Harroni “Halloween”-in, koha e veshjeve ekstravagante për të famshmit është pikërisht në maj, në eventin e përvitshëm Met Gala.
Yjet kanë shkëlqyer në eventin bamirësisë, i organizuar nga Institucioni i Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit, i konsideruar si kulmi kalendarik social të Nju Jorkut e që tërheq stilistë dhe yje nga e gjithë bota.
Mediat amerikane shkruajnë se kjo mbrëmje njihet për biletat e shtrenjta, përfshirë një listë ekskluzive të ftuarish. Gjithashtu ajo që vihet re janë veshjet ekstravagante që çdo vit bazohen në një temë të caktuar.
Këtë vit tema ishte: “Trupat Qiellorë: Moda dhe Imagjinata Katolike”, e cila tregon se si katolicizmi ka pasur ndikim mbi modën përgjatë gjithë historisë.
E siç do të keni mundësinë që t’i shihni në fotografitë e publikuara nga mediat e huaja, yjet zbritën në tapetin e kuq, disa me minifund të frymëzuar nga vetë Papa, siç ishte rasti i Rihanës, kostume të kryqëzatave apo rasti i këngëtares Katy Perry, e cila u shfaq me dy krahë të stërmëdha engjëlli.
“Moda dhe feja kanë qenë prej kohësh të ndërthurura me njëra-tjetrën, duke u frymëzuar reciprokisht dhe duke përcjellë informacion për njëra-tjetrën”, u shpreh kuratori Andrew Bolton.
Edhe pse kjo marrëdhënie ka qenë komplekse e ndonjëherë kundërthënëse, shtoi ai, ka prodhuar disa nga krijimet më inovative në historinë e modës. Instituti i Kostumeve është i vetmi departament kurator i muzeut që duhet të financojë aktivitetet e veta, ndaj dhe galaja përbën në thelb, eventin më të madh të mbledhjes së fondeve.
Ndërsa redaktorja aktuale e “Vogue”, Anna Wintour, e zhvendosi fokusin te të famshmit kur mori detyrën si kryetare e tij në vitin 1999, duke afruar në rrjedhën e kohës emra të njohur si Beyonce, Taylor Swift, Sarah Jessica Parker dhe Tom Brady.
Panorama Plus
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al