12 Prill, 2022

Nga akuzat te përfshirja e figurave publike: Beteja ‘e hidhur’ ligjore e Johnny Depp dhe Amber Heard


Beteja e hidhur ligjore e Johnny Depp dhe ish-bashkëshortes Amber Heard po ‘shkon’ në Virxhinia.

Pas humbjes së gjyqit të parë për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar, Depp ka paditur Heard dhe kërkon 50 milion dollarë (38 milion £) dëmshpërblim për një shkrim që ajo shkroi në ‘The Washington Post’ në të cilin pretendonte se ishte viktimë e abuzimit në familje. Heard iu përgjigj me një kundërpadi prej 100 milionë dollarësh.

Gjyqi për shpifje pritet të shfaqë akuza të rënda për abuzim në familje. Ai do të transmetohet drejtpërdrejt në Internet dhe do të përfshijë një numër dëshmitarësh me profil të lartë, si James Franco, Paul Bettany dhe Elon Musk.

Ja një kronologji se si arritën gjërat deri këtu dhe çfarë mund të ndodhë më pas.

Fillesat
Depp dhe Heard filluan të takoheshin në fillim të vitit 2012, pasi u takuan në xhirimet e ‘The Rum Diary’ disa vite më parë. Në vitin 2015, ata u martuan. Por vetëm 15 muaj më pas martesa e tyre mori fund.

Heard bëri kërkesë për divorc dhe urdhër ndalimi, duke u paraqitur në një gjykatë në Los Angeles me njërën faqe të mavijosur. Ajo tha se ish-burri i saj, 23 vjet më i madhi nga ajo, e kishte sulmuar  dhe i kishte hedhur celularin në fytyrë. Mes të tjerash ajo e akuzoi për “abuzim emocional, verbal dhe fizik”, si dhe  “sulme armiqësore, poshtëruese dhe kërcënuese”.

Depp mohoi akuzat për abuzim. Heard mori një urdhër ndalimi të përkohshëm, por disa orë përpara se të fillonte një gjyqi ish-çifti u shfaq me një deklaratë të përbashkët duke thënë se e kishin mbyllur mosmarrëveshjen e tyre.

“Marrëdhënia jonë ishte shumë pasionante dhe nganjëherë e paqëndrueshme, por gjithmonë e lidhur nga dashuria. Asnjëra palë nuk ka bërë akuza të rreme për përfitime financiare. Nuk ka pasur kurrë ndonjë qëllim për dëmtim fizik apo emocional.” –thuhej mes të tjerash në deklaratë.

Depp i dha Heard 7 milionë dollarë pas divorcit, të cilat ajo u zotua t’i dhuronte ‘Unionit Amerikan të Lirive Civile’, diçka që ekipi i Depp tani e kundërshton.

Pse Johnny Depp po padit Amber Heard?
Për një periudhë, gjithçka dukej mirë mes ish-çiftit. Por më pas në dhjetor 2018, Heard shkroi një artikull opinioni në ‘The Washington Post’, duke përshkruar përvojën e saj si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.

“Ndjeva zemërimin e madh të shoqërisë sonë ndaj grave që flasin. Kisha një mundësi të rrallë të favorshme për të parë, në kohë reale, se si institucionet mbrojnë burrat e akuzuar për abuzim.” – shkruante mes të tjerash ajo.

Amber nuk e përmendi me emër ish-bashkëshortin apo ndonjë autor tjetër të dyshuar, por sipas ankesës së Depp-it, ajo ka dëmtuar karrierën dhe reputacionin e tij.

Deklarata e saj se Depp është një dhunues në familje është kategorikisht dhe dukshëm i rremë,” -shkroi avokati i yllit në ankesë. “Akuzat e saj janë pjesë e një mashtrimi për të gjeneruar publicitet pozitiv për dhe për të çuar përpara karrierën e saj.”

Pse është gjyqi në Virxhinia?
Ekipi ligjor i Depp argumentoi se gjyqi duhet të mbahet në Virxhinia pasi aty ndodhen dy zyrat e “Washington Post”.

“Nëse dikush, si Amber Heard, shkruan diçka për dhunën në familje dhe abuzimin nga bashkëshortët, këto janë padyshim çështje me interes publik”, tha Baker, një avokat. “Ajo ka një formë imuniteti për të thënë ato gjëra.”

Si Virxhinia ashtu edhe Kalifornia kanë ligjet e tyre kundë shpifjes, por ato të Kalifornisë janë më të forta. Atje, të pandehurit si Heard mund të kërkojnë menjëherë mbrojtjen. Virxhinia, nga ana tjetër, nuk i lejon të pandehurit të përdorin këtë mbrojtje në fazat e hershme të procedurave ligjore.

“Në Kaliforni, unë mendoj se Heard do ta kishte mbyllur këtë çështje menjëherë,” tha Baker.

A ka ndodhur diçka e tillë më parë?
Në vitin 2018 – përpara se të botohej shkrimi i Heard – Depp paditi ‘News Group Newspapers Ltd’, botuesit e gazetës britanike ‘The Sun’ për shpifje për një artikull që i referohej atij si “dhunues ndaj gruas”. Por ndërsa kjo betejë ligjore ishte mes Depp dhe The Sun, gjyqi tre-javor në Londër dukej më shumë si një zënkë mes ish-bashkëshortëve.

Shanset e fitimit të Depp ishin më të mëdha në Angli sesa në SHBA, ku një person duhet të provojë se çfarë është thënë për ta nuk është e vërtetë. Në Angli është e kundërta: barra e provës i takon të akuzuarit, i cili duhet të provojë se çfarë ka thënë është e vërtetë.

Megjithatë, ai humbi. Një gjykatës britanik vendosi se pjesa më e madhe e akuzave të Heard për abuzim mund të vërtetoheshin. Vitin e kaluar, apeli i Depp u refuzua.

Kush do të jetë atje?
Janë rreth 120 persona në listën e dëshmitarëve të mundshëm. Është një listë e mbushur me yje: Elon Musk, Ellen Barkin, Paul Bettany dhe James Franco.

CEO i Tesla pritet të dëshmojë në emër të Heard. Musk, i cili thuhet se ishte në lidhje me Heard midis 2016-18, ofroi “siguri 24/7” për yllin e ‘Justice League’ dhe ‘Aquaman’ për ta mbrojtur atë nga Depp. Franco gjithashtu pritet të flasë në emër të Heard. Aktorja ka thënë se i ka treguar Francos për shenjat që ka marrë në një zënkë me Depp.

Paul Bettany, i cili e ka quajtur Depp njeriun “më të sjellshëm, më të butë” që njeh, do të mbajë anën e mikut të tij. Bettany ndoshta do tu përgjigjet pyetjeve në lidhje me mesazhet e shkëmbyera mes tij dhe Depp në 2013.

Beteja e ardhshme – që pritet të zgjasë deri në gjashtë javë – në shumë mënyra do të jetë një përsëritje e gjyqit në Londër, duke ekspozuar detaje të çuditshme rreth marrëdhënies së mëparshme të Depp dhe Heard.

Heard me siguri do të përsërisë pretendimet për sulm verbal dhe fizik ndaj Depp që sipas saj ka qenë i paqëndrueshëm gjatë gjithë marrëdhënies së tyre. Depp, nga ana tjetër, ndoshta do t’i kthehet pohimeve të tij se Heard ishte agresori dhe se sillet si viktimë për përfitime financiare dhe reputacioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al