12 Mars, 2022

“Mund të bënte rrugë më tepër”- Sidrid Bejleri flet për rrugëtimin e Fifit në “The Voice”: Jam ndjerë shumë keq kur…


Sidrit Bejleri ka folur rreth këngëtares Filloreta Raçi, e njohur gjerësisht si Fifi, duke rikujtuar kohën kur ajo ka qenë pjesë e formatit “The Voice of Albania”, në vitin 2011.

Pas performancës së saj në audicionet e fsheshura, Sidrit Bejleri, i cili asokohe ishte trajner në program, ishte i vetmi që u kthye për Fifin, duke i mundësuar vazhdimin në “The Voice”. Por rrugëtimi i saj nuk zgjati shumë, pasi ajo humbi betejën përballë një konkurrenti tjetër të fortë, Lundrim Paçukun. Trajneri i tyre, Sidrit Bejleri tregoi për “Ëndërrtjerrësit” se është penduar që e ka vënë Fifin përballë tij, pasi ajo mund të ecte më shumë në spektaklin muzikor.

“Ishin kaq të drejtë, të sinqertë, sa doja të përplasja ata që ishin më të ngjashëm.  Jam ndjerë shumë keq kur i përplasa, se ka qenë dueti ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’ që u ngrit salla . Mund të bënte rrugë me tepër Fifi. Ajo dukej. Unë ia kam thënë që ‘artistllikun’ e kishte në gjak, pavarësisht se një 17-vjeçareje mund t’i tolerohen disa luhatje të intonacionit.” -tregoi ai.

 Bejleri shtoi se zgjedhjet kanë qenë të vështira pasi vetë formati ka qenë më i shkurtër se formatet e tjerë të ngjashëm, pra konkurrentët dilnin shumë pak në skenë.

“E rëndësishme është jo të fitosh vetë por të fitosh sa më shumë rrugë sepse vetë si patentë kjo kishte një rrugë paksa më të shkurtër. Megjithëse të gjithë sot janë nëpër skena duke kënduar live”, tha ai.

Fifi ishte pjesëmarrëse e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, ku fituese u shpall Rina Bilurdaku, ndërsa në vendin e dytë ishte Marsela Çibukaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al