1 Mars, 2018

Modelja që di “sekretet” e lidhjeve Trump-Rusi, e burgosur në Tajlandë


Anastasia Vashukevich është një shtetase ruse e vetëquajtur “joshëse” dhe ka publikuar një “ditar” mbi mënyrat sesi mund “të joshet një miliarder”. Ajo ka kërkuar ndihmën e amerikanëve për t’ia mbathur nga një qendër paraburgimi në Tajlandë.

Në këmbim, vajza e cila njihet edhe si Nastya Rybka ka thënë se do të japë informacione mbi lidhjet e supozuara mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Rusisë.

Ajo ka treguar se është në paraburgim në Tajlandë që prej arrestimit të saj më 26 shkurt, së bashku me 9 shtetas të tjerë rusë në qytetin Pattaya, me akuzën e organizimit të të ashtuquajturave “seanca stërvitore seksi”.

Një zyrtar i emigracionit në vendin aziatik ka thënë për CNN-in se Rybka thotë se është nga Bjellorusia, por në Tajlandë ka hyrë me pasaportë ruse.

E teksa shoqërohej për në burgun e Pattayas, Rybka publikoi një video në llogarinë e saj në rrjetin social “Instagram” duke iu lutur gazetarëve amerikanë që ta ndihmojnë.

“Jam gati t’iu ofroj të gjitha pjesëzat e munguara të ‘puzzle’-it, t’i shoqëroj ato me video dhe audio, në lidhje me lidhjet e ligjvënësve tanë të respektuar me Trump-in, Manafortin e pjesën tjetër. Di shumë gjëra. Jam në pritje të ofertave tuaja dhe ju pres në burgun ku ndodhem në Tajlandë”, shkruan ajo.

Rubka u vu në qendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit, pasi kryeopozitari rus Alexei Navalny publikoi një investigim më herët gjatë këtij muaji në faqen e internetit të fondacionit të tij antikorrupsion, ku denonconte lidhjet e saj me disa nga njerëzit më të pasur e më të fuqishëm të Rusisë.

Në hetim, Navalny publikoi një video nga llogaria e “Intagram”-it të Rybkas, që tregon një nga udhëtimet e saj me jaht në gusht të vitit 2016 me miliarderin rus Oleg Deripaska, si dhe zv.kryeministrin Sergey Prikhodko.

Navalny thotë se dy burrat në fjalë mund të dëgjohen në video teksa diskutojnë marrëdhëniet e dobësuara të Rusisë me Shtetet e Bashkuara. Navalny sugjeroi se Deripaska dhe Prikhodko mund të kenë shërbyer si ndërmjetës mes Kremlinit dhe drejtuesve të fushatës së Trump-it.

Ndërkohë CNN ka tentuar disa herë të kontaktojë me Prikhodko, por nuk ka marrë përgjigje prej tij. Ndërsa Deripaska ka punuar më herët me ish-drejtuesin e fushatës së Trump-it, Paul Manafort.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al