Një vit më parë Anxhela Nocka u bë pjesë e vëmendjes së të gjithëve pas publikimit të rastit të saj dhe apelit për ndihmë, pasi 22 vjeçarja u prek në mënyrë të befasishme nga leucemia akute në janar të vitit 2017, ndërsa mundësitë e saj ekonomike për të luftuar këtë sëmundje nuk ishin të mjaftueshme.
Por studentja e vitit të katërt të Arkitekurës e ka humbur betejën me këtë sëmundje të rëndë, duke u ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në spitalin e Budapestit ku po mjekohej.
Nisma e studentëve të Arkitekturës “Bëje për Anxhin”, që përfshiu organizimin e dhjetëra aktiviteteve të bamirësisë, shënoi një rast unik që bashkoi mijëra qytetarë të thjeshtë, biznese private dhe institucione shtetërore, në një aksion të përbashkët humanitar që mundësoi qëndrimin e saj 1-vjeçar në një qendër të specializuar në Budapest të Hungarisë.
Bashkë me dëshirën e madhe për të jetuar, kjo dashuri e madhe njerëzore inkurajoi studenten e re për të luftuar fort, me gjithë vështirësitë e mëdha me të cilat do të përballej ditë pas dite.
Pasi iu nënshtrua kimioterapisë intensive, duke mos humbur shpresat deri në momentet e fundit, Anxhela Nocka nuk ia doli t’i mbijetojë sëmundjes së rëndë, duke lënë në mes ëndrrat dhe dëshirat e saj.
Mes dhimbjes së pafund për këtë humbje të madhe, familjarët e saj gjejnë forca të falenderojnë të gjithë ata që besuan fort se Anxhela meritonte të jetonte, duke dhënë një kontribut të paçmuar për t’i dhënë asaj shansin e fundit për jetën. Atë jetë, nga e cila ajo largohet sot gjithë dinjitet, sepse bëri gjithçka deri në kufirin e të pamundurës, kur trupi u dorëzua përgjithmonë, por jo shpirti i saj.
Ceremonia mortore për t’i dhënë Anxhela Nockës lamtumirën e fundit do të zhvillohet në ditët që vijnë, pasi arkmorti me trupin e saj të mbërrijë në Shqipëri.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al