6 Maj, 2022

Mes zërave për divorc dhe ndjekjes së terapisë, Will Smith për herë të parë në një intervistë pas “Oscars”


Fansat dhe kritikët më në fund do të dëgjojnë Will Smith në një intervistë pas shuplakës ndaj Chris Rock në Oscars.

Aktori do të shfaqet në emisionin e Netflix të David Letterman, “My Next Guest Needs No Introduction”. Sezoni 4 i emisionit do të shfaqet në transmetim më 20 maj. Sezoni me gjashtë episode do të ketë gjithashtu yje si Cardi B, Billie Eilish, Julia Louis-Dreyfus dhe Ryan Reynolds.

Hera e fundit që ky emision u transmetua ishte në tetor 2020. Smith është marrë me shumë gjëra kohët e fundit, pasi goditi Chris Rock-un dhe më pas humbi disa nga projektet e ardhshme filmike – edhe pse fitoi Oscar-in e tij të parë. Ylli i “King Richard” shkaktoi një skenë dramatike gjatë ndarjes së çmimeve Oscar më 27 mars, kur u ngjit në skenën e ‘Teatrit Dolby’ në Los Angeles dhe goditi Rock në fytyrë.

Megjithatë, shikuesit nuk duhet të presin që Smith të flasë për incidentin gjatë intervistës së tij me ish-prezantuesin e “Late Show”. Episodet u filmuan para marsit 2022.

Pak më shumë se një muaj pas atij episodi, shumë gjëra kanë ndodhur në jetën e aktorit, nga kritikat panumërta e deri te thashethemet e ndryshme që dalin në sipërfaqe për karakterin e tij dhe jeta intime me Pinkett. Për shkak se presioni mediatik ka qenë i tepruar si edhe nga fakti se ky moment ka qenë maja e ajsbergut në marrëdhënien e çiftit, po raportohet se çifti i martuar është gati të divorcohet, gjë që do të sjellë një betejë të madhe ligjore mbi pasurinë e Smith.

Revista Heat citon reagimin e ftohtë të Pinkett dhe mungesën e mbështetjes për partnerin e saj pasi mediat u kthyen kundër Smith,si dy nga arsyet e ndarjes. “Ka pasur probleme mes tyre për vite me radhë, por tani ata mezi flasin me njëri-tjetrin. Tensionet mes tyre kanë qenë të dukshme”, thanë burime për Heat Magazine. Pas 25 vitesh së bashku, Jada Pinkett do të kishte të drejtën e gjysmës së pasurisë së Will Smith, jo më pak se 350 milionë dollarë. Megjithatë, jo gjithçka është vendosur por pritet që Smith dhe Pinkett të përfshihen në një betejë ligjore që mund të jetë më e madhe se ajo e Angelina Jolie dhe Brad Pitt.

Sakaq, thuhet se Will Smith ka kërkuar ndihmë nga profesionistët pas ngjarjes së bujshme. 53-vjeçari ka shkuar në terapi pas incidentit sipas ‘Entertainment Tonight’ .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al