20 Tetor, 2021

Nga kafja, lodrat, letra tualeti dhe çipa për kompjuterë. Ja me çfarë mungesash po përballet bota. Frikë se për Krishtlindje…


Në gjithë botën, njerëzit dhe bizneset janë duke u përballur me mungesa të shumë produkteve, duke nisur nga kafeja e deri te thëngjilli.

kafe

Kryesisht fajtore janë pengesat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit – mirëpo nuk mungojnë edhe faktorë tjerë që kanë dalë në pah në mënyra të ndryshme.

Kina: Thëngjill dhe letër

Një “stuhi perfekte” në Kinë është duke goditur shitësit dhe bizneset.

Mungesë ka në gjithçka përfshirë letrën, ushqimet, tekstilin, lodrat dhe çipat për iPhone, ka thënë Michal Meidan nga Insituti i Oksfordit për Studime të Energjisë.

Ajo ka thënë se këto produkte “mund të mungojnë për Festën e Krishtlindjes”.

Problemi buron kryesisht nga një krizë e energjisë, për shkak të së cilës, më shumë se 20 provinca janë përballur me mungesë të energjisë elektrike.

Më shumë se gjysma e energjisë së shtetit është produkt i thëngjillit.

Çmimet e energjisë janë rritur së fundmi në nivel botëror.

Këto shpenzime nuk mund të barten te konsumatorët kinezë për shkak të rregulloreve që përcaktojnë kufirin në çmime, andaj kompanitë kanë zvogëluar furnizimet.

Prodhimi i thëngjillit është goditur edhe nga kontrolle më të ashpra për siguri në miniera, sisteme të reja për ambientin dhe vërshimet e fundit, ka thënë Meidan.

Kjo nënkupton që ndonëse rritet kërkesa për produkte kineze, fabrikave u është kërkuar të ulin shfrytëzimin e energjisë apo edhe t’i mbyllin fabrikat për disa ditë.

SHBA: Lodra dhe letra tualeti

Për Krishtlindje, “disa gjëra njerëzit nuk do të mund t’i kenë”, ka paralajmëruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Lodrat do të jenë në mesin e tyre, ashtu sikurse letrat e toaletit dhe uji në shishe, më pas rrobat e reja dhe ushqimi për kafshë.

Pjesë e problemit është edhe një bllokadë në portet amerikane. Katër nga 10 anijet transportuese hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes vetëm dy porteve – në Llos Angjelles dhe Kaliforni.

Në një ditë të shtatorit, një rekord prej 73 anijeve janë detyruar të presin në radhë jashtë portit në Llos Angjelles.

Para parandemisë së koronavirusit, ka qenë e pazakonshme që më shumë se një anije të jetë në pritje.

Të dyja portet tani janë duke punuar pandërprerë për të ndihmuar në ulje të krizës.

Në disa raste, mungesat janë shkaktuar edhe për shkak të probleme të nxitura nga pandemia në shtetet tjera.

Shembull, kompania amerikane e veshjeve sportive, Nike, prodhon shumicën e produkteve në shtetet e Azisë, siç është Vietnami, ku fabrikat kanë qenë të mbyllura për një kohë.

Edhe kur prodhohen produktet, shpërndarja e tyre te shitësit është bërë proces i vështirë, ka thënë profesori Willy Shih nga Shkolla e Harvardit për Biznes, transmeton BBC.

Së fundmi është vërejtur rritje e konsumit në mesin e amerikanëve, mirëpo pengesat në fabrika, porte, rrugë e hekurudha të stërngarkuara kanë krijuar bllokada, ka thënë ai.

India: Makina dhe çipa për kompjuterë

Kompania më e madhe indiane e prodhimit të makinave, Maruti Suzuki, është përballur me ulje të prodhimit, kryesisht për shkak të mungesës globale të çipave kompjuterikë.

Këta çipa janë të nevojshëm nëpër motorë të makinave dhe për frenim emergjent.

Mungesa e tyre është rezultat i pengesave të lidhura me pandeminë, në shtete si Japonia dhe Koreja e Jugut.

Kërkesa globale për çipa – të cilët përdoren edhe në telefona dhe kompjuterë – veçse ka qenë në rritje para pandemisë, për shkak të përdorimit të teknologjisë 5G.

Puna nga shtëpitë po ashtu ka rezultuar me një tjetër rritje të kërkesës, pasi njerëzit kanë punuar me laptopë dhe kanë komunikuar përmes kamerave.

Mungesa e këtyre pajisjeve në Indi është përkeqësuar edhe nga kriza e këtij shteti me energjinë.

Rezervat e thëngjillit janë tejet të vogla. Rimëkëmbja e ekonomisë së Indisë, pas valës së dytë vdekjeprurëse të koronavirusit, ka çuar në rritje të kërkesës për energji.

Mirëpo çmimet globale të thëngjillit janë rritur dhe importet e Indisë kanë rënë.

Ndikimi është parë gjithandej, ka thënë Zohra Chatterji, ish-shefe e një kompanie të thëngjillit në Indi.

“I gjithë sektori i prodhimit – çimentoja, çeliku dhe ndërtimi – gjithçka ndikohet kur ka mungesë të thëngjillit”.

Familjet në Indi do të preken po ashtu, kanë thënë ekspertët, ndërkohë që rriten çmimet e energjisë.

Inflacioni i lartë nënkupton se çmimet e produkteve të domosdoshme si ushqimi dhe vaji rriten në vazhdimësi.

Brazili: Kafe dhe ujë

Thatësia më e madhe e Brazilit, në pothuajse një shekull, është kryesisht rezultat i korrjeve zhgënjyese të kokrrave të kafesë këtë vit.

Sfidat e prodhuesve të kafesë janë përkeqësuar nga çmimet e transportit dhe mungesa e kontejnerëve.

Çmimet e larta do të barten në kafiteritë në gjithë botën, pasi Brazili është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i kafesë.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e energjisë elektrike prodhohet nga hidrocentralet, mungesa e ujit është duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimet me energji në këtë shtet.

Teksa çmimet rriten, autoritetet janë duke u kërkuar njerëzve që të mos harxhojnë shumë energji elektrike.

Ministria për Energji ka thënë se agjencive qeveritare u është kërkuar të zvogëlojnë shfrytëzimin e energjisë për 20 për qind, ka raportuar e përditshmja amerikane The Washington Post.

Nigeria: Gazi për gatime

Nigeria është duke u përballur me mungesa të gazit të lëngshëm, që përdoret kryesisht për gatime.

Ky shtet gjendet në situatë të tillë pavarësisht pse ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në Afrikë.

Çmimi i gazit të lëngshëm është rritur për pothuajse 60 për qind në periudhën prill-korrik, duke e bërë të paqasshëm atë për shumë nigerianë.

Si rezultat, familjet dhe bizneset kanë kthyer sytë te thëngjilli apo drutë, për të gatuar.

Një nga arsyet e rritjes së çmimeve janë pengesat në furnizime globale, pasi ky shtet vazhdon të varet nga importet e gazit të lëngshëm.

Situata ka gjasë të jetë përkeqësuar nga rënia e vlerës së valutës kombëtare dhe prezantimi i taksave në gaz të lëngshëm.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesat mund të kenë ndikim në shëndetësi dhe ambient, pasi njerëzit janë duke gjetur alternativa më të lira, por edhe më të rrezikshme njëkohësisht.

Libani: Uji dhe ilaçet

Ka shqetësime rreth mungesës së ujit, ilaçeve dhe naftës në Liban.

Në 18 muajt e kaluar, ky shtet është përballur me krizë ekonomike, e cila ka shtyrë tri të katërtat e popullsisë në varfëri, ka ulur vlerën e valutës dhe ka nxitur protesta të mëdha kundër Qeverisë dhe sistemit politik të Libanit.

Ekonomia e këtij shteti ka pasur probleme edhe para shpërthimit të koronavirusit.

Mirëpo pandemia i ka vështirësuar gjërat.

Mungesat e naftës kanë rezultuar me probleme me energji elektrike, duke lënë bizneset dhe familjet të varura nga gjeneratorë të shtrenjtë privatë, nëse veç kanë mundur të përballojnë blerjen e tyre.

Në muajin gusht, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Libanin, Najat Rochdi, ka thënë se ajo është “thellësisht e shqetësuar rreth ndikimit që mund të ketë kriza me naftë në kujdesin shëndetësor dhe furnizimet me ujë për miliona persona në Liban”.

Burimi: REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al