Fotografi francez i modës Patrick Demarchelier, i cili njihet për imazhet e tij ikonike të disa prej grave më magjepsëse të shekullit të 20-të, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, sipas një deklarate të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku nuk u specifikua asnjë shkak i vdekjes.
“Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Patrick Demarchelier më 31 mars 2022, në moshën 78-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten e tij Mia, tre djemtë e tij Gustaf, Arthur, Victor dhe tre nipër e mbesa”, thuhet në postim, e shoqëruar me një imazh të fotografit të veshur me të bardha.
Në një deklaratë për CNN, Galeria Staley-Wise e Nju Jorkut, e cila përfaqëson punën e Demarchelier, e përshkroi atë si ‘një fotograf brilant që kishte një ndjenjë të jashtëzakonshme të stilit klasik dhe elegant dhe sigurisht më i miri i brezit të tij’.
Megjithëse Demarchelier nuk e dinte se do të bëhej akoma dhe më i njohur si fotografi personal i Princeshës Diana dhe për shkrepjen e portreteve të famshme, ai e kaloi jetën e tij të hershme në qytetin e qetë të Le Havre. I lindur atje në vitin 1943, gjatë pushtimit gjerman të Francës, ai u shpërngul në Paris në moshën 20-vjeçare dhe punoi me fotografin e famshëm zviceran të modës Hans Feurer dhe Henri Cartier-Bresson, megjithëse gjithmonë e konsideronte veten autodidakt.
“Unë nuk kam kualifikime formale, vetëm shkollën e jetës,” tha ai në 2003, sipas një profili të Vogue. “Mësova më së shumti vetëm duke bërë fotografi, shumë foto.”
Pasi u vendos si fotograf i modës dhe punoi për botime si American Vogue, Demarchelier u zhvendos në New York City në 1975. Në SHBA, ai u bë një nga emrat më të kërkuar të industrisë, duke xhiruar editoriale dhe kopertina për revista të modës.
Ai iu bashkua Harper’s Bazaar si fotograf kryesor përpara se të krijonte një marrëdhënie afatgjatë me Vogue në fund të viteve 1980 dhe ’90. Midis dy titujve, ai kapi foto të famshme të emrave më të mëdhenj të dekadave si Naomi Campbell, Cindy Crawford dhe Christy Turlington për të përmendur vetëm disa duke ndihmuar në krijimin e estetikës së epokës së udhëhequr nga supermodelet.
Demarchelier gjithashtu krijoi fushata për pothuajse çdo shtëpi të madhe të modës, duke përfshirë gjigantët amerikanë si Ralph Lauren dhe Calvin Klein, si dhe maisonet e njohura evropiane si Dior, Louis Vuitton dhe Chanel, ndër të tjera.
Ai ishte mes një grupi fotografësh të punësuar për të xhiruar Kalendarin prestigjioz Pirelli në më shumë se një rast: në 2005, 2008 dhe 2014, ky i fundit në bashkëpunim me Peter Lindbergh.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al