26 Janar, 2020

“Ndiej adrenalinë të paparë kur jam me futbollistët në …”, Lei Kraja rrëfen: Në krah dua një burrë që të dijë të mbajë fjalën


/Nga KLOTILDA HARKA

Një vajzë ekrani e rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aq mendjehapur sa të bëjë gjithmonë atë që do me shpirt, pa e vrarë mendjen se ç’mendojnë të tjerët. 

Lei Kraja thotë se kjo është formula e vetme për t’u dukur bukur në sytë e të tjerëve, para dhe jashtë kamerave.

Për karrierën si gazetare që interviston futbollistët e famshëm, paratë që fiton, jetën që shijon pa komplekse dhe listën e kërkesave që duhet të plotësojë partneri i jetës, Lei i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Si vazhdon puna në “Top Channel”? Të konsiderojnë tashmë imazhin ikonë të këtij ekrani? 

Lei Kraja: Unë punoj në “Digitalb”, që është pjesë e familjes “Top”. Është shumë herët ta konsideroj veten si ikonë, madje më duket qesharake. Kam arritur mjaft, po kam shumë më shumë punë para vetes për të bërë dhe shumë vite para meje. U jam mjaft mirënjohëse të gjithë personave që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu, por më duhet akoma më shumë punë.

Të punosh afër futbollistëve duke pritur të marrësh përgjigjet e duhura prej tyre, të bën të ndihesh e përkëdhelura e fatit, apo të kuptosh se nuk është e thjeshtë të jesh pranë tyre? 

Lei Kraja: Jo, nuk ndiej asnjë nga këto. Të jem në praninë e tyre është thjesht pjesë e punës. Dhe nuk kam asnjëlloj ndjesie, përpos adrenalinës dhe emocioneve që kam gjatë transmetimit, për faktin që dua të jap më të mirën time për këtë platformë kaq prestigjioze.

Është e vërtetë që futbollistët janë vanitozë e sipërfaqësorë, apo njeh dhe nga ata që lexojnë libra apo meditojnë? 

Lei Kraja: Nuk mund të kemi paragjykime për asnjeri. Unë që nuk meditoj nuk do të thotë që jam sipërfaqësore. (qesh)

Gjithmonë në objektivin e kamerave. Nëse do ta mendoje veten një moment larg ekranit, çfarë ndjesie të shkakton? 

Lei Kraja: Unë kam shumë më shumë objektiva për të qenë para kamerës. Ky është vetëm fillimi im, një fillim shumë i mbarë. Por dhe sikur të jem larg ekranit nuk e kam problem. Do ushtroj profesionin tim, pse jo dhe mbrapa kamerave.

Fiton aq para sa të bësh jetën luksoze që kishe ëndërruar?

Lei Kraja: Se sa fiton, varet nga aftësia e secilit prej nesh. Pastaj, sa më shumë të fitosh, aq më shumë do.(Qesh)

Je shprehur se ke punuar edhe kameriere në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse do bëje film me jetën tënde, si do të ishin skenat e dashurisë? 

Lei Kraja: Duke qenë që nuk e ndaj kurrë jetën time personale, nuk do të bëja kurrë film. Do të ngelet gjithmonë mister.

Çfarë kompromisi nuk do të bëje kurrë në showbizz? 

Lei Kraja: Jo vetëm në showbizz, po nuk do të kisha kurrë një marrëdhënie me një person thjesht për interes.

Është bukuria arma më e fortë që ti ke, apo stili për të jetuar pa komplekse? 

Lei Kraja: Arma më e fortë që kam është që jetoj jetën për veten time. Nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët. Askush nuk zgjohet me ndjesitë e mia dhe me hallet e mia, në fakt nuk më intereson opinioni i tjetrit. Nuk ka formulë jeta dhe nuk duhet të përdorim formulë. Kjo është arma ime, bëj çfarë të më dojë shpirti dhe nuk më intereson gjë tjetër. Dhe kjo të zbukuron.

Një mashkull që të të bëjë ty për vete, si duhet të jetë? 

Lei Kraja: Duhet të jetë burrë, ta mbajë fjalën, ta tregojë përkushtimin, të jetë njeri i mirë dhe të më japë siguri (se në fund të ditës, femra ka nevojë për siguri mbi të gjitha). Por ta kem edhe si shok.

Lei Kraja, kush është sot dhe kush do jetë nesër? 

Lei Kraja: Lei Kraja është një femër e fortë, që nuk i bën keq njeriu, por mos më provoko! (qesh).  Jam e sinqertë, që dua gjithmonë ta ndaj dhe suksesin me të tjerët. Dhe kështu do të jem edhe nesër, por akoma dhe më e fortë, krenare. Nuk do të kem asnjë pendesë në jetë, pasi kam bërë gjithmonë çfarë më ka kërkuar shpirti. /Panoramaplus.al

     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al