Tre vjet më parë, Aurela Gaçe bëri një postim në rrjete sociale në kuadër të fushatës kundër kancerit të gjirit, për sensibilizimin e grave për të bërë kontrolle të vazhdueshme.
Por postimi i saj është rikthyer në vëmendje të disa portaleve gjatë ditëve të fundit me qëllim, siç shkruan këngëtarja, për të gjeneruar disa klikime më shumë.
E indinjuar, Gaçe kërkon që ky lloj abuzimi, që luan me shëndetin e njerëzve, duhet të marrë fund sa më parë.
Artistja publikoi në llogarinë e saj në Instagram disa foto të lajmeve të shkruara për të nga portale të ndryshme.
Krahas tyre, Aurela shkroi:
“Deri ku mund të shkojë ‘gatimi’ i një titulli?
Në 2018, kam bërë një postim ku u kam bërë thirrje grave e nënave të bëjnë kontrollet e gjirit, e këtë e kam bërë duke treguar edhe që edhe unë bëj kontrollet, se kam frikërat e mia ,si secili nga ne, se kam familje, se dua të jetoj si të gjithë, e të qenit këngëtare nuk më jep asnjë imunitet mbrojtjeje nga sëmundjet që mund të kapë secilin në planet.
Tani, ky lajm përsëritet, në 2021, duke e bërë titullin fiks kështu siç e shikoni, që të gjenerojë disa klikime në portalet e këtyre që arrijnë e luajnë edhe deri me shëndetin.
Më morën miq në telefon. Më pyesnin nëse isha mirë.
S’po e kuptoja. Pastaj më dërguan shkrimet.
E lashë të shkonte. Ndërkohë, miq, qoftë edhe njerëz dashamirës, më ndalojnë në rrugë e më shprehin keqardhjen për lajmin e lexuar, sepse sigurisht, automatikisht, lexojnë titullin, mendojnë të keqen.
Jam e indinjuar.
Këto portale nuk e bëjnë lajmin sot në 2021 për të ndihmuar gratë (ashtu siç ishte edhe qëllimi im), por për të gjeneruar vetëm disa klikime.
Bravo.
Thonë që në këto raste, të shtohet jeta.
Moralin ku e keni? Si mund të manipuloni edhe me lajme për shëndetin?
Ptujjjjj”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al