16 Tetor, 2017

Misteret që karakterizojnë 7 mrekullitë e botës


Kur vizitojmë ndonjë monument të rëndësishëm jashtë vendit, në fillim mësojmë të dhënat historike për të, ato që i dinë të gjithë, data (që nuk do t’i mbajmë mend kurrë), etj. Megjithatë, bashkë me këto informacione ka edhe disa të vërteta të fshehura, që nuk i dinë të gjithë. Ja, cilat janë të fshehtat e 7 mrekullive të botës.

Moai, Ishulli i Pashkëve, Polinezi

Për statujat e lashta që gjenden në këtë ishull ekzistojnë teori të ndryshme, një nga të cilat thotë se ato janë përgjegjëse për vdekjen e banorëve të ishullit. Lëvizja e tyre me anë të trungjeve të pemëve shkaktoi shkatërrimin e pyjeve, uri, luftë dhe kanibalizëm. Megjithatë, imazhet satelitore të ishullit në vitin 2005 kanë treguar rrugët që janë krijuar që nga gurorja ku u gdhendën këto statuja, të cilave iu vunë litarë në lartësinë e kokës dhe duket se më pas u transportuan me grupe të vogla njerëzish.

Taxh Mahal, Agra, Indi

Legjenda thotë se pas përfundimit të Taxh Mahalit, Shah Jahani urdhëroi të priteshin duart e ndërtuesve, në mënyrë që ata të mos ndërtonin më diçka kaq të bukur (megjithëse nuk ekzistojnë prova të shkruara që mund ta vërtetojnë këtë teori). Eleganca e këtij mauzoleu mund t’i dedikohet konceptimit të tij inteligjent, sepse ai nuk duket aspak nga pylli. Arkitekti i dizenjoi minaretë e tij me një përkulje minimale nga jashtë, në mënyrë që, në rast tërmeti, ato të binin larg kupolës së çmuar të mauzoleut.

 Stounhenxh, Angli

Jashtëtokësorët, druidët dhe qenie të tjera mitologjike kanë qenë protagonistë në teoritë që qarkullojmë për ndërtimin e Stounhexhit (Stonehendge). Por pse u ndërtua ai? Studimet e kohëve të fundit tregojnë se u ndërtua për të festuar ekuinoksin e dimrit dhe jo të pranverës, siç mendohej deri tani. Shumica e monumenteve të zonës janë drejtuar nga lindja dhe perëndimi i diellit në solsticin e dimrit, ndërsa dhëmbët e derrit të gjetura rrotull monumentit, tregojnë se ata hanin më shumë mish derri për të festuar faktin që ditët do të fillonin të zgjateshin paskëtaj. Përsa i përket mënyrës se si u ndërtua, thuhet se në vitet 2600 p.e.s. u transportuan disa gurë ndërtimi ngjyrë blu me anë të trapeve lundruese nga kodrat Preseli në Uellsin perëndimor. Baza e çdo blloku guri u vendos me leva në hendek dhe në vazhdim, me ndihmën e skelave, u vunë blloqet horizontale.

Kulla Eifel, Paris, Francë

Ajo u ndërtua në vitin 1889 si hyrje për ekspozitën ndërkombëtare Uneversell, por edhe për përvjetorin e Revolucionit Francez. I pari, që i ngjiti 1710 shkallët e saj deri në majë ishte vetë zoti Eifel. Me lartësinë e saj prej 324 metrash, kulla shërbente si antenë satelitore, prej së cilës gjermanët u dërgonin sinjale të koduara forcave të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kohën tonë, çdo 7 vjet përdoren 50 tonë bojë për ta lyer monumentin që quhet si pikë referimi e Parisit, por që në fillim, kur u ndërtua, u karakterizua si… joestetik.

Muri i Madh Kinez, Kinë

Në fillim, në shekullin e 16-të, ai u ndërtua me gurë dhe baltë, por perandori Jiajing e shndërroi në një… dragua të gurtë. Miliona punëtorë punuan për ngritjen e murit dhe kullave. Sipas të dhënave, një pjesë e tij, 3 kilometra e gjatë, u përfundua në 600 ditë nga 300 punëtorë. Megjithëse ka famën se është i vetmi ndërtim i njeriut që mund të shihet nga Hëna, Muri i Madh në realitet mund të shihet vetëm me lente speciale nëse je duke fluturuar në një orbitë të ulët nga Toka.

Al Kazneh, Petra, Jordani

Kulla e Thesarit (Al Kazneh) përbën diamantin e qytetit të lashtë të Petrës, në Jordani. Ajo është vetëm 2 mijë vjeçare, por është nga monumentet më të vizituara në botë dhe ka qenë edhe skenar filmash (shihni “Indiana Xhounsin”). Thuhet se ajo u gdhend nga lart poshtë dhe se vrimat në sipërfaqe të saj të mashtrojnë, pasi janë krijuar më pas nga vandalët.

Piramida e Keopsit, Egjipt

Piramida e Madhe e Gizës, që bën pjesë në 7 mrekullitë e Botës së Vjetër, e vetmja që ka mbijetuar deri në ditët tona, ishte ndërtesa më e madhe e botës deri në vitin 1889, kur u ndërtua Kulla Eifel. Ajo u konceptua me qëllim që të kishte vetëm tri dhoma, por u desh forca e madhe e punës së 30 mijë njerëzve që të ndërtohej. Sipas të dhënave të marra nga studimet, në lidhje me mënyrën e tyre të jetesës dhe duke analizuar shkrimet e lashta nëpër mure, duket se këta nuk ishin skllevër, por punëtorë me eksperiencë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al