21 Maj, 2018

Në ishullin ku ndalohet të lindësh, vjen në jetë bebja e parë në 12 vite


Një ishull i largët brazilian në Atlantik, në të cilin është i ndaluar me ligj sjellja në jetë e fëmijëve, ka festuar për një ngjarje “historike”: ardhjen në jetë të bebes së parë në 12 vitet e fundit.

Fernando de Noronha, ishulli që gjendet 370 km larg qytetit Natal (230 milje), ka rreth 3.000 banorë, por asnjë Maternitet. Nënave që planifikojnë të sjellin në jetë një fëmijë u kërkohet të udhëtojnë në tokën kontinentale për të lindur foshnjat.

Por, gruaja, e cila nuk dëshiron të identifikohet, solli në jetë një vajzë ditën e shtunë në ishull. Ajo justifikohet se nuk ishte në dijeni të shtatzënisë, ndërkohë që mbeti pa fjalë nga ngjarja. Nëna besohet të jetë 22-vjeçare.

“Mesnatën e së premtes pata dhimbje dhe kur shkova në tualet pash diçka që dilte nga poshtë këmbëve të mia”, citohet të ketë thënë ajo për faqen braziliane të internetit “O Globo”. “Në atë çast erdhi babai i fëmijës dhe më asistoi në lindje. Ishte një bebe, një bebe e gjinisë femërore. Mbeta pa fjalë”.

Foshnja u dërgua më pas në një spital lokal. Lindja u konfirmua më pas edhe nga administrata lokale.

“Nëna, që preferon anonimatin, solli në jetë një foshnje në shtëpinë e saj – thuhet në deklaratë. – Familja e foshnjës thotë se nuk ishin në dijeni të shtatzënisë së saj”.

Për të festuar lindjen e rrallë, banorët lokalë kanë nisur të ndihmojnë familjen përmes dhurimit të rrobave për beben femër.

Fernando de Noronha ka disa prej plazheve më të mira të botës, ndërsa është i famshëm edhe për kafshët e egra që gjenden në Parkun Kombëtar Detar të Brazilit. Breshka deti, delfinë, balena dhe zogj tejet të rrallë shihen në mënyrë të vazhdueshme në këtë ishull. Për shkak të ndjeshmërisë që ekziston ndaj këtyre rezervave natyrore e shtazore, në ishull aplikohen kontrolle strikte mbi popullsinë. /tch/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al