ndjerë.

Siç je shprehur dhe vetë, ky është rol pak i vështirë. Sa për qind je ndier një Edip në këtë shfaqje, dhe të ka ndryshuar këndvështrimin që ke për femrën?

Nuk jam ndjerë aspak Edip, dhe pse si pjesë mund ta diskutoj këtë gjë. Dhe nuk më ka ndryshuar asnjë këndvështrim për femrën.

Ti në rolin e një fëmije që kishte kaluar traumën e divorcit të prindërve dhe ishte rritur nga gjyshërit. A mund të jesh normal, dhe cila ishte magjia e anormalitetit si person?

Normalisht që je normal, nuk besoj se ka gjëra anormale. Sidomos në teatër, kjo është magjia.

Regjisori boshnjak, Dino Mustafic, kërkoi diçka të pamundur nga ty si aktor, për ta realizuar në skenë?

Dino është ai regjisor që nuk beson se aktori i tij ka të pamundura në skenë. Çdo gjë që është kërkuar ka qenë e mundur, sepse është punuar me përkushtim.

Lëvizjet e tua sipër paraleles ishin mbresë- lënëse. Je një tip sportiv, apo gjithçka e përvetësove për këtë shfaqje?

Jam mjaft tip sportiv, por për këtë shfaqje jemi ushtruar bashkë me Emën në gjimnastikë, veçanërisht në paralele.

Klotilda Harka/ Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al