20 Nëntor, 2017

“Myfarete, pavarësisht respektit për ty, ngacmimi seksual është përdhunim, jo vlerësim”


Nga Organizata e Gruas “Hope & Peace”- New York, SHBA*

Znj. Myfarete Laze, me gjithë respektin e dashamirësinë që kemi për ju si artiste, ne si Organizatë e Gruas Shqiptare – Amerikane në SHBA për të qenë të sinqerta bashkërisht, po të përgjigjemi se; shprehja juaj – ngacmimi seksual është “vlerësim” gaboheni.

Mike e dashur po mbi 20000 vajza e gra që u vranë, dhunuan, u zhdukën nga makineria (meshkuj) serbë në Kosovë si e quani ju këtë masakër kriminale!? Vlerësim!?

Nuk po ndalemi sot tek burgjet politike shqiptare, ku kanë vuajtur dënimin mijëra gra e vajza të pafajshme shqiptare e të huaja.

Duke qenë se ne si Organizatë merremi me të drejtat e grave dhe fëmijëve, herë pas here në takimet tona flasim edhe për dhunën seksuale, ngacmimet seksuale. Herë pas here kemi ngritur zërin kundër dhunës ndaj gruas, e kundër trafikimit njerëzor me organizatat e ndryshme amerikane e botërore edhe pranë OKB, por kurrë nuk e kemi dëgjuar shprehjen se ngacmimi seksual është “vlerësim” dhe shpresojmë të ndërgjegjësoheni e të jepni një gjykim më të thellë.

Më poshtë po ju paraqesim disa momente flagrante që kemi dëgjuar nga biseda me gra e vajza të ndryshme ku vërtetë kërkohet vëmendje e kujdes i veçantë ndaj femrës si nga organet e rendit, qeverive përkatëse, OJQ dhe individëve të ndryshëm.

Nëse ju, apo një femër tjetër është duke shkuar në shtëpi pas pune vonë, natën, pas turnit të dytë në një rrugë ku është bllokuar çdo lëvizje nga dëbora dhe qarkullimi rrugor, është pezulluar (qoftë edhe në qytet) e nëse një apo dy maniak seksual i ngjiten pas, si quhet për ju ky veprim makabër apo vlerësim? Apo do të thuash se  femra po i ul vetë pantallonat!?

Nëse je duke punuar turni i tretë në një fabrikë, në një ambient ku je vetëm ti, të vjen shefi, e aty nuk ka kamera. Ai me forcën e mashkullit të mbyll gojën, derën e zyrës e të kap me zor,  si e quani ju?

Nëse je duke udhëtuar në autobus e një maniak seksual të ngacmon seksualisht me duart nën fustan apo të prek gjoksin apo nga pas, çfarë përbën për ju ky veprim i ulët “vlerësim, “respekt, propozim”?

Nëse je duke ngjitur shkallët e pallatit ku banon dhe një mashkull si hije të ndjek nga pas, e ti nuk e ke vënë re, si e quani ju këtë veprim të tij, vlerësim?

Kemi parë në lajme raste të ndryshme që edhe në mes të rrugës në orët e para të mëngjesit, janë përdhunuar gra në moshë madhore mbi 80 vjeç nga njerëz të pamoralshëm, si mund të quhet ky akt i dhunshëm, respekt, vlerësim, ngacmim seksual, dhunë seksuale, apo propozim për femrën?

Një grua pasi përfundon punën e lodhur e do të kthehet në banesë pas turnit të dytë, del nga treni/ autobusi, errësirë, pas i ngjitet një mashkull me thikë të mprehtë në dorë. Gruaja as e njeh as e ka parë kurrë në jetën e saj këtë person, ndërsa ai pa asnjë shkak kërkon ta përdhunojë e më pas ta vrasë. Ja pra kemi qindra raste kur femrës i rrezikohet edhe jeta nga ngacmimet seksuale e abuzimi seksual.

Para pak kohësh një grua në Korçë e divorcuar nga i shoqi protestonte sepse edhe pas ndarjes jetonte në të njëjtën banesë me ish-in, por ai përsëri nuk e linte të qetë gruan e gjorë.

Gaboheni Myfarte!

Po ato gra e vajza të reja që shiten akoma edhe sot çdo ditë nëpër botë, apo shfrytëzohen për prostitucion, të cilat janë jo vetëm të pafajshme, por edhe të pafuqishme, po i ulin vetë pantallonat apo po kërkojnë mbrojtje ligjore pasi janë viktima të trafikimit njerëzor. Në çfarë kategorie do t’i rendisnit? Apo edhe atyre janë duke u bërë “vlerësimet” e rastit?

Të ishte ashtu siç shpreheni ju, nuk do të kishim trafikim të femrës në botë, ndërkohë që të gjitha organizatat e gruas sëbashku me në krye OKB, vazhdimisht bëjnë përpjekje për parandalimin e këtyre akteve penale e të rrezikshme për njerëzimin e protestojnë vazhdimisht për të shpëtuar gruan e vajzat nga këto kthetra barbare. Të mos harrojmë se niveli arsimor i grave dhe vajzave të trafikuara rezulton të jetë 8-9 vjeçar në botë.

Sulmi apo ngacmimi seksual paraqet diskriminim gjinor e jo vlerësim siç shpreheni ju. Ngacmimi seksual përfshin çdo formë të sjelljes që paraqet cenim të dinjitetit personal, e jo “vlerësim” siç shpreheni ju. Përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale, verbale dhe joverbale fizike.

Si përfundim ju këshillojmë të lexoni pak mbi serinë e projektit politikat lokale gjinore mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebbert Sttiftung, apo edhe materiale të tjera ndihmëse.

*Reagimi vjen pas një deklarate të këngëtares shqiptare, e cila tha se ngacmimet që iu bëhen vajzave nga meshkujt, janë një vlerësim për to.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al