Fotografi me famë botërore Fadil Berisha, i cili ka bashkëpunuar me emrat më të spikatur të showbizit botëror, është rikthyer në Shiqipëri me një rrëfim të rrallë për jetën e tij private, nisjen e karrierës dhe momentin më kluminant.
Në një intervistë të dhënë së fundmi Fadil Berisha është edhe në historinë familjare. Një aspekt jo shumë i njohur i tij pasi gjithmonë ka ulërirë puna dhe suksesi, por në vitin 1953 familja e tij emigroi për në SHBA.
“Po. Siç thashë më herët, prindërit e mi kanë ikur në ’53-in. Ta dijë Shqipëria një herë e mirë, unë jam nga Tropoja. Të gjithë e mendojnë që jam kosovar, në të vërtetë jam nga të dyja dhe i shoh si një, por familja ka ikur në ’53-in dhe unë kam lindur në Kosovë.
Babi në atë kohë kohë i dhanë një detyrë, të vriste një kosovar dhe të mos dihej. Ai s’mundi ta bënte atë gjë dhe i thotë “të lutem mos trego se kush të shpëtoi sepse mua më vrasin”. Ai e tregoi dhe babin e fton qeveria të shkojë në Tiranë, “të të japim gradat”, por ai e dinte se nuk do ta bënin. I thonë kushërinjtë “hajde ikim në Tiranë se do kënaqemi”, ata shkojnë, ai nuk shkon, ata i rrahin, i fusin në burg.”- tha ai në një intervistë për emisionin “Rudina”
Më tej ai tha se babai i tij shpëtoi veten dhe shkoi në Serbi ku bën 8 muaj burg. Aty iu ofrua një biletë që të shkonte në një vend tjetër kudo në botë ose të qëndronte aty, pa asnjë lehtësi nga shteti. Ashtu si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ai zgjedh të shkojë në SHBA.
“Mos të kishte ndodhur kjo, do isha në Tropojë me delet akoma. Kush e kishte menduar një malok kështu, fotograf i modës? Si unë, si Emine Çunmulaj”, shton Fadili me humor.
Sa i përket karrierës ai veçon si momentin më kulminant kohën kur ka fotografuar aktoren Halle Berry, pasi ajo i dha një hov emrit të tij.
“Halle Berry në atë moment fitoi Oscar dhe grimierja e saj punonte me mua dhe çdo herë ajo shikonte punën time. I thotë” kush është ky fotografi që i do femrat aq shumë, i nxjerr aq bukur të gjitha?” I thotë “është një shoku im Fadili” dhe ajo i thotë “kam dëshirë të punoj me të”. Më merr në telefon dhe më thotë “Fadil, Halle do të punojë me ty, ajo e adhuron punën tënde”. Pas disa javësh vjen Halle në Nju Jork dhe kishte një fushatë për Revlon, thotë “do të të lërë 4 orë, bëj ç’të duash”. U gëzova, thashë të përgatis veten, të shoh punën e saj, çfarë këndi e kanë fotografuar të tjerët, ta nxjerr në një kënd tjetër. Këto gjëra janë të shkruara. Kur e shikoj, asaj flokët e shkurtra i shkojnë shumë, më shumë se të gjatat, ka një fytyrë të vogël, të imët, por me qafën e gjatë dhe unë thashë do e shkrep nga një kënd tjetër, nga poshtë, t’ia nxjerr qafën më të gjatë dhe fytyrën aq të bukur sikur ta ndieja që kjo foto do fitonte një Oscar.”- rrëfeu Fadil Berisha.
Më tej në momentin kur aktores i akordohet çmimi Oscar, ajo ishte në xhirime për filmin e radhës dhe nuk kishte ende asnjë foto të saj, ndaj të gjitha revistat iu drejtuan fotografit shqiptar.
“Fati im të gjitha revistat i dërgojnë te unë. Një revistë, është më e madhja në Amerikë, “People Magazine”, bën “50 femrat më të bukura” për aktoret, hapja e parë ishte dy faqet e mia me Halle Berry”- shtoi fotografi i njohur.
Në lidhje me jetën e tij private, Berisha tregoi se familja e tij nuk kanë qenë dakord me zgjedhjen e tij për t’u marrë me art. Megjithatë ai ndoqi shkollën fillimisht si stilist derisa u njoh me aparatin fotografik. Nga ana tjetër, nuk shkonte çdo gjë kaq mirë në anën personale pasi babai dhe familja e kishin larguar.
“Vjen një moment kur unë nuk kisha asnjë ndihmë dhe po punoja tre punë që të mbaja shkollën. Momenti kur isha me një fëmijë dhe një grua, nuk paguaj dot qeranë dhe më largojnë nga shtëpia dhe u ktheva në shtëpi, ishte një ngelje aq e madhe në jetë dhe si person, rashë në depresion për 6 muaj derisa u forcova. Dhe pasi u forcova thashë “kam vuajtur shumë” dhe pasi u ktheva, m’u kthye e gjithë puna, thashë “ku ka qenë gjithë kjo punë?”- tregoi ai.
Por çasti tjetër do të ishte takimi me të atin, pikërisht kur ai po jepte frymën e fundit.
“Babi po vdiste në atë kohë dhe kishte thënë që “nuk do të të flas më, ta dish se ç’po bën”. Por kishte dëgjuar nga mami që i kisha punët mirë, që kisha një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe kisha sukses. Nuk donte të vdiste para se të ma jepte lirinë. Nuk më shihte në fytyrë, por shihte në mur sepse kisha qenë gjithnjë kundër tij, për të ndryshuar botën. Më ka dashur shumë, por isha rebel. Më tha “si është ai biznesi yt?”, i thashë “oh ba jam në studion më të madhe në Nju Jork, kam tabela gjigande, mora apartamentin tim”. Tha “kjo punë është shumë interesante, e gjithë familja nuk të ndihmoi, por ta mbylli dhe kurrë nuk e le. Zoti do të të ndihmojë dhe ty”. Kam qarë dhe qaj vazhdimisht kur e them këtë gjë.”- përfundoi rrëfimin e tij Fadil Berisha.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al